Kushtëzimi vazhdon në 2013-ën, Rama: Për sa kohë nuk marrim Fierin, nuk votojmë ligjet

0
203

Gëzim Saliu

ramaKoalicionet, kryesocialisti: Ka vetëm dy fronte, nuk ka rrugë të mesme

Rama: Nuk do të njohim privatizimin e 4 hidrocentraleve

 

Kushtëzimi i tri ligjeve të Brukselit me çështjen e Fierit do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2013. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, rikonfirmoi dje qëndrimin e opozitës në vitin në vazhdim, duke theksuar se për sa kohë nuk do të zhbllokohet vendimi për Këshillin e Qarkut Fier, socialistët nuk do të votojnë tri ligjet e përcaktuara nga Komisioni Evropian si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat. “PS nuk e ka harruar Fierin. Kjo çështje është e rendit ligjor, për sa kohë që qeveria do refuzojë të zbatojë një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, sigurisht që ne nuk do t’i votojmë 2 ligjet, tjetra është reformë parlamentare, në rast se pala tjetër bie dakord me çfarë ka thënë ekspertiza. Në qoftë se opozita e nesërme do ketë arsyen që kemi ne sot për të mosvotuar këto dy ligje, ne na shkelet e drejta e ushtrimit të një mandati, atëherë le të bëjë të njëjtën gjë. Integrimi evropian nuk është një farsë ligjesh, duhet të zbatojmë një vendim të gjykatës. Në rast se do isha kryeministër, nuk do ta kisha mbajtur peng opozitën. Pas 23 qershorit do shikoni një marrëdhënie krejtësisht ndryshe të qeverisë dhe opozitës. Do kisha bërë gjithçka që opozita të ndjehej mirë, në rastin e një çështje si kjo për integrimin, nuk do ta kisha çuar dëm me mbajtjen peng të Fierit. Berisha e mban peng prej 1 viti e gjysmë dhe shkel mbi vendimin e Gjykatës së Lartë”, – tha Rama në një bashkëbisedim përmbyllës me gazetarët për vitin 2012.

 

Koalicionet

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, kreu socialist u ndal edhe tek koalicionet në zgjedhjet e ardhshme, ku sipas Ramës, çdo forcë politike opozitare duhet të mendojë për rotacionin politik, ndërsa Partia Socialiste është e hapur për bashkëpunim me çdo forcë opozitare. “Koalicioni është si një tango dhe tangoja luhet me dy vetë. Por ne nuk jemi në një situatë normale. Kemi në njërën anë një qeveri që është kthyer në regjim dhe një opozitë që do çlirimin e popullit nga keqqeverisja, prandaj ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me çdo forcë opozitare, apo që pranon të jetë e tillë”, – tha kryesocialisti.

 

Privatizimet

Lidhur me procesin e privatizimeve në vend, kreu i selisë rozë bëri të ditur se nëse PS do të vijë në pushtet, do të rishikojë procesin. Duke folur për 4 HEC-et: Bistrica 1, Bistrica 2, Ulza dhe Shkopeti, për të cilat priten oferta për dhënien me koncesion, Rama ka deklaruar se PS nuk do ta njohë këtë privatizim. “Ne nuk do të njohim privatizimin e këtyre 4 hidrocentraleve, u them ofertuesve, mos shkoni më tutje në këtë proces. Nuk do lejojmë që këto pasuri të shqiptarëve të grabiten për shkak të keqqeverisjes, e cila nuk mund të mbajë më shtetin në këmbë”, – tha Rama. Nga ana tjetër, duke folur për situatën ekonomike, lideri i opozitës pohoi se ajo paraqet rënie të vazhdueshme në sektorët kryesorë. “Sot ekonomia reale paraqet rënie të vazhdueshme në sektorët kryesorë. Sot është koha për një kapitull të ri, duke rindërtuar modelin ekonomik”, – tha Rama. Më tej në fjalën e tij, kryesocialisti pohoi se opozita vijon t’i qëndrojë bindjes se numri i të papunëve në Shqipëri arrin deri në 1 milion. Në këtë kontekst, Rama ripërsëriti premtimin e bërë që në kongresin e nëntorit të vitit 2011, ku sipas të cilit, programi “Rilindja Shqiptare” parashikon hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune. “Sot ne kemi deficite skandaloze në sigurimin e ushqimeve për popullsinë. Kemi deficite skandaloze për sigurimin e energjisë elektrike, edhe pse vendi ynë është i pasur me burime ujore. Sfida jonë për një rilindje shqiptare është ngushtimi i këtyre deficiteve. Nga ngushtimi i këtyre deficiteve vjen edhe rritja e mirëqenies. Ne kemi një synim ambicioz për të krijuar mundësinë e 300 mijë vendeve të punës, duke u fokusuar në industrinë prodhuese, në zhvillimin rural dhe në shërbime”, – përfundoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 

Reagon METE: Privatizimet në bazë të ligjeve, Rama shantazh investitorëve

Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës reagoi dje ndaj akuzave të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama lidhur me procesin e privatizimeve në vend. “Z. Rama duhet të dijë se menaxhimi dhe privatizimi i disa aseteve publike në sektorët strategjik, siç janë energjetika dhe hidrokarburet, shumë prej të cilave të filluara nga qeverisja socialiste, janë bërë në bazë të ligjeve të këtij vendi dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Fakt është që privatizimet e Albpetrolit dhe 4 HEC-ve Bistrica 1 dhe 2, Ulza dhe Shkopeti janë bërë në transparencë maksimale dhe përpara kamerave e publikut”, – u shpreh METE, duke sqaruar më tej se privatizimet janë në fazën përmbyllëse. Sipas ministrisë thirrjet e kryesocialistit për anulimin e proceseve të privatizimit janë presion i drejtpërdrejtë ndaj klimës së biznesit dhe shantazh ndaj investitorëve të huaj. “Ndërkohë që çdo parti politike e ka detyrim të jetë konstruktive ndaj biznesit dhe investitorëve për të kontribuar në një klimë sa më të favorshme dhe të sigurt të aktivitetit të tyre. METE do të vazhdojë të jetë krejtësisht e hapur dhe transparente në veprimtarinë e saj për menaxhimin e sektorëve të ekonomisë si dhe në privatizimin e aseteve publike me qëllim që të kontribuohet sa më shumë për rritjen ekonomike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare”, – pohoi METE në reagimin e saj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency