Sport shkurt

0
149

futbollSport Angli

Hoxhson: Duam penalltitë në miqësore

Trajneri i kombëtares angleze Roi Hoxhson ka kërkuar praktikimin e penalltive në miqësore. Në një prononcim për “Sky Sports”, 65-vjeçari tha se Anglisë i duhet të përmirësojë saktësinë e gjuajtjeve nga pika e bardhë. “Tre Luanët” kanë triumfuar vetëm 1 herë nga 6 ndeshje që janë zgjidhur prej 11-metërshave në turnetë që prej vitit 1990. “Në ndeshjet miqësore do t’u sugjerojmë rivalëve që kur ato të përfundojnë në barazim, atëherë të ketë gjuajtje penalltish”, – tha menaxheri. Kombëtaret më të sakta në ekzekutimin e penalltive janë Argjentina 73% dhe Gjermania 71%.

 

Sfida

Siti kërkon fitoren parë pas tri vitesh në fushën e “maceve të zeza”

Me 7 pikë diferencë që ndajnë Sitin nga Çelsi i vendit të tretë, titulli duket si një garë dyshe për Mançesterin edhe pse do luhen edhe 20 ndeshje deri në fund. Por nëse Junajtid nuk i lejohet të lërë pikë rrugës gjatë festave, as kampionët e Sitit nuk duhet ta imagjinojnë një hap fals. Sandërlendi ka fituar vetëm 1 nga 8 ndeshjet e fundit në “Boxing Day”, duke barazuar 4 herë dhe humbur 3. Por skuadra e Mançinit nuk fiton në “Stadium of Light” që prej sezonit 2008-09. Në 3 udhëtimet e fundit në Sandërlend, ata kanë humbur dy herë dhe kanë barazuar një ndeshje. “Shpresoj që kundër Sandërlendin të marrë frymë më kollaj. Një fitore si ajo ndaj Ridingut në minutat shtesë do të më bënte me zemër”, – tha tekniku italian, i cili mund t’i jap një shans grumbullimi Mario Balotelit. Sulmuesi italian është stërvitur rregullisht me skuadrën dy ditët e fundit.

 

Prapaskena

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentis, ka premtuar se kjo skuadër do të bëjë investime të rëndësishme si në merkaton e janarit, ashtu edhe në atë të verës, me qëllimin për të ndërtuar një ekip të madh që do të konkurrojë për trofetë italianë dhe ata ndërkombëtarë. “Në merkaton e janarit, do të hyjmë me vendosmëri për të korrigjuar disa mangësi që kemi aktualisht, ndërsa gjatë verës do të ndërhyjmë fuqimisht në skuadër”, – tha ai, duke hedhur poshtë idenë e një shitje të mundshme të yllit të ekipit të tij, sulmuesit Edinson Kavani. “Ai është simboli i ringjalljes së Napolit, është një luftëtar. Duhet ta dini që me 20 qershor kam refuzuar një ofertë prej 55 milionë eurosh për shitjen e tij”, – ishte pohimi i De Laurentis. Drejtuesi i ekipit napolitan ka bërë të qartë se beson plotësisht se ky klub mund të kthehet përsëri mes më të mëdhenjve në Evropë, ashtu siç ka qenë shumë vite më parë, në kohën e Diego Armando Maradonës. “Duam që të bëhemi përsëri një nga klubet më të mëdha të Evropës, ashtu si në kohën e Maradonës. Nuk jemi inferiorë ndaj klubeve si Liverpuli e Mançesteri as në politika sportive, në kulturë apo në futbollin që aplikojmë. Titulli kampion do të vijë me kohë, duhet pak durim. Këtë vit, pa llogaritur penalizimin, kemi 8 pikë më shumë se një vit më parë”, – ishte bilanci dhe premtimi i De Laurentis për tifozët e skuadrës.

 

Botërori

Brazilianët janë të shqetësuar për korrupsionin

Shtatëdhjetë e gjashtë për qind të brazilianëve besojnë se Botërori i vitit 2014 po ndikon në rritjen e korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në vend. Studimi u realizua nga instituti i specializuar “Detafolha” dhe u publikua në mediat vendase ditën e martë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, 90% e brazilianëve janë të kënaqur që vendi i tyre do të organizojë një kompeticion të madh, i cili sipas tyre do të rrisë reputacionin ndërkombëtar të Brazilit. Në lidhje me rrjedhojat sociale të Botërorit, bie në sy faktin se 60% e brazilianëve janë të shqetësuar se ai do të rrisë krimin e rrugës. Sondazhi u realizua gjatë dhjetorit, nëpërmjet marrjes në pyetje të 2 588 personave nga 160 qytete të ndryshme të vendit. Të dhënat kanë një marzh gabimi prej 2%.

 

Opinioni

Sedorf: Ibra nuk bën ekip

Gjatë një interviste për mediat braziliane holandezi ka folur për Ibrahimoviçin, të cilin nuk e vlerëson shumë si futbollist: “Humbja më e madhe e Milanit ka qenë largimi i Tiago Silvës dhe jo ai i Ibrës. Suedezi nuk ka qenë lojtar kyç. Kur ai mungonte kemi fituar pothuajse gjithmonë. Pastaj të gjithë e dimë se sa egoist është Ibra. Kudo që ka qenë, ka mbjellë polemika në dhomat e zhveshjes”. Sedorf kërkon të shpalosë në të ardhmen një futboll sipas modelit të tij: “Shumë shpejt do marrë drejtimin e një skuadre të madhe. Do krijoj edhe një model të ri loje ‘alla Sedorf’. Përveç Murinjos kam pasur fatin të punoj me trajnerët më të mëdhenj në botë”. Guardiola? “Është një histori tjetër, sepse Barcelona fluturonte edhe me Rajkardin. Edhe kur kam qenë unë te Reali, katalanasit të fshihnin topin”. Shpërthimi i talentit të Milanit, Stefan El Sharaui, i ka habitur të gjithë specialistët e futbollit, por jo ‘profesor’ Sedorfin, i cili e priste një gjë të tillë: “Edhe vitin që shkoi El Sharaui dukej që ishte i fortë, vetëm se atëherë nuk luante kurrë. Stefan është një futbollist serioz, i cili luan më shumë me mend se me këmbë”. Sedorf i këshillon drejtuesit kuqezi të mos e ngarkojnë me shumë përgjegjësi talentin: “Nuk duhet të sillen si me Paton, me të cilin Milani gaboi shumë. Ata e bënë atë futbollist të madh kur braziliani sapo kishte filluar karrierën. Nga ana tjetër, edhe El Sharauit, që është vetëm 20 vjeç, nuk mund t’i ngarkohet mbi kurriz barra për të nxjerrë Milanin nga balta”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency