Festat, blindohet Tirana, policia kalon në shërbime të përforcuara

0
138

Elton Qyno

 

erzen brecaniBreçani: Kujdes shoferë, mos konsumoni alkool! Hyjnë në veprim dhe autopatrullat “Shqiponja”

 

Me rastin e festave të fundvitit policia ka kaluar në shërbim të përforcuar si dhe ka vënë në efiçencë edhe strukturën më të re të saj, autopatrullat elitë “Shqiponja”. Mësohet se vendimi për të kaluar në shërbim të përforcuar është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili ka vendosur që kjo gjendje të zgjasë deri në datën 3 janar të vitit të ardhshëm. Pikërisht efektivat e kësaj strukture, por edhe punonjës të tjerë kanë marrë një sërë masash, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërkohë që masa sigurie janë marrë edhe për ruajtjen e rezidencave diplomatike dhe ambasadave që janë të akredituara në Tiranë. Masa janë marrë edhe për sa i përket garantimit të sigurisë në rrugë dhe të institucioneve shqiptare, duke bërë që Policia Rrugore të mbajë në kontroll të vazhdueshëm të gjithë drejtuesit e mjeteve, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Ndërkohë, një bashkëpunim i ngushtë gjatë kësaj kohe do të mbahet me institucionet, si spitalet, shërbimet e emergjencës, urgjencën si dhe shërbimin zjarrfikës me qëllim shmangien e çdo avarie që do të ndodhë gjatë këtyre ditëve të festave të fundvitit. Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij viti policia kalon në shërbim të përforcuar, pasi në muajin gusht të këtij viti, strukturat e policisë së Tiranës kanë kaluar në këtë gjendje, për shkak edhe të një serie ngjarjesh kriminale që tronditën kryeqytetin, si dhe disa qytete të tjera të vendit.

“Shoferë, mos pini alkool!”

Nën drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, gjatë një dalje publike u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë mjetet e tyre në gjendje të dehur. Breçani ka theksuar se cilido që nga shoferët që do të kapet se ka konsumuar lëndë alkooli, do të penalizohet me masa administrative deri në heqjen e lejes së drejtimit. “Policia e Tiranës ka planifikuar masa dhe do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike. Këto kontrolle do të ushtohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme, si në qytet ashtu dhe në rrugët e linjave. Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, duke u nisur nga përvoja dhe analiza e viteve të kaluara, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarreve. Njëherësh, theksojmë, gatishmërinë maksimale të shërbimeve policore, për të kaluar gëzueshëm festat e fund vitit, duke kërkuar bashkëpunimin e mirëkuptimin e qytetarëve për të mos shkaktuar incidente të mundshme”, – ka deklaruar nëndrejtori Erzen Breçani. Ndërkohë, nisur nga kjo situatë, policia e kryeqytetit vë në dispozicion numrat telefonikë për të denoncuar çdo veprim të paligjshëm apo ngjarje aksidentale në numrat telefonikë pa pagesë nr. 129 dhe nr. 126.

Autopatrullat “Shqiponja”

Me rastin e festave të fundvitit do të implementohet edhe vënia në zbatim e strukturës së re të policisë. Tashmë ka filluar funksionimin seksioni i autopatrullës elitë “Shqiponja” në Drejtorinë e Policisë Tiranë, duke shtrirë funksionin e saj në qytetin e Tiranës në mbështetje të shërbimeve të tjera policore të sektorëve dhe të komisariateve të policisë në Tiranë. Shërbimi elitë “Shqiponja” është krijuar si një strukturë e nevojshme për të rritur performancën e shërbimeve policore për realizimin me sukses të misionit policor dhe të motivuar në çdo kohë për identifikimin, vlerësimin dhe zgjidhjen e shpejtë të problemeve që shqetësojnë komunitetin, përmes një partneriteti midis komunitetit dhe policisë, në planin e identifikimit dhe zgjidhjes së problemit. Shqiponjat kryejnë detyra dhe shërbime direkte për ruajtjen e rendit publik, parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, ruajtjen dhe sigurimin e objekteve, sigurimin dhe shoqërimin e personave të arrestuar, ndaluar, si dhe policimin në komunitet sipas drejtimit që mbulon në seksionin përkatës për përmirësimin e performacës së punës së policisë.

TABELA E MASAVE

1)    Parandalimi, zbulimi dhe goditja në kohë e çdo lloj tendence kriminale.

2)    Rritja e sigurisë në rrugë dhe parandalimi i ngjarjeve aksidentale.

3)    Sigurimi i rendit dhe qetësisë në gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në qendrat tregtare, bulevardet, sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve.

4)    Sigurimi i ambasadave, rezidencave të tyre, objekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit.

5)    Bashkëpunimi me shërbimet e emergjencës si: ambulancat, zjarrfikësit etj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency