Pritja me kabinetin Berisha: Shndërrimi i pasurisë në mirëqenie për qytetarët, suksesi i qeverisë

0
131

Gëzim Saliu

FRANCE-ALBANIA-SARKOZY-BERISHA“Unë jam i bindur se shqiptarët me votën e tyre do të votojnë për të ardhmen dhe do të rrëzojnë murin e bllokimit të rrugës së tyre evropiane”

 

Në një bilanc të arritjeve më kryesore në vitin 2012 që po lëmë pas, në disa sektorë të rëndësishëm, Kryeministri Berisha deklaron se Shqipëria ka dëshmuar progres të pandërprerë në të gjitha fushat, si dhe sukses në reformat e ndërmarra. Në një pritje me anëtarët e kabinetit qeveritar me rastin e festive të fundvitit, me ministra, zëvendësministra, këshilltarë dhe pjesëtarë të stafit të Kryeministrit, Berisha theksoi se një ndër sukseset kryesore të qeverisë që ai drejton për këtë vit është shndërrimi i pasurive në mirëqenie për qytetarët. Duke marrë shkas nga njënjë studim i bërë nga një grup i Bostonit lidhur me koeficientin e shndërrimit të pasurisë në mirëqenie dhe koeficientin e shndërrimit të rritjes në mirëqenie, Kryeministri deklaroi se Shqipëria renditet e 19-ta në planet lidhur me koeficentin e parë. “Ky grup analizon 51 treguesit më kryesorë të zhvillimit. Ky grup analizon këta tregues në të gjithë kohën, por kryesisht në pesë vitet e fundit. Në qoftë se Shqipëria shënon një pikavarazh prej 44.1 për qind e shtrirë në tërësinë e saj, në pesë vitet e fundit, Shqipëria ngjitet në 97.8 për qind. Ka vetëm një vend në botë që merr pikë më shumë se Shqipëria në pesë vitet e fundit dhe ky është Brazili. Grupi të gjithë treguesit i analizon në një këndvështrim, këndvështrimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i zhvillimit të qëndrueshëm. Ky jo vetëm gjen Shqipërinë një vend të orientuar tërësisht në rritjen ekonomike të qëndrueshme, por gjen Shqipërinë një nga katër vendet më të mira në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët”, – tha Kryeministri. Në këtë kontekst, kreu i ekzekutivit, duke pranuar se në Shqipëri ka qytetarë që jetojnë në varfëri dhe më pak në skamje, theksoi se angazhimi i qeverisë në vitin e ardhshëm do të jetë i fokusuar kryesisht tek shndërrimi i rritjes ekonomike dhe pasurisë në mirëqenie për qytetarët.

 

Statusi dhe zgjedhjet

Për Kryeministrin Berisha, vetëm falë reformave vendi arriti të fitonte rekomandimin për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Evropian, por, sipas tij, ishte mosvotimi i tri ligjeve nga opozita, që bllokoi procesin e integrimit të vendit në BE. Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës bëri të ditur se qeveria që ai drejton do të angazhohet tërësisht për garantimin e një procesi zgjedhor me standarde. “Statusi nuk u mor, sepse në mënyrën më të pamerituar për vendin kreu i opozitës vendos të mos votojë tri ligje në Parlamentin shqiptar dhe nuk i jep mundësi vendit për të marrë statusin. Natyrisht, kjo është një gjë shumë e rëndë, por, përsëri, demokracia është një proces për tu mësuar. Dhe ne duhet të kemi durim, duhet të kemi besim se në meritën e saj është se në mënyrë periodike i jepet mundësinë sovranit të japë verdiktin e vet. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka si qeveri për të bërë detyrat tona për një proces zgjedhor të lirë e dinjitoz për qytetarët shqiptarë. Unë jam i bindur se ata me votën e tyre do të votojnë për të ardhmen dhe do të rrëzojnë murin e bllokimit të rrugës së tyre evropiane”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Në fund të fjalës së tij, shefi i ekzekutivit u shprehu të pranishmëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë punonjësve të administratës mirënjohjen dhe vlerësimin për punën dhe mbështetjen dhënë qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të saj.

 

 Batutat, Berisha me aktorët e “2XL”: U nisa për t’ju vizituar një ditë, por ishit duke ngrënë tortë

Kryeministri Berisha ka zhvilluar dje një takim me banorët e apartamentit më të famshëm e më gazmor në Shqipëri, “Apartamentit 2XL”. “Edhe unë kisha 2 vjet që prisja t’i takoja. Madje një herë që u nisa për t’i vizituar i gjeta me dritare hapur dhe derë mbyllur, sepse po hanin tortën”, – u shpreh Berisha gjatë bisedës me ta.

 

Bode: PD shënon fitore me thellim të rezultatit në 2013-ën

Ministri i Financave, Ridvan Bode, pohon se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, Partia Demokratike do të fitojë me një rezultat më të thellë së në 2009-ën. “Sot dëshmojmë se jemi të vendosur në alternativën tonë, në modelin e taksave të ulëta. Alternativa jonë, modeli ndaj njeriut të punës, modeli që kërkon integrimin e vendit. Modeli ynë është vital dhe opozita nuk mund ta mohojë. Fitorja e PD-së në 2013 do vazhdojë të thellohet. Zhvillimi ekonomik u implikua nga kriza, u ul ritmi i saj, por ne jemi të vendosur në alternativën tonë. Modeli i taksave të ulëta është modeli që kërkon integrimin, është vital, as opozita nuk mund ta mohojë”, – tha Bode. Më tej, duke folur për situatën ekonomike, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, theksoi: “Në situatën e krizës ekonomike globale, Shqipëria shënoi rritje të saj duke u renditur ndër vendet e para në rajon. Modeli i qeverisë dhe masat e marrë në këtë sektor, rezultuan model fitues”. Ndërkohë, lidhur me modelin ekonomik që ofron si alternativë Partia Socialiste, ministri i Financave nënvizoi se opozita ka si synim kryesor bllokimin. “Përballë nesh ka një alternativë të përvarur. Bllokmenët e murit të bllokimit bllokojnë statusin, ashtu siç donin të bllokonin edhe vizat. Përdorën Qarkun e Fierit për të bllokuar”, – u shpreh Bode.

 

Gjinushi “shmang” tri ligjet: Statusi nuk u mor prej korrupsionit

Kreu i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, fajësoi dje mazhorancën qeverisëse për humbjen e tretë radhazi të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Duke shmangur diskutimin për tri ligjet e integrimit, Gjinushi theksoi se korrupsioni dhe keqqeverisja ishin dy arsyet kryesore të cilat ndëshkuan Shqipërinë në kuadër të plotësimit të aspiratës evropiane. “Shqipëria dështoi për tri vite rresht në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, për shkak të korrupsionit të lartë të qeverisë, për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve dhe keqqeverisjes”, – u shpreh kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. Në mesin e dhjetorit të këtij viti, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosi të mos i jepte statusin e kandidatit Shqipërisë, duke nënvizuar se më parë klasa politike shqiptare duhet të përmbushë tri kriteret e përcaktuara nga Brukseli si kushte për këtë proces. “Mesazhet e Këshillit për Shqipërinë shumë të qarta. Njohja e punës së madhe të bërë deri tani. Por ka një inkurajim të palëve që të mbeten të angazhuar në plotësimin e reformave. Dyert e BE-së do të jenë të hapura me qëllim që palët të vijojë me momentin e reformave, me plotësimin e kërkesave. Në këtë rast u bëj apel politikanëve të vazhdojnë dialogun dhe të mos pengojnë axhendën evropiane, duke e kthyer atë në funksion të interesave të tyre partiake”, – deklaroi Fule gjatë publikimit të konkluzioneve për Shqipërinë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency