Sekuestrohet pasuria e Deliut, e kishte në emër të bashkëjetueses

0
227

Elton Qyno

 

pasuriaTask-forca bllokon mbi 20 llogari bankare, lokale, apartamente dhe troje me vlerë 3 milionë euro

 I ekzekutuari në 2008-ën, trafik heroine në Itali. Njihej me nofkën “Kuqi”, pasuri edhe në emër të ish-shoferit personal

 

Sekuestrohet pasuria e të fortit të Yzberishtit që njihet me emrin e koduar “Kuqi”, i cili u qëllua për vdekje me disa plumba brenda në banesën e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2008 në Tiranë. Vendimi për bllokimin e pasurisë që kap një shifër prej rreth 3 milionë eurosh është marrë nga Gjykata e Tiranës, ku pikërisht në 4-vjetorin e vrasjes së Deliut dhe nënës së tij, Flutura Deliu, gjykata ka vendosur nën masën e sekuestros preventive të rreth 36 pasurive të paluajtshme mes tyre dhe dy llogarive bankare që kapin një shifër prej 650 dhe 954 mijë euro. Mes pasurive të shumta janë disa apartamente, një vilë në plazhin e Durrësit, një furgon i blinduar, disa sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si dhe disa lokale në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Dibrës dhe në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Hetimi ka treguar se të gjitha këto pasuri kanë qenë të regjistruara në emër të ish-bashkëjetueses së shtetasit Elton Deliu, shtetases A. Musaraj, të ish-shoferit të tij personal, Admirim Sako, nënës së tij, Flutura Deliu, dhe dajës A. Çaushi. Mirëpo, katër vjet pas vrasjes së 32-vjeçarit, njësia task-forcë pranë Prokurorisë së Tiranës, ka vendosur të marrë nën hetim dy shtetasit e mësipërm, duke i akuzuar ata për akuzën e “Pastrimit të produkteve penale”. Sipas Prokurorisë së Tiranës, shtetasi Deliu është marrë me aktivit kriminal, kryesisht me trafikun e heroinës në drejtim të Italisë dhe se për këtë veprimtari kriminale është dënuar me disa vite burg nga drejtësia Italiane.

Dosja e prokurorisë

Për shkak të informacioneve të ardhura nga disa banka, por edhe nga agjentët të Policisë së Shtetit, janë krijuar dyshime të arsyeshme rreth vënies së pasurisë së 32-vjeçarit Elton Deliu dhe dy shtetasve A. Musaraj dhe Admirim Sako, të cilët janë bashkëjetuesja e tij dhe shoferi personal. Nisur nga kjo situatë është vendosur regjistrimi i procedimi penal nr. 4737 i vitit 2012, regjistruar në ngarkim të familjarëve dhe rrethit shoqëror të shtetasit Elton Deliu, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i K. Penal. Me vendimin e gjykatës të datës 26 dhjetor 2012 u vendos sekuestro preventive për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, të luajtshme dhe llogarive bankare, të vendosura në emër të vetë Elton Deliut, familjarëve dhe rrethit shoqëror të tij, konkretisht rreth 36 pasuri të paluajtshme të llojit arë dhe apartament me sipërfaqe totale rreth 50.000 m2 të ndodhura në Tiranë, 5 automjete dhe 20 llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë në monedhat USD, euro dhe lekë. Pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, si dhe vlerat monetare të depozituara në banka, dyshohet se janë krijuar mbi bazën e të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal i shtetasit Elton Deliu, pra, produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të kryer nga shtetasi Elton Deliu. Kjo duke pasur parasysh aktivitetin kriminal të këtij shtetasi, shumat e mëdha të investuara për blerje të pasurive të paluajtshme e të luajtshme apo në biznese të mundshme, shumat e mëdha të depozituara në banka dhe transaksionet e kryera me ato, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike sepse nuk identifikohen burime të ligjshme të ardhurash për të siguruar këto pasuri, transaksionet e kryera me pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare, si dhe të gjitha këto veprime pasurore rezultojnë se janë kryer afërsisht në të njëjtën periudhë kohore midis tyre dhe aktivitetin kriminal, për të cilin dyshohet shtetasi Elton Deliu.

Zbulimi i pasurive

Ka mjaftuar një hetim disamujor që prokurori i çështjes, Julian Zonja, të mundë të identifikojë pasuritë në emër të të ndjerit Deliu dhe familjarëve të tij. Një sërë shkresash të dërguara në banka, në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme, në QKR etj. kanë nxjerrë informacione se në emër të Elton Deliut, nënës së tij, Flutura Deliu, dhe dy kushërinjve Admirim Sako dhe A. Musaraj, ishin të regjistruara një sërë pasurish. Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion lidhur me burimin e të ardhurave të këtyre personave, por, në fakt, një gjë e tillë nuk është dhënë. Pas kësaj, prokuroria ka marrë në pyetje dy personat, A. Musaraj dhe Admirim Sako, duke u kërkuar të ardhurat mujore dhe vjetore të tyre, por ata s’kanë qenë në gjendje të bindin prokurorët se këto pasuri rridhnin si pasojë e një aktiviteti kriminal. Menjëherë pas kësaj, prokuroria i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, duke vendosur sekuestrimin e pasurisë së Elton Deliut, nënës së tij dhe dy miqve të familjes.

 

 

11 plumba

Elton Deliu është ekzekutuar pikërisht në 27 dhjetor të 2008-ës, kur një person ende i paidentifikuar ka ngjitur shkallët e pallatit ku banonte Deliu dhe ka trokitur në derën e tij. Megjithëse dera ka qenë e pajisur me kamera sigurie, nuk është arritur të sigurohet asnjë pamje filmike gjatë hetimit. Personi që ka trokitur në derë, ka qëlluar fillimisht Elton Deliun me 11 plumba dhe më pas me një plumb të vetëm ka vrarë edhe nënën e tij, Flutura Deliu, të cilën e ka qëlluar në kokë. Pas kësaj autori është larguar me shpejtësi, ndërkohë që deri më sot nuk është bërë e mundur kapja e tij.

 

 

Pasuritë e Elton Deliut

 

  1. 10.000 m2 sipërfaqe toke në Tiranë
  2. 3 lokale në Tiranë (2 në rr. “Myslym Shyri” 1 në Rrugën e Dibrës)
  3. 3 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës
  4. 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar

 

Pasuritë e të ëmës

 

  1. 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës
  2. Llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD

 

Pasuritë e ish-bashkëjetueses

  1. 2 automjete
  2. 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit Admirim Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitje shtetases A. Musaraj.
  3. Aktivitet privat person fizik (lokal)

 

Pasuria e ish-shoferit

  1. 3 automjete
  2. 1 apartament
  3. 2400 m2 sipërfaqe toke
  4. Aktivitet privat person fizik

 

Pasuria e dajës

Dhjetëra pasuri bankare

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency