Ngërçi në KQZ, ndarja e mandateve drejt Kuvendit

0
140

Florenc Drizari

 

KQZPartia Socialiste kërkon që KQZ të miratojë një akt të ri për ndarjen e mandateve

Përfundimi i afateve lidhur me ankimimin e projektvendimit për ndarjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor ka bërë që kjo çështje të mbetet ende në udhëkryq. Dy ditë më parë skadoi afati 30-ditor që subjektet politike apo administrata e KQZ-së kishin për të ankimuar ndarjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor, ndërkohë që një vendim të tillë komisioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve nuk arriti ta merrte për mungesë votash. 23 nëntorin e kaluar opozita votoi kundër projektvendimit të KQZ-së, duke kërkuar të dhëna shtesë nga Ministria e Brendshme lidhur me numrin e popullsisë në qarkun e Kukësit.

Ndërkaq, burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se një mundësi që po shqyrtohet, është që KQZ-ja të dërgojë për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, projektvendimin për ndarjen e mandateve që nuk mori votat e mjaftueshme në mbledhjen e 23 nëntorit të kaluar. Sipas burimeve brenda KQZ-së, meqë përfaqësuesit e partive politike nuk e ankimuan çështjen në Kolegj dhe vetë komisioni nuk arriti një konsensus mes anëtarëve të tij për ndarjen e mandateve, atëherë zgjidhja shihet drejtë Kuvendit të Shqipërisë.

Varianti i dytë

Ngërçi i krijuar në fund të muajit nëntor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe hezitimi i mazhorancës për ta ankimuar këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor, pritet të zgjidhet edhe sipas ndarjes së mandateve sipas zgjedhjeve të fundit parlamentare, ato të 2009-ës. Partia Demokratike në përfundim të afatit ligjor nuk ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimmarrjen e KQZ-së për ndarjen e mandatave të deputetëve në 12 qarqe, duke bërë që kjo çështje të mbetet pa një zgjidhje. Kjo tezë duhet e pranuar për demokratët edhe për faktin se nuk prish marrëdhëniet me aleatët e tyre, po të kujtojnë që LSI ka bërë thirrje ditët e fundit që KQZ të punojë duke arritur standardet dhe bashkëpunimin mes palëve.

PS kërkon akt të ri në KQZ

Ndryshe nga mazhoranca, socialistët janë të bindur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mundësi që të rimarrë në shqyrtim aktin për ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për këtë ata gjykojnë se KQZ-ja, në zbatim të Kodit Zgjedhor, mund të iniciojë një akt të ri për ndarjen e mandateve, por vetëm pasi të bëjë më parë një analizë dhe transparencë të zhvillimit demografik të qarkut të Kukësit, dhe më konkretisht në 5 njësi vendore të tij, ku rritja e numrit të popullsisë sipas tyre ka qenë shumë më e lartë sesa rritja mesatare në gjithë vendin. “Zgjidhja është në KQZ. Ajo duhet të rimarrë aktin për ndarjen e mandateve, pasi të jetë bërë më parë transparenca e rritjes së numrit të popullsisë në qarkun e Kukësit. Kodi bën të detyrueshme që të ketë ndarje të numrit të mandateve për çdo zgjedhje, ndaj ndarja për të cilën flitet, ajo e vitit 2009 nuk mund të ketë vlerë për këto zgjedhje”, – u shpreh dy ditë më parë përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj. Por nga ana e tij, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, duke i mbetur besnik këtij argumentimi, ka akuzuar demokratët se në mënyrë të qëllimshme po përpiqen që të bllokojnë procesin zgjedhor. Sipas tij, PD rrëzoi kërkesën e socialistëve për komision hetimor pikërisht me argumentin se këtë hetim e ndalonte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja në fjalë ishte në proces gjyqësor, çka në të vërtetë nuk rezultoi e tillë. Sipas tij, Kodi lejon ndarjen e mandateve deri në datën 7 mars, jo më vonë se 6 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

 

Kume për ndarjen e mandateve

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, lidhur me ndarjen e mandateve gjykon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili një muaj më parë nuk arriti të merrte një vendim për këtë çështje, duhet ta shqyrtojë serish ndarjen e mandateve dhe me konsensus të miratojë vendimin, që kërkon shumice të cilësuar votash në komision. Por sipas Kristaq Kumes në rast se palët nuk arrijnë të gjejnë kompromis për shkak të mandateve në qarkun e Kukësit, atëherë Kodi Zgjedhor parashikon që në zgjedhje mund të shkohet me ndarjen e vjetër të 2009-ës. Ndërkaq, të hënën skadoi afati 30 ditor që kodi ka parashikuar për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor dhe partia Demokratike ndryshe nga sa kishte paralajmëruar, nuk e ankimoi vendimin për ndarjen e mandateve. Por një variant i cili pranohet nga disa përfaqësues politik brenda KQZ-së, është që ndarja e mandateve në mungesë të një konsensusi politik, të bëhet si në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 2009-ës. Sipas kësaj ndarjeje, Kukësi ka 4 mandate deputetesh dhe Berati 8-të.

 

Kuvendi mblidhet nesër në seancën e fundit për 2012-ën, në axhendë tri ligjet dhe prokurimet publike

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë nesër më datë 27 dhjetor seancën e fundit plenare. Edhe pse ende nuk ka një axhendë zyrtare, në rend të ditës pritet të jetë drafti i ndryshuar për prokurimet publike dhe tri ligjet e integrimit. Diskutimet për këtë pr/ligj kanë filluar të hënën në Komisionin e Ekonomisë dhe atë të Integrimit, ndërkohë që opozita abstenoi në të dyja komisionet. Sipas përfaqësuesve të majtë, drafti u fut me procedura të përshpejtuara nga qeveria për të përfituar tenderat e fillimit të vitit, ndërkohë që sipas tyre, për një ligj të tillë duhet të merreshin dhe mendimet e grupeve të interesit dhe drafti duhet të kalojnë në një proces të gjerë konsultimesh. Por nga ana e tyre, përfaqësues të mazhorancës në dy komisionet e lartpërmendura, i quajtën spekulime qëndrimet e homologëve të tyre të majtë dhe kërkuan që PS-ja të jepte konsensus për këtë ligj në prag të festave të fundvitit. Ndërkohë, në axhendën e Kuvendit pritet të jenë edhe tri ligjet e integrimit, ligje të cilat ndodhën prej disa muajve në sirtarët e Kuvendit, por që palët ende nuk po gjejnë konsensus për miratimin e tyre. Në seancën e fundit plenare Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i bëri serish thirrje deputetëve të opozitës të votojnë tri ligjet e integrimit, si një detyrim që ligjvënësit kanë ndaj shqiptarëve dhe interesave të vendit. Por në replikë me Kryetaren e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi tha se tri ligjet që pretendon mazhoranca nuk janë gati për tu hedhur në votim. Sipas tij, palët ende nuk kanë gjetur konsensus për rregulloren e Kuvendit, projektligjin për Gjykatën e Lartë dhe nëpunësin civil. Për këtë Gramoz Ruçi deklaroi se draftet duhet të rishikohen në komisionet përkatëse dhe më pas të rikthehen në Kuvend për t’u votuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency