Rini e rritur në vetmi

0
166

Amik Kasoruho

 

riniFragment nga libri i shkrimtarit Amik Kasoruho “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, përballë një mendim analitik, sa biografik i Shqipërisë politike, nga vitet 1941 deri në vitin 1990, ku një pjesë e tij sjell dëshmi nga rinia shqiptare në vitet e komunizmit. Libri, pjesa e parë e tij, u botua së pari në vitin 1994 në Itali, ndërsa në vitin 2000 botohet po në Itali “Il prezzo di un sogno”, si pjesë e dytë e librit “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”. Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, një kronikë historike e 50 viteve diktaturë

 

 

Historia e sundimit komunist është e mbushur me shembuj të pafund të mbytjes me dhunë të çdo lloj ngurrimi, të çdo mëdyshjeje dhe të çdo kufizimi për të vënë në jetë orientimet e udhëheqjes së shtetit dhe të partisë. Ky qëndrim përshkohet si pe i kuq gjatë gjithë pesëdhjetë vjetëve që zgjati diktatura. Regjimi i inkuizicionit që i preu kokën asaj pjese të shoqërisë që nuk ishte rreshtuar në pozicionet e partisë 71, mbasi në përgjithësi ia mbërriti qëllimit të vet, nisi të kërcënonte dhe të përndiqte themeluesit dhe krerët e vetë PPSH-së.

Ndalimi i çdo dëshmie të kulturës shqiptare që nuk përputhej me normat dhe me kufizimet që ishin imponuar nga klika e Hoxhës dhe që mund të hidhte dritë mbi të vërtetat historike të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, që tradicionalisht kanë qenë karakterizuar nga përpjekje mujshare nga ana e serbëve për të shtënë në dorë veriun e Shqipërisë, Kosovën, Hotin, Grudën. Tivarin, Ulqinin, Strugën apo që nxirrte në shesh apo qe vinte në dukje rolin e Kishës Katolike shqiptare në luftën për pavarësi dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare; ndalimi pjesës më të madhe të veprave të letërsisë shqiptare të së kaluarës; mospranimi kokëfortë për të botuar vepra të shkrimtarëve kosovarë që nderonin mbarë atdheun; harresa e thellë që mbuloi ndihmesën e dhënë për zhvillimin shoqëror dhe kulturor të shoqërisë nga organet e përkohshme kulturore të paraluftës; këmbëngulja absurde për të mos ia treguar të plotë publikut atë veprimtari kulturore dhe letrare që zhvillohej nga arbëreshët; heshtja mbi çdo lloj veprimtarie kulturorë të kryer nga të mërguarit shqiptarë në vendet e perëndimit, kryesisht në Itali, në Gjermani dhe në SHBA; ndalimi i çdo praktike fetare; lidhja e përafërt dhe krejt e pamjaftueshme me vlerat e kulturës botërore; botimi i censuruar dhe i cunguar i veprave të autorëve të huaj që, të rrëgjuar kështu, mund të përshiheshin brenda kornizës ideologjike që mbretëronte në atë kohë; ndalimi i botimit të çdo gjëje të shkruar që nuk kontrollohej më përpara nga censura: me pak fjalë nënshtrimi i mbarë jetës shpirtërore ndaj rregullave të lojës të imponuar nga PPSH-ja, mund të çonin vetëm në varfërimin intelektual, etik dhe moral të shoqërisë. “Duke u vështruar nga pozitat e klasës, jo vetëm ideologjitë e vjetra që dalin nga thellësitë e shekujve, por edhe kultura e degjeneruar borgjeze dhe revizioniste, i tërë liberalizmi dhe modernizmi i tyre, kanë një karakter konservator”, – thoshte Enver Hoxha.

Ç’mbetej pa u përfshirë në këtë qerthull? Frika nga komplotet fantazmë apo nga invadimet nga jashtë si dhe mania e tij e madhështisë e kishin bërë atë një paranoik dhe Shqipërinë një vend që kishte bjerrë çdo ndjesi orientimi të arsyeshëm.

Breznitë e reja do të rriteshin pa pasur mundësi të njihnin të kaluarën dhe njerëzit e saj të vlertë, do të jetonin të veçuara dhe të izoluara nga bota, të vëna përpara dhe të çoroditura nga një propagandë absurde, por që kishte meritën se ishte dëshpërimisht këmbëngulëse. Ato brezni do të njihnin një jetë të ndryrë brenda normave të një socializmi, të cilin dështimet e njëpasnjëshme (por ta padeklaruara asnjë herë) e bënin të ndryhej gjithmonë e më shumë në vetvete dhe të shkëputej nga pjesa tjetër e njerëzimit. Rezultati moral dhe kulturor i një shoqërie të ndërtuar kësisoj do të ishte se s’bën i cungët.

Kushtet e vështira dhe të pasigurta të jetës i detyronin prindërit të mos i kushtonin kohën e nevojshme formimit te fëmijëve të tyre. Dhe, çka është edhe më keq, nuk ishin në gjendje t’u interpretonin atyre historinë dhe aktualitetin, për pa qenë interpretimet e vetë regjimit. Fëmijët rriteshin në një mjedis oportunist edhe pse të pavullnetshëm, mes një realiteti që një pjesë prindërish nuk e miratonte, por për të cilin nuk guxonte të shfaqte mendim dhe që pjesa tjetër e pranonte, sepse nuk ishte në gjendje të zgjidhte një model tjetër.

Breznitë e reja rriteshin duke nxjerrë përfundime pa ndihmën e më të pjekurve, qoftë edhe duke gabuar. Madje shpesh herë duke gabuar. Një prind që i fliste fëmijës së tij me fjali stereotipe, që huazoheshin nga gjuha e gazetave, rrezikonte të gjykohej frikacak; një prind që shkonte në mbledhjen e banorëve të lagjes apo në atë të qendrës së punës dhe i thurte hosana veprës së partisë (kur të bijtë e dinin mirë se mendonte të kundërtën) me gjasë mund të konsiderohej një hipokrit dhe nuk do të pranohej si model i padiskutueshëm. Të rinjtë nuk do të mund të kuptonin dhe aq më pak të çmonin prindin e tyre kur ky i fundit do të guxonte të shprehej kundër qeverisë apo thjesht ta kritikonte në një rreth të ngushtë miqsh të afërt dhe brenda mureve të shtëpisë së tij: ndoshta ai prind mund edhe të mëshirohej, por në asnjë mënyrë nuk do të merrej si shembull nga të rinjtë që, për moshë e për natyrë, janë e kundërta e të përmbajturit dhe kujdesit.

Kjo bjerrje e besimit ndaj njerëzve më të dashur, rrallimi i pikave të kontaktit dhe të mirëkuptimit midis breznive, kuptohet që veçse mirë do t’i bënte regjimit. Në këtë mënyre lehtësohej detyra e tij për të krijuar një shoqëri pa vlera jetike dhe që s’kishte mundësi t’u linte trashëgim breznive më të reja qëndrime, njohuri, mendësi dhe vlera të mirënjohura, duke u vënë re kështu një farë shkëputje e vazhdimësisë së breznive. Që të shmangnin, apo të paktën t’i shkitnin përndjekjes të luftës së klasave, shpeshherë njerëzit ishin të detyruar të fshihnin apo të mohonin lidhjet e farefisnisë apo të miqësisë me viktimat e kësaj lufte. Të rinjtë në këtë mënyrë mësonin t’ fshihnin ndjenjat e tyre të vërteta. Qëllonte që nëpër gjykata të paraqiteshin gra të cilat kërkonin të divorcoheshin nga burrat e dënuar si armiq, duke shpresuar që, në këtë mënyrë, fati tyre të mos

rëndonte mbi to apo mbi fëmijët e tyre: ishte krejt e natyrshme që të rinjtë të arrinin në përfundimin se mashtrimi dhe oportunizmi justifikoheshin në disa raste.

Rrogat ishin shumë të ulëta. Por, nga ana tjetër, në treg mungonin shumë gjëra që njerëzit kishin filluar t’i siguronin nga qendrat e tyre të punës: një kokme bojë vaji, një grusht gozhdësh, një copë qyngj. Të rinjtë rriteshin duke parë se vjedhja, edhe pse e gjërave të vogla, pranohej në disa raste. Ky fenomen vihej re më shumë në fshat: fshatarët që, në kooperativat bujqësore ishin të detyruar të jetonin thuajse në një varfëri të frikshme, për t’u bërë hall nevojave të jetës së tyre të përditshme, vinin dorë rregullisht mbi pasurinë e kooperativës.

Nuk kishte punë. Problemi i shtëpisë, pas atij të bukës së përditshme, po bëhej një ankth i vërtetë. E drejta për studimet universitare kushtëzohej nga “biografia”, domethënë nga qëndrimi politik dhe nga prejardhja shoqërore e të rinjve dhe familjeve të tyre. Por ata që nuk kishin një notë mesatare të mjaftueshme për t’u regjistruar në universitet – edhe pse mund të ishin “të pastër” politikisht – kujtoheshin se mund t’i dilnin anash pengesës duke paguar ryshfet. Institucioni i mikut me influencë mund të mbulonte edhe fajet (me përjashtim të atyre politike). Pra, për një të ri, çelësi për të hapur dyert e jetës nuk ishte e drejta, por pushteti.

Funksionarët e shtetit dilnin jashtë dhe ktheheshin duarplot me mallra të blera një zot e di si. Familjet e nomenklaturës jetonin nëpër vila që nuk ishin pronë e tyre, duke paguar qira qesharake, vila që ishin mobiluar me orendi që s’i kishin blerë vetë; dilnin jashtë shtetit pa asnjë kufizim, qoftë edhe për të shëtitur për qejf, gjithmonë me shpenzimet e shtetit. Nepotizmi ishte në themelet e administratës shtetërore apo partiake. Mjaftonte që dikush të kishte teserën e partisë dhe do t’i hapeshin të gjitha portat. E drejta për të mëtuar (dhe për të përfituar) punë të rehatshme dhe të paguara mirë, ishte një privilegj i tyre. Mjaftonte që njeriu të fliste me të folmen e partisë që të siguronte se s’bën një auditor të bindur, të vëmendshëm dhe miratues.

Falsiteti, frika, konformizmi, padrejtësia ishin bërë fenomene të jetës së përditshme. Të rinjtë rriteshin në këtë atmosferë që nuk jepte dorë për një rritje moralisht korrekte dhe të shëndetshme. Prodhim i pavullnetshëm dhe i pafajshëm i një shoqërie pa vlera domethënëse, breznitë e reja do të pësonin peshën e këtyre situatave. “Ne” thoshte Enver Hoxha, “nuk do të lejojmë që në vendin tonë të futet derri e dosa!” Dhe njeriu mund të mendojë se brenda rrethakut socialist mund të jetonin vetëm ujqër e qengja. Breznitë e të rinjve nuk do të mund të gjenin pika të tjera referimi veç atyre të përvojës gjysmëshekullore të partisë.

Socializmi shqiptar çoi në shtrembërimin e konceptit të punës. Një shprehje e goditur e kohës na flet shumë qartë për psikologjinë e njeriut të ri të formuar nga PPSH-ja dhe për marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarit. “Shteti bën gjoja se na paguan dhe ne bëjmë gjoja sikur punojmë“.

Socializmi shqiptar kishte një themel tepër të paqëndrueshëm. Thuajse çdo lloj zbavitjeje ishte përjashtuar nga jeta e të rinjve. Përveç disa mbrëmjeve vallëzimi që organizoheshin nëpër ndërmarrje apo nëpër shkolla dy apo tri herë në vit, nën mbikëqyrjen syçelët të anëtarëve të partisë dhe ku çdo vallëzim “modern” konsiderohej si një gjest “borgjez” që përbaltte moralin komunist, të rinjtë nuk kishin ku të vallëzonin. Çdo lloj muzike ritmike ishte një element i huaj për jetën socialiste. Të visheshe me shije, të vije çdo ditë një kravatë apo të mbaje një kapele në kokë (që të ishte ndryshe nga kësula proletare), ishin shenja të dukshme dhe elokuente borgjezimi.

Dy brezni shqiptarësh kishin jetuar tërë jetën brenda kufijve të shtetit; shpesh herë ëndrra e një të riu shqiptar reduktohej në një aparat radio-magnetofon. Muzika që transmetohej nga radio apo nga TV ishte kryesisht popullore-folkloristike apo muzika stereotipe që himnizonte partinë dhe “jetën e re”. Filmat e prodhuar në Tiranë (me përjashtime shumë të rralla) ishin plot lëvdata dhe moralizues. Kur qëllonte të botohej ndonjë libër me vlerë, zhdukej nga libraritë sa të hapje e të mbyllje sytë: zakonisht raftet e tyre qëndronin gjithmonë plot me vepra shkrimtarësh amerikano-latinë apo afro-aziatikë krejt të panjohur dhe, patjetër, me “veprat” e Hoxhës.

Niveli kulturor i të rinjve kushtëzohej nga një shkollë e mangët dhe e njëanshme si dhe nga mungesa e plotë e qarkullimit të ideve dhe të informatave. Letërsia mësohej me zbrazëti të pabesueshme. E vetmja gjuhë e huaj e lejuar (deri në vitet ’80) kishte qene rusishtja. Mësimi i gjuhëve të tjera jashtë shkollës dëftente një prirje të dukshme për të pasur lidhje me pjesën tjetër të botës, Shteti përpiqej me të gjitha fuqitë e tij që të mos depërtonte asnjë informatë mbi zhvillimin e mendimit shqiptar para vitit 1944, apo të atij që ishte zhvilluar jashtë vendit pas 1944-ës. Askush nuk u njoftua për ç’po bënin jashtë për kulturën shqiptare një Ernest Koliqi, një Martin Camaj, një Arshi Pipa, një Ibrahim Kodra, një Anton Logoreci, një Namik Resuli dhe shumë e shumë të tjerë. Askush në Shqipëri nuk pat mundësi të shihte ndonjë numër të revistës “Shejzat” që botonte Koliqi në Romë, të revistave të ndryshme që botonin arbëreshët në Itali apo të çfarëdolloj organi shtypi që shihte dritën, për shembull, në SHBA.

E vërteta, për shqiptarët, duhej të ishte ajo që dilte nga goja e partisë. Në përfytyrimin e PPSH-së shqiptarët duhej t’i ngjasonin tre majmunëve me sy të lidhur, me gojë të mbyllur dhe me veshë të zënë.

Në një shoqëri kaq të kufizuar nuk mund të rritej një brezni rinie e zhvilluar nga pikëpamja kulturore dhe e përparuar nga pikëpamja shoqërore. Ndoshta midis sa e sa krimeve të kryera në truallin shqiptar, gjatë gjysmë shekulli të zotërimit komunist, ai i krijimit të të ashtuquajturit “njeriut të ri”, të cungët n në vlerat e tij themelore, i frenuar në dëshirat e tij më të natyrshme dhe të pafaj, i penguar në prirjet më të përnjëherta dhe spontane, ishte krimi më i pafalshëm. Nëse u deshën 50 vjet për të shkatërruar shoqërinë shqiptare, ndoshta nuk do të duhen shumë më pak

për ta rindërtuar: shumë, madje tepër vlera janë goditur me egërsi dhe nuk mund të krijohen përsëri nga sot-nesër. Martirët do të nderohen, të përndjekurit do të gjejnë vendin e tyre në shoqëri dhe, me forcat që u kanë mbetur, do të përveshin mëngët për të mirën e kombit, por për ata që qenë droguar nga ideologjia 50 vjet rresht, a thua ka për të qenë e lehtë të dëliren, të gjejnë dëshirën dhe vullnetin të fitojnë përsëri ato vlera njerëzore që diktatori Enver Hoxha dhe socializmi i tij, i asgjësuan në emër të një utopie çmendurake që degjeneroi në një diktaturë të përgjakshme? Thua ka për të qenë pa dhimbje kalimi në shoqërinë e punës nga një shoqëri që siguronte një minimum asistencializmi të paguar aq shtrenjtë?

Ky rrafshim vlerash nuk u arrit përnjëherësh dhe vetëm në një vit. Ai qe rezultati logjik dhe i pashmangshëm i asgjësimit të vetë thelbit të njeriut.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency