Kronika shkurt

0
116

poliAutovetura “Golf 4” doli nga rruga dhe ra në lumë

Makina bie në lumin Drin, zhduken 2 vëllezër

asnjë rezultat nga kërkimet e polumbarëve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën nacionale Shkodër – Tiranë, ku si pasojë e një aksidenti, automjeti ku udhëtonin dy vëllezër ka rënë në lumin Drin, duke sjellë edhe zhdukjen e personave që ndodheshin në mjet. Autovetura e tipit “Golf 4”, me ngjyre blu, është gjendur nga kalimtarët e rastit, ndërkohë që pas njoftimit të policisë dhe vënien në dijeni të familjarëve, është mësuar se në automjet ishin duke udhëtuar dy vëllezërit Alfons dhe Paskulino Koldrekaj, përkatësisht 20 vjeç dhe 22 vjeç. Të dy këta shtetas janë banues në fshatin Shtajkë, Komuna Bushat e rrethit Shkodër. Nga të dhënat paraprake rezulton se këta shtetas janë parë duke udhëtuar me mjetin e lartpërmendur rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, ndërkohë që automjeti i tyre ka rënë në ujërat e lumit Drin. Për pasojë gjatë ditës së djeshme familjarë dhe të afërm të dy vëllezërve kanë kryer kontrolle në dy anët e rrjedhës së lumit Drin, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të dy vëllezërve. Për shkak se edhe automjeti është fundosur në ujërat e thella të lumit, policia e Shkodrës ka kërkuar ndihmën e polumbarëve nga Tirana, me qëllim zhytjen në lumë, për të mësuar nëse trupat e dy vëllezërve ndodhen në ambientet e makinës ose jo. Mbërritja e polumbarëve në vendngjarje është bërë rreth orës 20:30, ku kanë filluar kërkimet në vendit ku është rrëzuar automjeti tip “Golf 4”. Gjatë kërkimeve të kryera deri në orët e mbrëmjes së djeshme, nuk është bërë e mundur gjetja e trupave, ndërkohë pritet që kërkimet të vijojnë edhe ditën e sotme në ujërat e lumit Drin.

 

Belsh, vetëmbytet në rezervuar nëna e tre fëmijëve

Një grua 53-vjeçare është gjetur e mbytur në një rezervuar mëngjesin e së martës në zonën e Belshit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, shtetasja Nurie Kuqja, nënë e tre fëmijëve, është gjetur nga familjarët e saj e mbytur në rezervuarin e fshatit Hardhi të Belshit. Paraprakisht dyshohet se ajo është vetëmbytur, pasi, sipas informacioneve, 53-vjeçarja pasditen e së hënës ajo kishte qenë me bashkëshortin e saj duke punuar në tokën e familjes. Menjëherë familjarët kanë nisur kërkimet dhe mëngjesin e djeshëm e kanë gjetur 53-vjeçaren të mbytur në rezervuarin e fshatit. Nga hetimet paraprake dyshohet se 53-vjeçarja, familja e së cilës jetonte në skamje, është vetëmbytur në kushtet e një depresioni të thellë nga i cili ajo vuante prej kohësh.

 

Librazhd, u ngul thikën dy vëllezërve tek stacioni i trenit

Dy vëllezër janë plagosur me thikë tek stacioni i trenit në Librazhd, ndërsa policia ka arrestuar autorin e krimit. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së martës tek stacioni i trenit, kur Artan dhe Sherif Lloga janë qëlluar me thikë pas një konflikti me një person të tretë. Policia dyshon se autori i plagosjes është shtetasi Vangjel Biçaku, i cili është vënë në pranga. Mësohet se dy vëllezërit janë dërguar në spital, ku edhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja. Nga hetimet paraprake mësohet se shkak i këtij konflikti që solli dy të plagosur ka qenë një sherr banal mes të dëmtuarve dhe autorit të krimit. Aktualisht lidhur me këtë ngjarje, materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit.

 

Korçë, sherri në familje, nipi djeg shtëpinë e gjyshërve

Nipi djeg banesën e gjyshërve pas një sherri për pronën, nuk ka të plagosur, vetëm dëme materiale. Ngjarja u shënua në fshatin Ormen të Korçës, ku sipas policisë, i riu Ervis Abeshi, 22 vjeç, ka hedhur benzinë në banesën e gjyshit, Vasfi Muçollari, dhe më pas i ka vënë zjarrin. Si pasojë janë djegur një dhomë me të gjitha orenditë, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme të tjera materiale. Zjarrfikëset kanë mundur të lokalizojnë në kohë zjarrin, duke mos lejuar përhapjen e tij në dhomat e tjera të banesës. Në momentin e zjarrit nuk ka pasur asnjë person në banesë. Policia dyshon se zjarri u vu nga i riu Abeshi pas një sherri që ka pasur me gjyshin për një çështje prone.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency