Platforma serbe dhe shqiptarët në gjithë Ballkanin

0
147

Çelo Hoxha

 

platfoema serbeNë Kongresin e Berlinit (1878) dhe në Konferencën e Londrës (1913), ku u vendosën fatet e shteteve të Ballkanit, përfaqësuesit e shqiptarëve mungonin në tavolinën e bisedime dhe të drejtat e tyre u masakruan. Fuqitë e mëdha nuk e panë të arsyeshme t’i dëgjonin. Për një e shekull e tre dekada shqiptarët janë qanë, me të drejtë, për padrejtësinë që u bëri “kurva e motit”, siç e quajti Fishta Evropën në poemën e tij të famshme. Qarjet nuk mund të vazhdojnë përjetësisht.

Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua javën e kaluar një debat i ashpër mbi një platformë të Serbisë për Kosovën të hartuar kohët e fundit. Me anë të platformës, Serbia kërkon që serbët e Kosovës të kenë institucione të veçuara nga ato të pjesës tjetër të Kosovës, të policinë e tyre dhe sistemin e tyre gjyqësor, përfaqësuesit e tyre në Kuvend të kenë fuqinë e vetos, dhe pushtete të tjera. Pak a shumë, Serbia kërkon të krijojë një strukturë serbe për të kontrolluar nga brenda gjithë Kosovën.

Shqiptarët s’kanë pse hidhen përpjetë. S’kanë pse e kundërshtojnë verbazi çdo gjë që vjen nga Serbia. Serbia ka bërë hapa pozitivë në njohjen e Kosovës. Fakti që Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës por ulet me përfaqësuesit e saj për bisedime, bën me ta marrëveshje, kjo është shenjë e heshtur njohjeje. Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë kaq shpejt që Serbia ta njohë Kosovën para shumë vendeve të tjera në botë. Edhe platforma e fundit nuk është diçka për t’u sulmuar në përmbajtjen e saj. Shqiptarët nuk mund t’i kërkojnë Beogradit të hartojë një platformë për Serbët e Kosovës sipas oreksit të Prishtinës. Një pritshmëri e tillë do të ishte marrëzi.

Platforma e Serbisë, për mendimin tim, tregon dy gjëra. Një, Serbia konfirmon që ajo i njeh serbët e Kosovës si banorë të një shteti tjetër, dhe kjo nuk është pak, sepse është një hap më tej në procesin e njohjes përfundimtare të Kosovës. Dy, Serbia tregon vëmendje të veçantë, dhe mirë bën, për pakicat serbe jashtë territorit të Serbisë.

Po Kosova çfarë duhet të bëjë?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: ajo duhet të tregojë që është shtet serioz. Ajo duhet të tregojë se është një shoqëri e aftë të krijojë shtetin e saj, duke ofruar vizionin e saj jo vetëm për çështjen e saj të brendshme, por dhe çështjet rajonale. Mënyra e organizmit të serbëve të Kosovës është çështje e brendshme e saj.

Kur Serbia bën një platformë për serbët e Kosovës, ajo tenton të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti tjetër. Kosova ka dy alternativa: ose ta injorojë platformën si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës dhe të vazhdojë të zbatojë projektin e saj për serbët e Kosovës, ose të bëjë diplomaci agresive: të hartojë një platformë për shqiptarët e Serbisë, të ngjashme me platformën serbe për serbët e Kosovës, dhe t’ia përcjellë atë Beogradit, ose t’ua bëjë të njohur ambasadorëve të huaj në Prishtinë.

Varianti i parë nuk është i favorshëm për Kosovën, sepse është në interesin e saj të zbutë marrëdhëniet me Serbinë, kështu që nuk mund ta denoncojë platformën si ndërhyrje të brendshme në punët e saj dhe të ftohë marrëdhëniet me Beogradin. Varianti i dytë, platforma për shqiptarët e luginës së Preshevës është më lehtë për t’u realizuar dhe ka më pak pasoja në nivel ndërkombëtar.

Platforma për luginën e Preshevës duhet të jetë hartuar deri në detaje: a) shqiptarët të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Serbisë dhe të kenë fuqinë e vetos; b) shqiptarët të kenë policinë e tyre; c) sistemin e tyre gjyqësor; d) arsim, shëndetësi dhe ekonomi të pavarur nga Beogradi. Kosova mund të mos hartojë një platformë identike me atë Serbisë, ndoshta më të butë në kërkesa se ato që kam përmendur unë më lart, por është e domosdoshme ta hartojë.

Me hedhjen e dy platformave debati do të jetë më konstruktiv. Serbët do të nisin të diskutojnë platformën e Kosovës dhe do të ndjejnë më mirë çfarë do të thotë të bësh një platformë për një shtet tjetër. Aleatët ndërkombëtarë do të shikojnë një Kosovë krijuese, e aftë të përballojë sfidat e jetës në xhungël, e sigurisht ata do të kenë një dokument zyrtar të Prishtinës me anë të cilit t’i bëjnë presion Beogradit.

Por Kosova ka dhe asin e saj nën mëngë: Tiranën. Shqipëria nuk duhet të rrijë indiferente. Tirana duhet të shprehet entuziaste për platformën serbe për Kosovën. Ja si do formuloja unë përgjigjen për Serbinë: “E vlerësojmë platformën e Serbisë si një përpjekje dashamirëse të saj për konsolidimin e paqes në Ballkan. Meqenëse një platformë e tillë nuk është zbatuar më herët, Serbia mund të fillojë zbatimin e saj për shqiptarët e luginës së Preshevës dhe nëse se jep rezultat pozitiv mund ta aplikojmë në Maqedoni, Malin e Zi dhe Greqi…”

Nga ana tjetër, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës mund të kërkojnë një platformë të ngjashme në vendet e tyre. Dhe bota do ta rikonfirmojë rolin kyç të shqiptarëve në Ballkan.

Në Berlin dhe në Londër shqiptarët nuk patën mundësi t’u imponoheshin fuqive të mëdha. Gjyshërit e stërgjyshërit tanë çfarë nuk do të kishin dhënë t’u ofroheshin mundësitë tona për mbrojtjen e interesave kombëtare. E vetmja mundësi që patën ishte pushka dhe nuk e përdorën keq, derisa fuqitë e mëdha sollën flotën e vet kundër tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency