Aktualitete

0
213

policiaShkodër, RENEA nxjerr trupat

Gjenden të mbytur brenda në makinë

dy kushërinjtë, ranë në lumin Drin

Gjenden pas disa orë kërkimesh në lumin Drin trupat e dy kushërinjve nga Shkodra, 20 dhe 22 vjeç, të cilët dy ditë më parë si pasojë e një aksidenti automobilistik u rrëzuan në rrjedhën e lumit Drin. Kanë qenë polumbarët e repartit RENEA ata që kanë mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë të Alfons dhe Paskulin Kolndrekajt. Dy kushërinjtë ranë në lumë mbrëmjen e 25 dhjetorit me automjetin e tyre, tek Kthesa e Beltojës në Bërdicë të Shkodrës. Forcat e policisë, të ndihmuara edhe nga polumbarët e ardhur nga Komani me mjete më të sofistikuara për kërkimin në thellësi, kanë gjetur fillimisht targën e makinës. Më pas është gjetur edhe automjeti me trupat e dy të rinjve brenda saj, jo shumë larg vendit ku ishin shenjat e daljes së makinës nga rruga. Kërkimet filluan pas denoncimit në polici nga familjarët e dy të rinjve, të cilët nuk ishin kthyer në banesat e tyre. Që në orët e mëngjesit, forcat e policisë, trupat RENEA dhe polumbarët nga Komani nisën të kontrollonin ujërat e lumit. Operacioni i tyre u vështirësua shumë për shkak të temperaturës së ulët të ujit dhe rrjedhës së rrëmbyer të lumit. Kërkimet u përqendruan në Kthesën e Beltojës, pasi aty ishin edhe shenjat e frenimit në rrugë, prapakolpi i makinës që është ngjyrë blu, ashtu si ajo me të cilën udhëtonin të rinjtë si edhe trafikndarësja e dëmtuar. Pas disa orë kërkimi, RENEA ka mundur të gjejë trupat e dy personave të mbytur brenda automjetit, ku si pasojë e mbushjes me ujë dhe goditjeve gjatë aksidentit dy të rinjtë kanë gjetur vdekjen.

 

Sindikata e Policisë padit dy institucione për shpërblimet e policëve

Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka paditur në Gjykatën e Tiranës Drejtorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Brendshme, duke u kërkuar këtyre dy institucioneve që të kryejnë pagesat dhe dietat ushqimore për efektivët e policisë. Padia është regjistruar ditën e djeshme në sekretarinë e gjykatës dhe se ajo tashmë mban nr. 20780. Mësohet se në objekt-padi, krerët e sindikatës kërkojnë detyrimin e palës së paditur të zbatojë vendimin nr. 494, datë 1 gusht 2007, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të punonjësve të policisë së shtetit të studentëve dhe kursantëve në shkollat të policisë dhe të shtetasve të ndaluar deri në sqarimin e pozitës së tyre të këshillit të ministrave nga data 1 gusht 2007 e në vazhdim. Detyrimin e palës së paditur të zbatojë urdhrin nr. 432, datë 10 mars 2008 Për trajtimin e ushqimit pa pagesë të punonjësve të policisë së shtetit të studentëve dhe kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar deri në sqarimin e pozitës së tyre të ministrisë së brendshme nga data 10 mars 2008 e në vazhdim. Pritet që tashmë kjo padi të gjykohet nga gjyqtari Artur Gaxhi, ndërkohë që në këtë përballje ligjore sindikata e policisë do të ketë përballë, përfaqësuesit e policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Kjo nuk është hera e parë që sindikata i drejtohet gjykatës për të kërkuar të drejtat e efektivave të policisë, pasi edhe në raste të tjera sindikata ka paditur dy institucionet e mësipërme për disa problematika.

 

Lushnjë, policia shkon të shuajë zjarrin, gjen drogë në makinë

Një automjet tip “BMW X5” është djegur bashkë me drogën që kishte në të. Policia e Lushnjës e gjeti mjetin në aksin nacional Lushnjë – Rrogozhinë, pranë fshatit Golem. Nuk dihet ende se kujt i përket automjeti, por targat e gjetura janë të vjedhura dhe i përkasin një mjeti tjetër tip “Land Rover” nga Patosi i Fierit. Gjatë shuarjes së zjarrit të automjetit policia ka gjetur të djegura pesë pako lëndë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa. Dyshohet se fillimisht autorët kanë djegur sasinë e drogës e më pas i kanë vënë flakën mjetit. Policia po heton për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që si fillim po kërkon drejtuesin e mjetit. Nga verifikimet e kryera nuk është gjendur asnjë mjet identifikimi brenda në makinë, pasi zjarri ka djegur thuajse plotësisht pjesën e kroskotit të makinës. Kaq ka mjaftuar që autorët të humbin gjurmët, duke u larguar në këmbë në drejtim të paditur. Dyshimet flasin se autorët kanë menduar se mund të ndiqen nga policia dhe për pasojë gjatë ecjes së tyre ata i kanë vënë zjarrin makinës, për të zhdukur çdo gjurmë. Pas këtij veprimi personat ende të paidentifikuar kanë braktisur mjetin duke u larguar në drejtim të paditur.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency