Në duart e BE-së

0
135

 

Blerim Shala

 

bePak kohë para se të vritej në hyrjen e ndërtesës së qeverisë së Serbisë, në marsin e vitit 2003, Zoran Gjingjiç, Kryeministri i qeverisë, në pyetjen që iu parashtrua në një debat publik për arsyet pse ai po synon të shkëputë politikën serbe të kohës së tij nga ajo e kaluara e cila dëmtoi aq shumë vendet dhe popujt fqinj të Serbisë, dhe pse po përsëritë shpesh që Beogradi është i detyruar të merret me pasojat e kësaj politike të gabuar dhe të dështuar, ai u përgjigj në këtë mënyrë:

‘Kjo nuk mund të bëhet pa paguar çmimin, pa pare. Nuk mund një popull i tërë ta zgjedhë një politikë krejtësisht të gabuar, e pastaj, kjo të mos ju kushtojë asgjë fare. Kështu nuk funksionon politika…’.

Deri para pak ditësh, kur Beogradi zyrtar bëri të ditur ekzistencën e Platformës për Kosovën, të prezantuar si një Non-Paper, udhëheqësia e re e Serbisë, e dalë nga zgjedhjet e pranverës së këtij viti, e personifikuar para se të gjithash nga Presidenti, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, është munduar me mish e me shpirt t’i tregojë vetes dhe Botës, që politika serbe, tash e tutje së paku, do të jetë krejt ndryshe karshi një trashëgimie shumë të keqe që njeh si kryeadresa partitë e këtyre zyrtarëve në vitet e nëntëdhjeta, përballë politikës së deritashme serbe të zhytur në korrupsion, dhe në ballafaqim me temën e Kosovës, e cila tash e dyqind vjet është mit politik i Serbisë që ngulfat realitetin politik në Serbi.

Ne nuk jemi ata që kemi qenë. Ne e dimë që Bashkimi Evropian është perspektiva e vetme e Serbisë. Ne e kemi marrë vesh që politika (e Boris Tadiçit, ish-Presidentit të Serbisë), ‘edhe BE-ja, edhe Kosova’, nuk qëndron më. Ne e dimë shumë mirë që e kemi humbur luftën, që e kemi humbur Kosovën, dhe që duhet të përpiqemi që nxjerrim aq sa do të na lejohet. Ne nuk mund t’i bimë murit me kokë dhe të bëhemi thuajse asgjë nuk ka ndodhë në Kosovë tash e 13 vjet.

Dhe kështu me radhë.

Këto ishin porositë mbizotëruese të kryepolitikanëve të Serbisë deri para një jave.

E tëra kjo ra në ujë (thënë më mirë, në moçal të moçëm), me një Dokument të vetëm, i cili rrënoi për pak orë atë çfarë Beogradi zyrtar u mundua të ndërtojë për më shumë se gjysmë viti.

Askush nuk e di, së paku tash për tash, çfarë llogarish kanë bërë liderët institucionalë të Serbisë kur kanë përgatitur këtë Platformë, e cila është një dyzim i propozimeve më të këqija që kanë qarkulluar në Beograd prej dimrit të vitit 1998 e këndej. Mbase, nuk e dinë as ata vetë.

Por hesapet që mund të bëhen prej të tjerëve, prej Uashingtonit, Brukselit, deri në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Podgoricë (në rajon pra), sipërfaqësojnë konkludimet që janë shkatërrimtare për synimet e deritashme të këtij lidershipi të Serbisë.

Këto konkludime, ta zëmë, tregojnë që qasja e Beogradit ndaj Kosovës ka mbetur dhe mbetet sot e kësaj dite test i mirëfilltë se çfarë është në të vërtetë politika zyrtare e Serbisë.

Kjo qasje, çfarë shfaqet në Platformën e përmendur, është dëshpëruese për Perëndimin, destruktive për Kosovën dhe vetë-destruktive për vetë Serbinë.

Liderët serbë në këtë Dokument sillen thuajse ata e kanë në duart e veta fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës, thuajse ata pyeten se çka duhet bërë me Kosovën tash e tutje, thuajse asgjë nuk ka ndodhë në raportet midis dy vendeve, dy shteteve, dy popujve.

Me këtë Platformë, Beogradi zyrtar në fakt tregon se çka mendon për fatin e vetë Serbisë tash e tutje.

Në vitet 1998, 1999, kur nisën të qarkullojnë oferta të kësillojta prej Beogradit zyrtar që synonin instalimin e një qeverisjeje të paparë në Evropën e pasluftës, Serbia e Sllobodan Millosheviçit i kishte në Kosovë 100 mijë ushtarë e policë serbë. Mbijetesa e shqiptarëve të Kosovës ishte e rrezikuar. I gjithë rajoni kërcënohej të shndërrohej në një makth për Perëndimin, fare pak vite pasi që u mendua që me përfundimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (përmes Konferencës së Dejtonit, 1995), Ballkani Perëndimorë do të kthehet mbarë.

Tash jemi në vitin 2012. Gjithçka ka ndryshuar në ndërkohë në Kosovë dhe në Ballkan. Kosova është bërë shtet i pavarur, është njohur prej 95 shteteve anëtare të OKB-së, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria kanë hyrë në Paktin NATO, Sllovenia është në BE, aty ku së shpejti do të jetë edhe Kroacia.

Por Serbia e vitit 2012 i ka marrëdhëniet më të këqija me Kroacinë që prej përfundimit të Luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë e këtej, dhe vazhdon të jetë pengesë e madhe për stabilizimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës, ndërsa largimi i strukturave të sigurisë të Serbisë nga Veriu është kusht pa respektimin dhe përmbushjen e të cilit Beogradi nuk mund dot të bëj asnjë hap para drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Këtu prapë kthehet tema e llogarive që renditen në fund të kësaj Platforme të Serbisë për Kosovën.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë dobie për askënd prej saj. Kjo është fare e qartë për të gjithë ata që sado pak marrin vesh prej politikës.

Viti i ardhshëm, (2013-shi), së paku deri më tash, ishte paraparë të jetë viti kur do të përmbyllej, me të mirë, një histori e gjatë një shekull të plotë që prej se shpërtheu konflikti serbo-shqiptar.

Kjo Platformë e mëdysh këtë synim të Brukselit zyrtar.

Megjithatë, si asnjëherë më parë, fati i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është në duart e Brukselit dhe të Catherine Ashton. Brukseli ka fuqi ta bëjë këtë, apo, të mundësojë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse diçka e tillë nuk ndodhë në vitit e ardhshëm, proceset mund të marrin një kah jo vetëm të padëshirueshëm, por edhe të rrezikshëm.

 

 “Express”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency