Thaçi refuzon ofertën e Haradinajt

0

“Kreun e qeverisë e merr partia që fiton zgjedhjet. Kryetari i AAK-së ofroi shërbimin e tij për vendin”

 

thaciKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka refuzuar ofertën liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që ky i fundit t’i prijë ekzekutivit të vendit.
Thaçi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të kaluara.
“Do ta ruaj dhe do ta kultivoj besimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar ndaj meje kur jam nominuar kandidat për kryeministër. Këtë kontratë me qytetarë me asnjë çmim, me asnjë post, me asnjë marrëveshje politike nuk e lëndoj”, – ka thënë Thaçi duke shtuar se ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet.
Lideri i PDK-së, njëherpsh Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga posti i kryeministrit të Kosovës, të cilin, sipas tij, ia kanë besuar qytetarët e Kosovës, të cilët duke votuar për PDK-në, ia kanë bartur këtë përgjegjësi, të cilën s’e ka ndërmend ta trafikojë me asnjë marrëveshje dhe me asnjë çmim.
“Do ta ruaj dhe do ta kultivoj besimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar ndaj meje kur jam nominuar kandidat për kryeministër. Këtë kontratë me qytetarë me asnjë çmim, me asnjë post, me asnjë marrëveshje politike nuk e lëndoj. Andaj do t’i kryejmë obligimet tona kushtetuese dhe ligjore”, – ka thënë Thaçi duke shtuar se ky kabinet qeveritar është më i miri në historinë politike të Kosovës dhe do të vazhdojmë punën edhe më tutje.
I pyetur që të komentojë ofertën e Ramush Haradinajt për të udhëhequr qeverinë në një koalicion të mundshëm PDK-AAK, Kryeministri Thaçi është përgjigjur se Ramushi më tepër ka ofruar një vullnet sesa një ofertë.
“Ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet dhe u ofron partnerëve të mundshëm për koalicion, andaj e mirëpres vullnetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të z. Haradinaj që të jenë pjesë e një partneriteti strategjik ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbi bazën politike të koalicionit qeverisës aktual”, – ka thënë Thaçi.
I pyetur rreth inkuadrimit të njeriut të dytë të AAK-së, Blerim Shalën, si koordinator në bisedimet me Beogradin, Thaçi ka thënë se përfshirja e tij nuk ishte blerje e Shalës, por marrje e përgjegjësive kushtetuese.
“Edhe unë në vitin 2005-2007 kam qenë pjesë e Ekipit të Unitetit. As nuk më kishin blerë, as nuk isha shitur, por i mora përgjegjësitë e mia kushtetuese, ligjore dhe duke respektuar legjitimitetin qytetar. Andaj edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore dhe të përgjegjësive qytetare për të ndihmuar shtetndërtimin, konsolidimin dhe forcimin e shtetit”, – ka thënë ai duke shtuar se subjekti kryesor opozitar LDK-ja fillimisht kishte shprehur gatishmërinë që ta mbështeste procesin, të marrte përgjegjësitë që i takonin por më pastaj pati ndryshuar qëndrimin.
“Ishte një premtim edhe para faktorit të brendshëm, edhe para faktorit amerikan, edhe në takimin që kemi pasur me sekretaren e Shtetit znj. Clinton dhe baroneshën Ashton. Pastaj ata ndryshuan qëndrimin dhe nuk mund të mbesim të bllokuar ose të paralizuar nga ndryshimi i pozicionit të tyre. Sido që të jetë për të gjitha takimet që kam filluar me z. Daçiç unë informoj vazhdimisht Kuvendin e Kosovës, z. Mustafa, lidershipin e AAK-së, gjithë spektrin politik të Kosovës dhe mendoj se është një komunikim krejt normal”, – ka thënë ai.
Krasniqi nuk e mohon opsionin e partisë së re

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, për herë të parë nuk e mohon opsionin që pas procesit zgjedhor në PDK, ai të krijojë një parti të re.
“Sigurisht që nuk e mohoj opsionin se opsionet janë të shumta. Unë kisha dëshiruar opsionin që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Nuk e kam formësuar idenë e plotë në këtë drejtim, shumë do të varet nga zhvillimet”, – tha Krasniqi në një intervistë për “RTV21”. Krasniqi thotë se procesi zgjedhor në PDK, lë për të dëshiruar. “Unë kisha dëshiruar që Partia Demokratike e Kosovës të jetë parti e fortë, parti që vlerëson vlera, parti që ngrit vlera dhe parti që ofron një qeverisje më të përgjegjshme në të gjitha nivelet”, – ka theksuar më tej Krasniqi. Kryeparlamentari Krasniqi vazhdon të kërkojë nga protagonistët e bisedave të përgjuara telefonike që t’i kërkojnë falje.

 

Nikoliç: S’do të ketë ‘Republika Sërpska’ në Kosovë

Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se platforma për Kosovën duhet të miratohet më 10 janar, dhe se “askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më 11 janar”. Nikoliç një intervistë për mediat serbe ka thënë se teksti përfundimtar i kësaj platforme do të jetë i gatshëm me 10 janar, pasi që, sipas tij, dialogu Prishtinë-Beograd dhe marrëveshja për heqjen e doganave për pjesën veriore do të vazhdoj deri më atë datë. “Askush nga ne nuk e di sa çfarë do të sjellë kjo marrëveshje pas 11 janarit”, – ka thënë Nikoliç, siç transmeton Evropa e Lirë.
Presidenti serb, gjithashtu ka thënë se nuk janë të vërteta interpretimet se platforma parasheh ndarje të Kosovës.
“Dallimi në mes të Republika Sërpskës dhe komunitetit serb në Kosovë është se e para është pjesë e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa komuniteti serb në Kosovë do të jetë pjesë e një autonomie thelbësore dhe jo të një shteti të njohur ndërkombëtarisht, sepse Serbia kurrë nuk do të mund, të dojë dhe guxojë ta njoh Kosovën”, – ka sqaruar Nikoliç. Ai ka bërë të ditur se, qëllimi që i kësaj platforme ka qenë të formojë komunitetin serb në ato vende ku serbët janë shumicë dhe jo sipas vendosjes gjeografike dhe ka shtuar se nga serbët e pjesës jugore dhe veriore të Kosovës nuk ka dëgjuar as një kritikë të vetme sa i përket platformës.