Meta: E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të jetë peng i asnjë partie

0
163

Gëzim Saliu

 

ilir metaKreu i LSI-së: Paragjykimet se 1 milion shqiptarë do të thyenin vizat ranë

Meta: Në 23 qershor shqiptarët do të votojnë ata që punojnë për integrimin

Integrimi evropian mbetet prioriteti parësor për Shqipërinë dhe si i tillë ai nuk mund të mbahet peng nga asnjë forcë politike. Kështu ka deklaruar dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke nënvizuar se klasa politike duhet të lë mënjanë konfliktet elektorale dhe të bashkëpunojë në kuadër të interesave kombëtare. “Ne mendojmë se interesat e vendit janë më të rëndësishme se interesat e çdo force politike, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në të këtë drejtim sepse e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të jetë peng i asnjë politike, i asnjë partie e madje i gjithë partive së bashku përderisa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është aspirata e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë pavarësisht nga preferencat partiake”, – u shpreh Meta në takimin e zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën e Ndërmenasit në Qarkun e Fierit.

 

Zgjedhjet

Sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, shqiptarët do të japin votën për ato forca politike që duan dhe kanë dhënë kontributin e tyre për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “U bëj apel të gjithë forcave politike që të lënë mënjanë taktikat e tyre destruktive dhe të përpiqen për një klimë sa më konstruktive për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në mënyrë që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë një model i shkëlqyer i demokracisë dhe i qytetërimit evropian i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Le të jenë qytetarët e thjeshtë të të gjithë Shqipërisë ata që votë të lirë të përcaktojnë rrugën që duhet të ndjekin të gjithë shqiptarët në 4 vitet e ardhshme. Dita e 23 qershorit duhet të jetë modeli i qytetërimit evropian për shqiptarët. Jam i bindur që shqiptarët do të votojnë forcat politike që duan integrimin evropian” – tha Meta.

 

Vizat

Duke nënvizuar se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributet por edhe përgjegjësitë e çdo force politike përgjatë gjithë këtyre viteve në raport me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, kryetari i LSI-së theksoi se është për të ardhur keq që konfliktualiteti politik po e ndëshkon vendin në raport me marrjen e statusit të vendit kandidat prej gati tre vitesh. Në këtë kontekst, Meta theksoi se qytetarët shqiptarë e treguan më së miri gatishmërinë e tyre për të respektuar detyrimet e BE-së me liberalizimin e vizave. “Qytetarët tanë kanë një vetëdije evropiane shumë më të lartë se sa një pjesë e mirë e lidershipit politik. Nuk ishin të pakët ata të cilët paragjykonin se 1 milion shqiptarë do të qëndronin në vendet e Bashkimit Evropian si azilantë kur të hiqeshin vizat për arsye të problemeve ekonomike që kanë në vendin e tyre. Megjithatë fakti është se në raport me të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, siç e tregojnë edhe vetë raportet e Komisionit Evropian, qytetarët shqiptarë janë shembulli më i mirë i respektimit të detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency