Info/kult

0
179

armetRekord, 1.5 milionë vizitorë për armët e Skënderbeut

Ekspozita e armëve dhe përkrenares mit të Heroit tonë Kombëtar, për më se 1 muaj u shndërrua në vend pelegrinazhi, sepse shqiptarët mundën për herë të parë t’i shihnin në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbyllja e ekspozitës së çelur më 22 nëntor, bëhet e ditur se janë rreth 1 milion e gjysmë vizitorët që kanë parë ekspozitën. “Sidomos fluks i madh qe në ditët e festimeve të 28 Nëntorit. Numri i vizitorëve nga 700 deri në 800 mijë veta. Vazhdojnë të vijnë akoma njerëz edhe tani për Vitin e Ri, nga ardhja e emigrantëve pati shumë fluks”, ka thënë për mediat muzeologu Fredi Gusho. Në sajë të një bashkërendimi edhe me drejtoritë arsimore të vendit, janë të shumta shkollat që ditë pas dite sjellin në muze nxënësit për të vizituar armët dhe përkrenaren e Skënderbeut. “Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor ka pasur jashtëzakonisht shkolla që kanë ardhur me program të veçantë. Rreth 600 mijë nxënës kanë ardhur edhe nga rrethe të ndryshme”, shtoi ai. Sipas të dhënave dokumentare, është konstatuar se dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut ranë në duart e arqidukës Ferdinand mes viteve 1588-1593 e nga ornamentet, studiuesit kanë përcaktuar se ato janë realizuar në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ekspozita e çelur më 22 nëntor në pavijonin e mesjetës, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri më 13 janar.

 

Teatri shëtitës në Vlorë

Në datën 9 edhe 10 janar, ora 18:00, trupa e shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës” e Garcia Lorca do të jetë në qytetin e Vlorës. Nën regjine e Kiço Londos, interpretojnë aktoret e mirënjohura Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Klodiana Keco. “Shtëpia e Bernarda Albës” ju bën pjesëmarrës në dramën e pasionit, pushtetit dhe mungesës së lirisë. 6 vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur. Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale. Bukuria korruptohet, sugjeron Lorca, në një ambient ku njerëzit nuk lejohen të shijojnë dhe përjetojnë pasionet e tyre.

Shfaqja do të udhëtojë më pas drejt Shkodrës, Fierit, Durrësit,Gjirokastrës, Korçës, Prishtinës, Gjakovës, në një tur që do të zgjasë deri në fund të muajit maj. Teatri Shëtitës ka në repertorin e tij edhe dy shfaqje për fëmijë, “Zërat e detit” dhe “Udhëtime me diellin” të autores Milena Selimi me regji të Endri Çelës. Për sezonin e ri artistik të vitit 2013, Teatri Shëtitës, në 19 shkurt, do të fillojë provat për një premierë të re që do të angazhojë një grup të madh aktorësh të rinj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency