Eksperti rikonfirmon: Ziver Veizi u vra me plumb rikoshet

0
139

Sonja Caka

seanceGani Jahelezi lexon gjashtë faqet e ekspertizës, më 28 dhjetor do të pyetet nga avokatët dhe prokurorët

 

Protestuesi Ziver Veizi u vra me plumb rikoshet. Para se të përfundonte predha në trupin e tij, më parë kishte goditur në një pemë dhe më pas ka devijuar duke vrarë viktimën. Ky rikonfirmim i kësaj teze ka ardhur nga eksperti Gani Jahelezi, i cili doli në të njëjtin përfundim me ekspertin e mëparshëm, Ndoc Çardaku. Ekspertiza u lexua dje para gjykatës, pas kërkesës së trupit gjykues që të jepej një përgjigje nëse nga momenti i daljes së predhës nga arma dhe deri në vrasjen e Ziver Veizit, nëse ka prekur plumbi diçka tjetër dhe nëse po, a mund të merrte me vete copëza të drunjta. Në ekspertizën e tij, Jahelezi bën me dije se “me vendim të datës 20.12.2012 të z. Besnik Hoxha, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, na janë dërguar për ekspertim balistik: – një predhë metalike, gjetur në trupin e kufomës së shtetasit Ziver Veizi dhe dy copa të drunjta të gjetura në rrobat e tij”.

Çfarë kërkohej nga ekspertimi

Nga ekspertimi, ekspertëve u kërkohej: 1. Duke u bazuar tek provat materiale që predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi, e cila ndodhet në një qese plastike të mbyllur me mbishkrimin Policia Shtetit, Shqipëri, qese provash me nr. ll0726012PF dhe copëzat e drurit që janë gjetur në rrobat e të ndjerit, me përmasa të përcaktuara në procesverbalin e këqyrjes të tij nga eksperti Ndoc Çardaku, të përcaktohet mundësia e shoqërimit të këtyre provave materiale me njëra-tjetrën gjatë lëvizjes së predhës.

Këqyrja dhe ekzaminimi kriminalistik

Sipas ekspertit Jahelezi, objekt ekspertimi janë predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi, si dhe dy copëzat e drurit që janë gjetur në rrobat e të ndjerit. Objektet e mësipërme iu dorëzuan ekspertëve nga vetë gjykatësi z. Besnik Hoxha. Ato u ekzaminuan në laboratorin privat të shtetasit A. Zoto, i cili ndodhet në bulevardin “B. Curri”. Provat u hapën në prezencë të dy ekspertëve dhe aty u gjendën: Dy copat e drunjta ishin të futura në një kontejner plastik transparent në formë cilindrike, e mbyllur me tapë plastike, në anën e brendshme tapa shoqërohet me një sasi pambuku. Predha ndodhet e mbyllur në një zarf letre, e cila ndodhet brenda një qese plastike, e cila ndodhet brenda një qeseje tjetër plastike e mbyllur me mbishkrimin Policia e Shtetit-Shqipëri, që mban firma dhe numrin nr. ll0726012PF. Këto ambalazhe u gjendën të rregullta, të mbyllura dhe të firmosura në mënyrë të rregullt në vendin e mbylljes. Dy copëzat e drunjta që ndodhen në kontenjerin plastik u fotografuan para dhe pas nxjerrjes së tyre. Fotografitë u bënë me aparat dixhital në distancë dhe nga afër, duke përdorur njësi matëse një vizore. Copëzat u panë në mikroskop dhe për qëllime ekzaminimi u emërtuan nga ana jonë si copëza nr. L (Cl) dhe copëza nr. 2 (C2). Copëza Cl është një masë e ngurtë, me formë të çrregullt. Në shikim mikroskopik, mikrorelievi i saj është në trajtë granulash dhe vakuolash të vogla me ngjyrë kafe deri në të zezë. Vakuolat të mbivendosura me njëra-tjetrën sa të japin përshtypjen e ndërtimit disa shtresor. E tërë struktura e kësaj copëze është e shkriftë (amorfe). Copëza C2 është një masë e ngurtë, në formë paralelepipedi, me ngjyrë bezhë. Në shikim mikroskopik, mikrorelievi i saj është në trajtë fibrash gjatësore në tërë copëzën. Në njërën anë të kësaj copëze, në mesin e mikrorelievit të saj ka depozitime të vogla në trajtë granulash dhe vakuolash që nga forma, ngjyra, janë mikroskopikisht korresponduese me ndërtimin e copëzës Cl. Në anën tjetër të copëzës C2, nuk ka depozitime të tilla, por mikrorelievi i saj ruan strukturë homogjene. Këto copëza u fotografuan të zmadhuara në të gjitha drejtimet. Me këto copëza objekt-ekspertimi, u tentua të peshohen në një peshore elektronike farmaceutike por nuk u arrit, pasi pesha e tyre është shumë e vogël (nënfish i gramit).

Ekspertimi i predhës

Predha objekt ekspertimi, sipas ekspertit Jahelezi, u këqyr me sy të lirë, asaj ju bënë fotografitë nga larg, brenda qeses, pasi u nxor nga qesja dhe fotografitë metrike. “Duke u nisur nga forma, përmasat e saj, themi se predha ju përket fishekëve që janë municion i fabrikuar për armët e vjaskuar të kalibrit 9 mm. Gjate këqyrjes së mëtejshme me sy të lirë dhe mikroskop, u pa që predha është metalike me ngjyrë bakri, e përbërë nga dy shtresa, këmisha dhe bërthama. Këmisha në pjesën fundore të saj ka 6 shenjat e vjaskave të armës”, – u shpreh eksperti për trupin gjykues, duke shtuar se “kjo gjë tregon se predha gjatë lëvizjes në tytën e armës që e ka nxjerrë atë, ka qenë e rregullt, simetrike dhe e pa deformuar. Shenjat e vjaskave kane reliev, me të ngritura në formë kreshtash dhe në formë brazdash. Ky reliev në kontakt me objekte të tjera bën të mundur të marrin material nga objekti që goditet nëse objekti është më i butë se përbërja e këtyre kreshtave, ose të lënë materialin e kreshtave në objektin e goditur nëse objekti është më i fortë se këto kreshta. Gjate këqyrjes me mikroskop në vjaskat e kësaj predhe dhe në pjesën fundore të saj, shihen lehtësisht njolla me ngjyrë të kuqërreme. Predha në 1/3 e saj, në njërën anë dhe pikërisht mbi një shenjë vjaske, është e deformuar me shtypje nga maja në fundin e predhës. Kjo tregohet pasi kreshtat e vjaskes brenda deformimit vijnë duke u limuar në formë gjuhëze nga maja në fundin e predhës. Duke u nisur nga kjo, themi se predha ka goditur një objekt jo më të fortë se vet materiali i këmishës së predhës. Në rastin tonë, nëse predha ka goditur një objekt të drunjtë, shenjat e vjaskave me relievin e tyre bëjnë të mundur shkëputjen e copëzave nga objekti i drunjtë, këto copëza mund të mbarten nga relievi i vjaskave ose mund të shoqërojnë predhën në lëvizjen e saj.

Përgjigja e pyetjes së dërguar nga gjykata

Për t’u përgjigjur pyetjes së ushtruar më sipër: – Të përcaktohet mundësia e shoqërimit të këtyre provave materiale me njëra-tjetrën gjatë lëvizjes së predhës. Ne mbështetemi në ligjin e ruajtjes së energjisë i cili thotë: “Në një sistem trupash gjatë veprimit të tyre, energjia mund të shndërrohet nga një lloj në një tjetër por ajo ruhet: Sistemi i trupave në rastin tonë janë: Predha, dy copat e drunjta, objekti nga ku janë shkoqur të dy copëzat objekt ekspertimi dhe mjedisi ku lëvizin këto copëza, që në rastin tonë është ajri me gjithë përbërësit e tij. Duke e zbatuar ligjin e shndërrimit dhe të ruajtjes së energjisë kemi: Epo=Epi+Ei +Eh. Epo është energjia fillestare e plumbit, që në rastin tonë duke u nisur nga cilësitë luftarake të armëve automatik mod PM5 e kemi- Epo=570 kg/m (marrë nga manuali Njohuritë Teknike për Armët e Policisë – Tiranë 1995, faqja 189). Epi është energjia e plumbit pas goditjes me objektin e ngurtë nga ku janë shkoqur dy copëzat. Ei është energjia e dy copave dhe të gjitha copave të tjerave të goditura nga predha. Eh është energjia e humbur që në këtë rast janë fërkimet me rrymat e ajrit që shndërrohen në energji termike. Për t’iu përgjigjur pyetjes: – Lëvizja e copëzave a është në një trajektore me flurudhën e predhës? Fillimisht shpjegojmë lëvizjet e predhës: Predha shkëputet nga gryka e zjarrit duke pasur një shpejtësi të dhënë që quhet shpejtësi fillestare (shënohet me Vo) dhe në rastin tonë ajo është Vo = 375m/s. (marrë nga manuali Njohuritë Teknike për Armët e Policisë – Tirane 1995, faqja 189) Vektori i kësaj shpejtësie formon me rrafshin horizontal një kënd të caktuar që quhet këndi i hedhjes (drejtimi thep – shjeges – objektiv i jep tytës së armës formën një këndi me rrafshin horizontal ku ndodhet objektivi). Pas daljes së predhës nga gryka e zjarrit, ajo fillon të lëvizë sipas një trajektore në formë parabole që quhet flurudhe. Pra flurudha është vendi gjeometrik i pikave të hapësirës ku kalon qendra e masës së predhës. (marrë nga manuali Qitja e Artilerisë Tokësore Liberi i Parë – Tiranë 1986, faqja 16).

Konkluzioni

Duke u nisur nga ligjet e fizikës, dinamikës, aerodinamikës, siç u shpjegua dhe më lart, predha objekt ekspertimi, duke e goditur trungun e ngurtë nga ku mund të jenë shkëputur dy copëzat objekt ekspertimi, i jep energji këtyre copave duke bërë të mundur që dy copëzat objekt ekspertimi të lëvizin me predhën ose pas saj në të njëjtën flurudhe.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency