Kosovë, komisioni, i gatshëm të rekomandojë “ndryshimet” në histori

0

komisioniKomisioni i ngritur nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, për rishikimin e teksteve të Historisë dhe Gjeografisë, ka përfunduar punën e tij. Burime të Radio Kosovës thonë se ky Komision ka përgatitur edhe raportin në të cilin përfshihen rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen tekstet e historisë. Por, ministri Buja, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se ende nuk e ka marrë raportin e Komisionit. Komisioni Evropian ka kërkuar nga vendet e Ballkanit që të korrigjojnë tekstet shkollore të Historisë dhe Gjeografisë, ku ka gjuhë të urrejtjes. Për këtë, Ministri i Arsimit, Ramë Buja, pati krijuar një Komision më 5 prill të vitit të kaluar, për të korrigjuar këto tekste. Komisioni, tashmë, ka përfunduar punën e tij dhe pritet që vitin e ardhshëm shkollor tekstet të jenë me korrigjimet e bëra. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se çështja e Komisionit Evropian është keqkuptuar dhe keqinterpretuar që nga takimi me Ministrin e Arsimit të Turqisë. “Edhe pse ne të dy sqaruam në konferencën për media se Ministri i Arsimit të Turqisë nuk kërkoi ndërrimin e historisë, sepse ajo nuk mund të bëhet nga asnjë ministër i çfarëdo përmase, sepse historia është ajo që është. Por, sipas kërkesave të KE-së të bëjmë ndryshimin e gjuhës së urrejtjes dhe ne menjëherë kemi ndërmarrë hapat obligues, kemi formuar komisionin e përbashkët që të shohim se çfarë duhet bërë dhe tani unë po pres një raport përfundimtar se çfarë ka bërë”, – shpjegon Buja. Ministri Buja, tha se nuk e ka parë ende raportin përfundimtar të Komisionit për korrigjimin e teksteve, por nga ajo që është informuar, thotë se është bërë punë këmbëngulëse për të korrigjuar nëse ka pasur ndonjë intonim të tillë. Kërkesa e Komisionit Evropian për largimin e gjuhës së urrejtjes në tekstet shkollore vlen për të gjitha vendet e Ballkanit. Por, në shkollat serbe në Kosovë, tekstet bien ndesh jo vetëm me realitetin historik, por edhe me Kushtetutën e Kosovës.