Standard.al

“Gati për mandatin e tretë”, Berisha: Të rendim pas çdo vote, PD më lart se në ‘96-ën

Gëzim Saliu

Takimi me Forumin e Gruas së PD-së, Berisha: Fushatat elektorale janë fituar falë mbështetjes suaj

 

berishaPartia Demokratike shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 si një forcë politike me arritje të mëdha dhe në kuota shumë herë më të larta në elektorat se në vitin ‘96. Kështu deklaroi dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në takimin e zhvilluar në kuadër të festave të fundvitit me gratë dhe vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruas, duke bërë me dije edhe arritjet e qeverisë që ai drejton. “Kjo është një fushatë, në të cilën ne si forcë politike, pa diskutim shkojmë me arritje të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Natyrisht, pushteti ka edhe problematikat e veta. Por, unë dua t’ju them ju se mandati 2009-2013 është një mandat, në të cilin Partia Demokratike, në krye të një koalicioni ka bërë me shumë se kurrë në historinë e këtij vendi, për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për shkollimin e qytetarëve shqiptarë, për shërbimin shëndetësor të qytetarëve shqiptarë, për rrugët, për infrastrukturën, pra ka bërë më shumë se kurrë, për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar”, – tha Kryeministri.

 

2013-ta

Lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Berisha ka kërkuar që të punohet fort me çdo votë duke trokitur në çdo shtëpi, portë dhe zemër të çdo zgjedhësi, për të shënuar në zgjedhjet e ardhshme fitoren e sigurt. “Ia dolëm, sepse rendëm pas çdo vote. Shumë nga ju keni qenë në zona të caktuara. Rendja pas çdo vote, takimi dere më derë me zgjedhësit është rruga me e sigurt e një fitoreje të thellë, shumë më të madhe se dy fitoret e fundit. Unë mund t’ju njoh juve me rezultate e një seri studimi e opinionesh, ato tregojnë Partinë Demokratike në kuotat më të larta që nga viti ’96 e deri më sot. Këto polle të bëra jo nga një, por disa forca kryesore politike dëshmojnë se Partia Demokratike është në një distancë të ndjeshme, forcë e parë politike ne vend, por ne nuk duhet të merremi me pollet, ne duhet të merremi me dyert e apartamenteve, shtëpive, zemrat e qytetarëve tanë”, – u shpreh kreu i ekzekutivit.

 

Gratë

Në fillim të fjalës së tij përshëndetëse në takimin me LGD-në, Kryeministri vlerësoi rolin dhe kontributin e grave, të cilat me përkushtim dhe seriozitet kanë bërë sipas tij gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike gjatë këtyre 22 viteve. Kryeministri u shpreh se të gjitha fushatat elektorale të fituara nga PD-ja janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja e madhe e të rinjve dhe grave të Shqipërisë. “Erdha sot këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të thellë para jush, para atyre qindra dhe mijëra vajzave dhe grave, nënave dhe motrave, të cilat me përkushtim, me guxim, me sakrificë, me vendosmëri, kanë bërë gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike këto 22 vite. Kanë bërë gjithçka për shndërrimin në realitet të programit transformues epokal të kësaj partie. Kanë qenë në distancë forca më e fuqishme mbështetëse e Partisë Demokratike, që në vitin e parë të themelimit të saj deri në ditët e sotme. Të gjitha fushatat elektorale të fituara nga Partia Demokratike janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja eprore e të rinjve dhe grave të Shqipërisë, ky është realiteti i pamohueshëm i verifikuar dhe i faktuar shumë e shumë herë në garat elektorale”, pohoi Kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, shefi i mazhorancës qeverisëse nuk nguroi të theksonse se përballë vështirësive që has shoqëira lidhur me babëzinë dhe korrupsionin, antidodi më i mirë është emërimi i grave dhe vajzave në postet më kyçe, pasi shkalla dhe probabiliteti i korruptimit të tyre është disa herë më i ulët sesa i burrave. “Por ajo që kanë vajzat dhe gratë, jashtëzakonisht të rëndësishme, të çmuara dhe jetike për Partinë Demokratike, është përkushtimi i tyre ndaj vlerave që mbron dhe zhvillon kjo parti”, – deklaroi Kryeministri i vendit Sali Berisha.

 

Akuzat e Ballës, Shkëlzen Berisha: Shpifjet do të marrin përgjigje në gjykatë

Pas akuzave të ripërsëritura të deputetit socialist Taulant Balla ndaj familjes së Kryeministrit të vendit, ka reaguar dje djali i kreut të ekzekutivit, Shkëlzen Berisha, i cili, duke hedhur poshtë deklaratat e Ballës, theksoi se gjithçka do të bëhet transparente nga një padi gjyqësore që do të depozitohet së shpejti në gjykatë. “Përsëri sot Edi Rama i shërbyer nga Taulant Balla nxori ne tregun e mediave mashtrimin e radhës për publikun duke deklaruar se unë jam konsulenti i njërës prej kompanive që kanë marrë pjesë në tenderin e hidrocentraleve dhe pikërisht asaj që ka fituar tenderin. I bëj me dije opinionit se kjo është fund e krye një shpifje e ulët dhe se unë nuk kam dhënë kurrë dhe në asnjë rast konsulence apo asistence juridike për kompani që marrin pjese në prokurime apo gara publike! Ndaj kësaj shpifje do të depozitohet padi në gjykatë!”, – theksohej në deklaratë. Sipas Shkëlzen Berishës, ky nuk është mashtrimi i parë që bën PS në emër të tij. “Dëshiroj t’i kujtoj publikut që ishte po Edi Rama dhe shpifësit e tij që jo shumë kohë më parë u servirën qytetarëve mashtrimin se Shkëlzen Berisha kishte fituar tendera publike. Mashtrim që zgjati vetëm disa orë, pasi biznesmeni i nderuar që kishte rastisur të kishte të njëjtin emër me mua doli para mediave dhe deklaroi se ishte i biri i Abdullait i lindur 25 vjet para meje”, – shprehej Shkëlzen Berisha. Në fund, duke i kujtuar kreut të PS-së, Edi Rama, për deklaratat që ka bërë në ILDKP, ku Rama rezulton i pastrehë dhe me 3 mijës euro kursime, Shkëlzen Berisha fton kryesocialistin të mos i shmanget procesit gjyqësor të hapur ndaj tij. “I kërkoj gjithashtu z. Rama që autoritetin me të cilin detyron përditë z. Balla të shpifë, ta përdorë për ta bindur atë të mos i shmanget si frikacak procesit gjyqësor që ka nisur ndaj tij për shpifje në Gjykatën e Tiranës”, – përfundoi reagimin e tij, djali i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

 

 

PD: Kartolina e Ramës për vitin e ri, bllokimi i statusit

Partia Demokratike e ka cilësuar mos votimin e tri ligjeve të Brukselit për marrjen e statusit kandidat si “dhuratën” e PS-së për festat e fundvitit për shqiptarët. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u dërgoi si kartolinë urimi për festat e fundvitit shqiptarëve murin e bllokimit për Shqipërinë të statusit të vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Evropian që ai dhe neobllokmenët e tij ngritën kundër interesave jetike të çdo fëmije, të riu, të moshuari, vajze, djali, burri, gruaje të këtij vendi. Këtë akt të pashembullt në historinë e procesit të integrimit të ndonjë vendi në Bashkimin Evropian, kreu i bllokmenëve të rinj, përpiqet ta maskojë me shpifje dhe trillime të denja vetëm për moralin e neobllokmenëve kundër familjarëve të Kryeministrit”, shprehej PD. Sipas demokratëve, mosvotimi i tri ligjeve përbën atentatin më të rrezikshëm kundër interesave jetike të të gjithë shqiptarëve, integrimit të tyre në Bashkimi Evropian. “Me murin e tij të bllokimit Edi Rama u mohon shqiptarëve qindra milionë euro të domosdoshme për infrastrukturën, rrugët, kanalizimet, shkollat, spitalet e tyre. Me bllokimin e statusit të vendit kandidat Edi Rama dhe neobllokmenët e tij në krye të Partisë Socialiste u mohojnë të rinjve shqiptarë, mijëra të drejta studimi në universitet në vendet anëtare të Bashkimit Evropian me tarifa disa herë më të ulëta se ato që duhen të paguajnë sot në këto universitete vetëm e vetëm se Shqipëria nuk ka statusin e vendit kandidat”, – theksonte PD. Në këtë kontekst, selia blu pohoi se me bllokimin e statusit, kryesocialisti privoi në mënyrën më çnjerëzore trajtimin në spitale në vendet anëtare, të të sëmurëve shqiptarë me tarifa sigurimesh të njëjta me qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian. “Partia Demokratike i deklaron z. Rama, zotit 20 % të cilin kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano e ka akuzuar publikisht për trafik të ikonave të vjedhura, se shqiptarët me 23 qershor, do të shembin murin e tij të bllokimit, ashtu siç shembën murin e izolimit të etërve të tyre bllokmenë hoxhistë”, – përfundoi deklaratën e saj PD.

Comments are closed.