Bashkia

0
137

bashkiaBashkia  Axhenda e festimeve për Vitin e Ri 

Për ta bërë edhe më të bukur atmosferën në prag të ndërrimit të viteve, në Tiranë po vazhdojnë aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës. Gjatë pasdites së djeshme në sheshin “Skënderbej”, përpara pemës së Vitit të Ri, animatorët kanë krijuar një atmosferë të veçantë për këdo që ka dëshirë të kalojë disa momente ndryshe. “Sot më datë 30 nëntor 2012, në orën 11:00, ansambli i Tiranës do të japë një koncert po në sheshin “Skënderbej”, pranë pemës. Më datë 31 dhjetor, banda e qytetit do të performojë në sheshin “Skënderbej”, sikundër animatorët do të jenë pranë pemës me performancat e tyre”, – thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës. Momentet e ndërrimit të viteve do të priten në sheshin “Skënderbej” nën atmosferën e mrekullueshme që do të krijojnë DJ, duke nisur nga ora 23:45 për të gjithë ata që duan ta presin Vitin e Ri në sheshin qendror të Tiranës. Menjëherë pas numërimit tradicional mbrapsht deri në ardhjen e Vitit të Ri, bashkia ka planifikuar dhe një spektakël fishekzjarresh.

 

 

Sporti, Basha shpërblen kampionët e ekipeve të Tiranës

Basha shpërblen 60 kampionët kombëtarë të ekipeve të Tiranës, në volejboll, basketboll, peshëngritje, mundje, qitje dhe atletikë

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u ka rezervuar një pritje të veçantë në këtë fund viti sportistëve të ekipeve të Tiranës, në volejboll, basketboll, peshëngritje, mundje, qitje dhe atletikë, të cilët gjatë vitit 2012 janë shpallur kampionë kombëtarë dhe kanë fituar medalje në kompeticionet ndërkombëtare. Viti 2012 u mbyll me një tjetër kupë për Tiranën. Një ditë më parë ekipi i basketbollit për femra fitoi Kupën e Shqipërisë, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vit.

Shpërblimi

Duke u dhënë 60 kampionëve një premio prej 100 eurosh secilit, z. Basha ka garantuar se vëmendja e bashkisë do të vazhdojë të jetë tek sporti, trajtimi i sportistëve dhe përmirësimi i ambienteve sportive. Pas “Fahrie Hotit”, palestrës së peshëngritjes, ku stërvitet nënkampionia e Evropës Romela Begaj, por edhe ekipi kombëtar i peshëngritjes, kryebashkiaku bëri të ditur se do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me fondet e bashkisë, edhe palestra e mundjes. “Për të gjithë këta kampionë, përveç urimeve, bashkia ka edhe nga një dhuratë simbolike prej 100 eurosh për çdo kampion. Në këtë fund viti dua të kujtoj me krenari faktin se ia dolëm të rehabilitonim tërësisht palestrën “Fahrie Hoti”, me një investim të bashkisë prej 5 milionë lekësh të reja dhe në fillim të vitit që vjen do të përfundojmë rehabilitimin e palestrës së mundjes, po kështu me një investim të Bashkisë prej 3 milionë lekësh të reja. Investimet do të vazhdojnë, për të përmirësuar cilësinë e ambienteve të trajnimit, kushtet ku trajnohen sportistët tanë. Me një vendim të Këshillit Bashkiak dhe propozim të sportistëve veteranë që janë anëtarë në Këshillin Bashkiak, ne miratuam një status të ri për trajnerët e ekipeve të klubit shumësportësh Tirana, duke rikthyer ata në piedestalin e dinjitetit që meritojnë dhe duke u dhënë një stimul më të mirë, për të udhëhequr kampionët tanë të ardhshëm, në vitin 2013. Gëzuar dhe qoftë viti 2013, vit i mbajtjes së këtyre trofeve dhe marrjes së trofeve të tjera për ekipin e Tiranës!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency