Standard.al

Opozita në 2012-ën Nga kushti në kusht, imuniteti, zgjedhja e Presidentit dhe statusi

statusi“Humbja e statusit kandidat përbën ndoshta “peshën” e rëndë të socialistëve në vitin që po lëmë pas e gjithashtu në vitin që po vjen, në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. E cilësuar nga mazhoranca dhe jo vetëm si shkaktarja kryesore për dështimin e tretë radhazi të vendit, pasi kushtëzoi votimin e tri ligjeve të Brukselit me çështjen e “Fierit”, PS do të ketë një sfidë jo pak të vështirë përballë elektoratit”

 

2 mars – Zgjedhjet e kryetarit të Tiranës, mes debatit për shkelje statuti dhe fitores së Tahirit

Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste për degën e Tiranës kaluan më shumë mes debatesh dhe diskutimesh para zhvillimit të tyre se në momentin e votimit apo në shpalljen e fituesit. Ndryshe nga “zhurma” që duket se është kthyer në klishe në selinë rozë në moment votimi apo mbledhje ku janë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, këtë herë debatet për zgjedhjet e kryeqytetit u zhvillua para mbajtjes së tyre. Dy ishin arsyet kryesore: vonesa për zhvillimin e tyre dhe pretendimet e një pjese të socialistëve për shkelje të statutit të PS-së me kandidimin e deputetit Saimir Tahiri. Një pjesë e bazave socialiste, sidomos ajo e Vlorës, akuzuan kryesocialistin për standarde të dyfishta në vendimmarrje. Kjo akuzë erdhi pasi në kundërshtim me vendimin për Tahirin, të cilin Rama e lejoi të kandidojë sërish në garë, pavarësisht se ai ishte deputet dhe kjo gjë bie në kundërshtim me statutin e PS-së, në rastin e rikandidimit të deputetit Eltar Deda për kreun e Vlorës, lideri socialist vendosi për përjashtimin e tij nga gara. Nga ana tjetër, dy deputetë të PS-së, Ilir Gjoni dhe Andis Harasani, në respekt të statutit të forcës ku bënin pjesë, i cili përcakton qartë se personat të cilat mbajnë statusin e deputetit në parti nuk mund të garojnë për kreun e PS-së në rrethe, kishin pohuar publikisht se nuk do të kandidojnë për këtë post. Por pavarësisht këtyre debateve, në garën përfundimtare, përballë u vendosën kreu i komanduar i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri dhe ish-kreu i FRESSH-it, Ilir Zela. Në 2 mars të 2012-ës u zhvillua votimi në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku pas numërimit të votave të 625 anëtarëve që përbënin Asamblenë e Zgjeruar të Tiranës, u shpall fitues me 390 vota kundrejt 153 votave që mori kandidati tjetër Ilir Zela, deputeti Saimir Tahiri.

 

PS për Presidentin

Zgjedhja e kreut të ri të shtetit ishte një ndër çështjet më të rëndësishme për vitin 2012. Opozita kishte bërë të ditur që para nisjes së procedurave për këtë proces, se do të ishte kundër një kandidati nga e djathta dhe se kërkonte një figurë konsensuale. Por ky qëndrim i socialistëve ndryshoi, sapo mazhoranca qeverisëse përzgjidhi kandidatin e parë të saj në garë, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. Edhe pse kjo figurë nuk ishte pjesë e të djathtës apo koalicionit të saj, opozita shprehur kundërshtinë e saj, pasi sipas socialistëve, për këtë proces duhej të kishte një tryezë të përbashkët mes palëve. Pas tërheqjes nga gara nga ana e Zaganjorit, mazhoranca pranoi kërkesën e kryesocialistit Rama për t’u mbledhur në një tryezë të përbashkët, ku do të vendosej konsensualisht për emrin e Presidentit të ri të vendit. Opozita në tryezën e parë nuk propozoi asnjë emër e nga ana tjetër kundërshtoi të gjitha alternativat e paraqitura nga koalicioni mazhorancës. Këta të fundit përzgjodhën analistin Artan Hoxha, si figurën e duhur për të drejtuar shtetin, ku edhe ai u cilësua nga selia rozë si një figurë e njëanshme. Por edhe Hoxha vendosi të tërhiqej nga gara e në këtë kontekst, opozita kërkoi rinisjen e konsultimeve për një emër konsensual. Nga ana e saj mazhoranca paraqiti si kandidat ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Bujar Nishanin, për të cilin PS paraqiti një sërë arsyesh kundërshtie, ndër të tjera duke e cilësuar atë si “noter” të Kryeministrit. Nishani arriti të merrte postin e kreut të shtetit, ku nga ana e saj opozita vendosi që të qëndronte në sallë port ë mos votonte.

 

Imuniteti – kushti i PS-së për reformën në drejtësi

Edhe pse prej vitesh heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë ishte kthyer në një sfidë për klasën politike shqiptare, pas shumë debatesh në 18 shtator të 2012-ës, deputetët e pozitës dhe opozitës votuan në Kuvend me 130 vota Pro për kufizimin e imunitetit të tyre dhe zyrtareve të lartë. Për rreth tre muaj, ky proces u kushtëzua nga socialistët me paketën e ndryshimeve kushtetuese e cila lidhej me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm me 3/5 e votave, propozim që në fund u rrëzua. Kështu, në fillimin e tij procesi eci në rrugë të mbarë, pasi me ndihmën e ekspertëve, PD dhe PS arritën në një draft të përbashkët për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Por, pavarësisht konsensusit, PS bëri të ditur se nuk do ta votojë heqjen e imunitetit, megjithëse pjesa më e madhe e propozimeve në të ishin të selisë rozë, pa u përfshirë në votim edhe paketa për ndryshimet kushtetuese për një reformë në sistemin e drejtësisë. “Ne jemi pro kufizimit të imunitetit, aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë, jemi gati ta votojmë imunitetin sapo të mbyllet diskutimi për ndryshimet e miratuara prej nesh. Ne i kemi paraqitur Kuvendit një paketë për reformimin e sistemit të drejtësisë, ku gjyqtarët të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e parlamentit. Duhet të marrë fund zgjedhja e gjyqtarëve nga një parti e vetme dhe të krijohen kushtet për një përzgjedhje më të madhe”, – do të bënte të ditur kryesocialisti Edi Rama qëndrimin e PS-së lidhur me këtë çështje. Për më shumë se dy muaj palët do të qëndronin larg konsensusit, kur në të njëjtën kohë SHBA dhe Bashkimi Evropian bënin thirrje për heqjen e imunitetit, si një ndër detyrat kryesore në kuadër të integrimit të vendit. Përsëritja e këtyre thirrjeve, në raste edhe me tone kritike, duket se ishte faktori kryesor për tërheqjen e socialistëve nga kushtet, për të votuar kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë.

 

Strategjia për zgjedhjet

Në 20 tetor të këtij viti, Partia Socialiste miratoi strategjinë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Duke u mbështetur tek puna në terren e anëtarëve të saj në të gjitha degët e vendit, platforma e socialistëve përmban katër çështje ku do të fokusohet komunikimi me elektoratin, përkatësisht: demokracia e re, ekonomia e re, shoqëria e re dhe integrimi. Po ashtu pjesë të rëndësishme të kësaj platforme janë edhe aleatët, ku përcaktohen mënyrat se si PS nëpërmjet ekipeve të veçanta të ngritura për këtë çështje, do të mundohet të krijojë një koalicion sa më të gjerë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ndërkohë në strategjinë e socialistëve është përcaktuar edhe forma e partneritetit me aleatët, ku pritet në ditët e muajt në vijim të nënshkruhen marrëveshja bashkëpunim para dhe paszgjedhore. Një pjesë me rëndësi të veçantë në këtë platformë ka edhe programi i PS-së, i cili është përqendruar kryesisht tek ekonomia, integrimi i vendit, arsimi dhe shëndetësia. Në bërjen publike të platformës elektorale, gjatë punimeve t të Asamblesë Kombëtare të PS-së në 20 tetor, kreu socialist Edi Rama vuri theksin tek angazhimi maksimal që duhet të tregojnë kryetarët e bashkive dhe komunave gjatë muajve në vijim deri ditën e zgjedhjeve. Sipas kryesocialistit, një ndër pikat më të rëndësishme të opozitës për të arritur suksesin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jetë puna e bazave në rrethe, të cilat, sipas porosisë së Ramës, duhet të shtrijnë më shumë aktivitetin e tyre tek shtresa e pavendosur e votuesve. Më pas në 30 nëntor, kjo strategji u miratua në kryesinë e Partisë Socialiste, ku u shqyrtuan edhe detajet teknike të strategjisë elektorale, në funksion të zgjedhjeve politike të vitit 2013.

 

Statusi – PS sfidon me “Fierin”

Politika dështoi për të tretin vit radhazi në tentativën e saj për t’i dhënë vendit statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian. Në kohën kur pas marrëveshjes së nëntorit të vitit të kaluar dhe më pas me votimin e një sërë ligjesh me shumicë të cilësuar, dukej se vendi po shkonte drejt marrjes së statusit, palët politike në vend nuk arritën të gjenin konsensusin mes tyre për tri ligjet e Brukselit. Në progres-raportin e 10 tetorit, Shqipëria mori status të kushtëzuar, ku Komisioni Evropian kërkoi nga klasa politike që të përmbushte deri në fund të nëntorit, tri kritere, përkatësisht votimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe përmbylljen e reformës parlamentare. Pas bërjes publike të këtyre tri kritereve, PS deklaroi se nuk do të japë votën për ligjet nëse më parë nuk zhbllokohet Këshilli i Qarkut Fier, kiu sipas socialistëve, vendimet e gjykatave i kanë dhënë të drejtë atyre për të drejtuar këtë qark. Një kusht i tillë u kundërshtuar nga mazhoranca, e cila nëpërmjet Kryeministrit të vendit kërkoi nga opozita që të dallonte çështjet partiake nga ato kombëtare e të votonte ligjet e Brukselit. Por opozita qëndroi e bindur në kushtëzimin e saj, duke nënvizuar se pa marrë “Fierin”, PS nuk do të votonte ligjet. Në këto kushte, kreu i mazhorancë në limitet e kohës propozoi një marrëveshje politike, në bazë të së cilës qëndronte mocioni për këshilltarët e qarkut Fier, marrëveshje e cila u kundërshtua nga socialistët. Në këto kushte, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të KE-së vendosi në mesin e dhjetorit të mos i japë Shqipërisë statusin e kandidatit. Brukseli zyrtar theksoi se vetëm pas të plotësohen tri kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian, vendi mund të marrë statusin. Kështu edhe këtë vit, jo shumë ndryshe nga një vit më parë, na mbetet të themi se statusi përbën sfidën e politikës për 2013-ën, sigurisht së bashku me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.

Comments are closed.