Asimetria defaktorizuese e shqiptarëve në Ballkan

0
148

Nga Altin Hoxhaj

 

shqiperia100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë e gjeti dhe e la faktorin shqiptar në Ballkan shumë larg objektivave të realizimit pjesor të të drejtave kombëtare e atyre individuale (Të Njeriut), në të gjitha shtetet fqinje ku shqiptarët bëjnë pjesë. Por gjithashtu e gjeti dhe e la sërish shumë larg objektivit të zgjidhjes së plotë të çështjes kombëtare dhe konsolidimit si faktor jetik për paqen dhe stabilitetin në gadishull.

Kjo gjendje në nivelin e statukuosë së programuar nga fqinjët tanë dhe e ndihur nga vetë faktori politik shqiptar, ka konturuar qartë dritëhijet e çështjes sonë kombëtare dhe dështimin e detyrimit të shtetit amë-shqiptar, për përmbushjen e aspiratave kombëtare, qysh nga mbrojtja e të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve e deri tek bashkimi kombëtar, të përcaktuara qartë edhe në preambulë1913n e Kushtetutës së Shqipërisë.

Në vitin 1991, pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësimit të shteteve sovrane të Federatës jugosllave, Millosheviçi vikati me të madhe se “ky pavarësim nuk është tjetër veçse instrumenti juridik kriminal për asgjësimin e serbëve dhe të kombit serb në republikat sovrane jugosllave ku ata jetojnë…”, me ç’rast përligji politikën e shpërbërjes së përgjakshme të Federatës e të konfliktit ndëretnik, me pretekstin “e mbrojtjes së jetës së rrezikuar të serbëve!!?

Asokohe faktori ndërkombëtar heshti habitshëm, megjithëse “Plani i Paqes” për pavarësimin paqësor të kombeve e shteteve konform Kartës së Atlantikut dhe asaj të OKB për të Drejtën e Vetëvendosjes së Popujve deri në Shkëputje, formuluar dhe prezantuar nga lordi Kerrington, u bë copë e çikë në terren, duke sjellë bashkë me dështimin edhe fillimin e konfliktit të përgjakshëm ndëretnik.

Por platforma ultranacionaliste serbe e artikuluar mjaft qartë në Millosheviçi, dëshmonte gjithashtu se ishte e kalkuluar gjithashtu mjaft qartë e saktë, teksa megjithë humbjen e Kosovës në fund të dekadës, definoi një bilanc të shkëlqyer të faktorit serb në Ballkan, me konsolidimin e tij si pjestar i rëndësishëm tryezash vendimmarrëse dhe me përdorimin si mjet adekuat shantazhi për të përfituar para e avantazhe për integrimin e Serbisë në BE.

Megjithë përmbysjen e raporteve shqiptaro-serbe në favor të shqiptarëve në bilancin e përgjithshëm serb, pas pavarësimit të Kosovës, Serbia ia arriti të ruajë sovranitetin mbi Bujanovc-Medvegjë-Preshevën, të realizojë getoizimin e shqiptarëve atje dhe spastrimin etnik të heshur të tyre. Madje jo vetëm në këto krahina, por edhe në Sanxhak dhe Metohi, duke përmbysur në mënyrë të pakthyeshme raportet demografike në dëm të ëshqiptarëve.

Por fitorja më e madhe e serbëve ishte dhe mbetet izolimi i Mitrovicës nga pjesa tjetër e Kosovës. Ishte dhe mbetet përdorimi i saj si detonator nëpërmjet tubimit atje të të gjithë paramilitarëve-kriminelë lufte të ish Jugosllavisë, krahas përmbysjes së raporteve etnike: nga 60 % në vitin 1989, në 10 % me shqiptarë sot, në të dy anët e lumit Ibër, duke lënë në pjesën veriore ndoca dhjetëra shqiptarë, që terrorizohen çdo ditë për t’u larguar me përdhunë, duke krijuar kësisoj një njollë të pastër serbe mbi hartën e enklavizuar të Kosovës dhe duke bërë sërish copë e çikë planin tjetër ndërkombëtar, atë që mban emrin “Ahtisari”.

Fatkeqësisht, më 17 janar 2013 shqiptarët do të ulen në tryezën e detyruar të Brukselit përballë serbëve, me Konventën e leckosur Europiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me Planin “Ahtisari” të dështuar, duke e shërbyer dorën e Thaçit drejtuar Daçiç thjesht si Atu për integrimin e Serbisë në BE dhe përsosjen e imazhit ndërkombëtar të serbëve me penelalat e vetë shqiptarëve. Dhe fatkeqësisht kjo dhuratë për serbët bëhet pa kurrfarë kushtëzimi politik, me kushte konkrete vënë Serbisë nga faktori shqiptar, për gjithçka të mbrapshtë të gatuar në kuzhinat antishqiptare të Beogradit dhe kontinentit.

Kësisoj serbët, pavarësisht krimeve të përgjakshme dhe rrënimit të Kosovës, para dhe gjatë konfliktit, jo vetëm që e rehabilituan ndërkombëtarisht mbarë klasën politike serbe (aleate dhe mbështetëse e Millosheviçit, pavarësisht pozicionit politik: në pozitë apo opozitë), por sot, me slogane demokratike serbët u vetëshpallën aleatë të Brukselit dhe ia arritën të balanconin pozitat me shqiptarët, duke u shndërruar kësisoj, nga xhelatë në “viktima” dhe “bashkëvuajtës…”.

E tillë është situata edhe në Maqedoni, pas vijimit të segregacionit dhe aparteidit që maqedonët ushtrojnë ndaj shqiptarëve, pavarësisht nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mbetur pa u zbatuar dhe shndërruar tashmë në leckë me ndihmën e vetë shqiptarëve, sidomos të atyre që mbllaçisin thërrimet e tryezës së pushtetit politik të koalicionit absurd shqiptaro-maqedon në bashkëqeverisjen me një forcë politike ultranacionaliste për nga programi politik dhe frymëzimi, konservuar si i tillë qysh prej një shekulli, sikundër është VMRO-DPMNE.

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Marrëveshja e Ohrit, jo vetëm nuk e përmirësoi, por e përkeqësoi pozitën politike të shqiptarëve, që po shihen e trajtohen si destabilizues e shpërbërës potencialë të Maqedonisë dhe pengues të integrimit të saj, ndonëse gjuha, kultura, simbolet dhe të drejtat e tyre kombëtare e njerëzore përdhosen pambarimisht nga institucionet zyrtare, krahas spastrimit të butë të trevave të tyre etnike dhe përmbysjes së raporteve demografike ndëretnike në Shkup, Mavrovë, Kërçovë, Strugë e sidomos në Manastir.

E njëjta situatë, por me tone më të buta zhvillohet në dëm të shqiptarëve në Malin e Zi, teksa qeveria sllave atje ka sekuestruar dhe mban pa kundërshpërblim tokat-pronë të shqiptarëve, të marra me forcën e ligjeve antishqiptare të Jugosllavisë titiste për gjoja ndërtimin e bazave dhe impianteve ushtarakë për qëllime mbrojtjeje në Ulqin e Tivar.

Sot faktori politik shqiptar në Malin e Zi, jo vetëm është fragmentarizuar e përçarë, por përfaqësohet nga një pakicë aq e vogël parlamentare, sa thua se shqiptarët janë afro 2 % e popullsisë së shtetit liliput me 700 mijë banorë.

Defaktorizimi politik dhe çkombëtarizimi e asimilimi i faktorit shqiptar në Malin e Zi janë kaq të dukshëm, sa thua se Hodo Pashë Sokoli e Jakup Ferri luftuan jo për shqiptarët e për mbrojtjen e trojeve të tyre etnike, (sikurse e derdhën gjakun lumë për Ulqinin, Tivarin, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë), por athua se luftuan për Cetinjën dhe malazezët.

Me ritmet aktuale të asimilimit dhe migrimit të shqiptarëve në këtë republikë, do të vijë një kohë që numri i tyre brenda disa dekadash do të jetë më i vogël se numri i rusëve rezidentë, që do të braktisin Rusinë për të jetuar në brigjet e ngrohta malazeze të Mesdheut.

Por nga problemet shqiptare të pazgjidhura, Çështja Çame është kryesorja dhe me peshën më të lartë specifike. Pas afro dy dekadash, përparimi për zgjidhjen e saj është jo vetëm minimal por pothuajse i padukshëm, për të mos thënë se është retrograd dhe tejet i rrezikuar.

Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i vitit 1996 midis dy vendeve, deri më sot jo vetëm nuk i ka shërbyer zgjidhjes hap pas hapi të Çështjes Çame, por i ka shërbyer Greqisë si alibi për të sfumuar problemin çam dhe për t’i përdorur marrëdhëniet shqiptaro-greke si standard ndërshtetëror që i shërben ndërkombëtarisht për prelativizimin dhe justifikimin e shantazhit grek kundër Maqedonisë, pas suprimimit të të drejtave politike të pakicave bullgaro-maqedone (mbi 500 mijë banorë), dhe atyre shqiptare e turke, pa përfshirë këtu të drejtat pasurore të hebrenjve të spastruar bashkërisht me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Madje as aneksi i këtij Traktati, që zyrtarizon ngritjen e komisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke për zgjidhjen e problemeve respektive, nuk është përfillur dhe vënë në zbatim, për kurrfarë problemi.

Sot Greqia ka shkuar kaq larg me talljen shtetërore të shtetit shqiptar, sa nga njëra anë pretendon se ka bërë shfuqizimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë të vitit 1940, ndërsa nga ana tjetër mban në fuqi dispozitat e tij për vendosjen dhe zbatimin e sekuestros konservative mbi pasuritë e shtetit shqiptar e të shtetasve shqiptarë, pa përfshirë këtu pasuritë e çamëve, të cilët ajo i quante shtetas të saj deri në momentin e deportimit masiv të tyre drejt Shqipërisë, pas masakrave genocidale të qershorit 1944 dhe janarit 1945.

Kësisoj Greqia, në vitin 2004 i dha të drejtë vetes të miratojë ligjin për çbllokimin e sekuestros konservative mbi pasuritë  e ish nënshtetasve të saj çamë, drejt ligjërimit të shitjes së tyre në favor të qytetarëve me kombësi greke.

Në këto kushte, miratimi i Rezolutës për Çamërinë në Kuvendin e Shqipërisë, propozuar së fundmi nga PDIU, rezolutë që e kushtëzon pakëz por nuk e dikton forcërisht aksionin diplomatik të Tiranës për zgjidhjen e Çështjes Çame – mbetet detyrimi minimal atdhetar në përmbushje të detyrimit madhor që vjen nga respektimi i preambulës së Kushtetutës.

Kjo tablo ku dritëhija e dështimit të misionit të faktorit shqiptar në Ballkan ravijëzohet gjithnjë e më shumë, konfirmon tërthorazi thënien e politologut Arbër Xhaferri se: “Aty ku shqiptarët luftuan për trojet dhe lirinë e tyre gjatë shekullit XX, u shpërblyen… Dhe kjo pasi e bindën botën demokratike për drejtësinë e kauzës së tyre…, duke i siguruar kombit shqiptar aleatët e natyrshëm, çka do të thotë se lirinë e merituam dhe e fituam, kryesisht, me gjakun dhe sakrificat tona”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency