Nga çfarë duhet të ruhen mediat sociale?

0

Artan Fuga

Loading...

artanKrahas shumë epërsive mediat sociale kanë edhe ato kufizimet e tyre ose edhe përmbajnë rrezikun e rënies në trajtime të tepruara. Nuk i kam pohuar unë këto rreziqe, por ata që i shpikën, i pasuruan, i përsosën për të mirë të emancipimit njerëzor, duke hapur një epokë të re të komunikimit dhe të modeleve sociale.

 

Komunikimi në mediat sociale, duke qenë virtual, pra në fakt një realitet i dytë, që në njëfarë mënyre e dublon realitetin, ka rrezik të mbyllet brenda vetes dhe të shkëputet nga realiteti.

 

Bukuria e mediave të reja pikërisht qëndron në faktin se duke qenë media virtuale, ato kanë fuqi që ta zgjerojnë komunikimin e njeriut me botën reale që e rrethon dhe shkëmbimet njerëzore. Jo të shkëputet përfundimisht nga bota reale.

 

Kjo mund të manifestohet në disa drejtime, por po ndalem në pesë prej tyre, të cilat na vështirësojnë të qenët si qytetarë pranë realitetit dhe na bëjnë “të marrim arratinë” në një botë fiksion:

 

Së pari, ndarja e botës në “botë e tyre”, pra e mediave konvencionale, masive, klasike, nëse e doni ta them ndryshe, dhe në “botë për ne”, bota virtuale e komunikimit në internet. Sigurisht që mediat konvencionale, masive, kanë të metat e tyre, për të cilat nuk ka vend të qëndrohet, por edhe mediat sociale kanë kufizimet e tyre të pamohueshme për të cilat nuk po zgjatem, veçse ato as që nuk diskutohen se ekzistojnë. Trajtimi i shumë çështjeve kërkon kohë dhe profesionalizëm, mjete dhe njerëz, të cilat shpesh në komunikimin virtual mungojnë. Përbuzja e mediave konvencionale, gjëja më e lehtë në botë, është shprehja e asaj që prej zhgënjimit të hiqet dorë nga një mekanizëm real i dinamikave komunikuese reale.

 

Së dyti, dihet se në komunikimin virtual nuk është gjithë shoqëria që merr pjesë, ndonëse përhapja e Internetit, po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Komunikuesi në Internet ka një profil të caktuar identiteti shoqëror dhe nuk përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë. Mirëpo duke qenë se komunikuesit virtualë hasin vetëm njeri tjetrin në muret e mediave sociale, priren të besojnë se ata, pra ne, përfaqësojmë shumicën, apo edhe më keq, sikur jemi pjesa më e emancipuar e shoqërisë.

 

Ky është një iluzion. Pesimizmi social ndryshon nga kritika sociale. I pari është bllokues i transformimit social, i dyti është i shëndetshëm. Kështu, duke shkuar te mediat sociale si të pakënaqur, aty krijohet një ishull i “të revoltuarve”, i “të çmendurve”, i “të pakënaqurve” me realitetin, pra “ishulli ynë”. Në çdo rast krijohet një izolim.

 

Së treti, duke pasur rezerva të mëdha ndaj mënyrës se si bëhet politika në ditët tona dhe të shkëputjes së saj nga pjesëmarrja aktive e qytetarit, ndjehet një lloj alergjie ndaj faktit politik, çështjes politike reale, arsyetimit politik, interesimit politik. Në njëfarë mënyre mediat sociale nisin ta zbehin kështu rolin e tyre të madh në ndërtimin e një hapësire politike të re, por bëhet media të “evazionit virtual nga politika”. Qytetarët rrezikojnë të mbyllen në një botë virtuale duke i ikur detyrave të tyre qytetare për t’u marrë realisht me politikën si zgjedhës, sidomos në kohëra fushatash elektorale, ku përcaktohet se kush do t’i qeverisë në të ardhmen.

 

Së katërti, grupet e miqve në rrjetet sociale, kanë axhendat e tyre të diskutimit sipas interesave të tyre. Por, ndodh që tematika e aktualitetit aty është tjetër nga ajo e politikës, e ekonomisë, apo e ngjarjeve që përbëjnë lajme aktuale. Midis botës reale dhe botës virtuale krijohet kështu një hendek i madh. Duket sikur qytetarët janë si Ali Pasha i vdekur, a vrarë, trupi diku dhe koka diku. Gjatë ditës jetojnë me preokupime të tjera, me mbijetesën e tyre në një botë shpesh vulgare dhe të vështirë, kurse në mbrëmje ose në çaste largimi nga ajo botë, hidhen në tematika të tjera, shpesh interesante, por të shkëputura nga jeta reale e aktualitetit.

 

Së pesti, grupi i miqve të faqeve të rrjeteve sociale priret të përmbyllet në vetvete duke krijuar një lloj getoizimi komunikativ sa kohë që “pranon” në gjirin e vet kryesisht ata që kanë prirje pak a shumë të përbashkëta dhe interesa të ngjashëm. Rënia në monologun komunikativ (Shih: Artan Fuga “Monolog”) nuk përjashton as mediat sociale, bile edhe më shumë sesa mediat konvencionale. Në qytetin virtual të ngritur janë ngritur njëkohësisht edhe mure të lartë që ndajnë “lagjet” e tyre si vagonë treni apo si kuti sardelesh. Qeli burgjesh virtuale, ndërkohë që qyteti real është më i hapur. Të gjithë duken sikur jetojnë në botën e tyre, janë rehat në universin e miqve të tyre, dhe nuk pyesin për të ndryshmit që edhe ata kanë mbyllur me kyç qelat e tyre.

 

Politikanët që kanë ndërtuar mediat e tyre sociale kanë bërë shumë mirë, por vetëm nëse nuk bien në iluzionin që krijon fakti se atje ata ose nuk do të kontaktojnë veçse miqtë e tyre, pra do të riprodhojnë veten në pasqyrë, ose armiqtë e tyre, pra ata që do t’i paraqesin sikurse ata nuk janë, pra do t’iu krijojnë iluzionin se kritikat ndaj tyre janë sharje pa vlerë.

 

Do të binin nga shiu në breshër duke ikur nga mediat konvencionale për të shkuar te mediat virtuale sociale. Përdorimi i mediave të reja me mendësitë e propagandës në mediat klasike, konvencionale, masive, është sa i dëmshëm aq edhe i rrezikshëm.

 

Prej këtyre pesë rreziqeve duhet mbrojtur komunikimi në mediat sociale nëse nuk dëshiron që në vend të jetë një mjet i fuqishëm aksioni social, të bëhet mjet evazioni në një botë të Pipi Çorapegjatës, pra në një vend përrallash, larg realitetit.

 

Pyetje nga H. Saliu gjatë një komunikimi në Facebook, Artan Fuga:

 

 

Si t’i lidhim getot, i dashur Profesor? Kam përshtypjen se kemi një komunikim dyfish apo trefish të getoizuar: pjesëmarrës të getoizuar në një forum për tema që parapëlqejnë; getot e ndryshme nuk komunikojnë ndërmjet tyre dhe, getoizim diskutimesh, temash. Përderisa mediat tradicionale thjesht informonin, tani në shekullin e komunikimit kemi… serish një mungesë komunikimi të përgjithshëm: si t’i bëjmë të ndërveprojnë getot për çështje me interes shoqëror? Apo, a duhet të ndërveprojnë-ndërdiskutojnë getot?

 

 

Artan Fuga:

 

Pikërisht, i dashur H., mund ta përballojmë vetëm duke mos qenë të mbyllur brenda rrjeteve sociale e mos injoruar kanalet e tjera të komunikimit. Mediat masive, sido që të jenë, ato duhen përmirësuar.

 

Na duhen platforma të kryqëzuara mediatike, media masive, të ndara në dysh, pra online dhe offline, si edhe media sociale të profilizuara ose edhe gjeneraliste.

 

Kjo është strategji e drejtë.

 

Na duhen të katër tipat e mediave sipas pronësisë:

 

a. Private

b. Publike

c. Personale

d. Komunitare

 

Duhet të mos i kthejmë kurrizin axhendës politike apo të mediave konvencionale, sado që ajo të mos na pëlqejë. Kjo agjendë, edhe pse mund të jetë e pagjetur, përsëri është kombëtare dhe na formon si opinion publik i përbashkët. Duhet vlerësuar gazetari që punon në profesionin e vet, sado ai mund të ketë të meta, por ai vepron nën presion, nuk duhet hedhur guri mbi të gjithë. Le të dalin “trimat” që të flasin hapur para se të përbuzin gazetarët, se edhe ne Internet dalin me pseudonime (e drejta e tyre); duke kontekstualizuar mediat, por edhe mbajtur disa media gjeneraliste etj.

 

Pra, një ndërthurje e kanaleve të komunikimit, dhe jo vetëm një kanal i vetëm getoizues.

 

Por, disa që lidhen vetëm me komunikimin dixhital në internet nuk kanë asnjë faj. Zhgënjimi nga mediat konvencionale është me të drejtë i madh, ato kanë rënë, njësoj si qyteti dhe duhen “rishpikur”, ringritur në aspektin financiar, menaxherial, profesional, etj. dhe se mediat sociale si të reja ende s’e kanë shfaqur edhe pasojën e tyre negative, ku brenda një qyteti të vetëm material do të kemi komunitete njerëzore pa lidhje me njeri tjetrin sikurse ndodh në shoqëri shumetnike, Maqedoni, Bosnjë, por jo vetëm.

Loading...