“Edhe unë doja të shkoja në Eurovizion!”

0
145

Intervistoi: Enkeleda Peti

ardianiArdian Bujupi, djali nga Prishtina, erdhi në Festivalin e 51-të të Radio-Televizionit Shqiptar me këngën “I çmendur për ty”. Ai është këngëtar nga Kosova, por së bashku me familjen e tij u larguan nga Kosova gjatë luftës, për t’u vendosur në Heidelberg të Gjermanisë. Ai mori pjesë në “Deutschland sucht den Superstar” (Talent show në Gjermani si “Voice of Albania” apo “X-Factor”) dhe u kualifikua ne vendin e 3-të, por sipas jurisë: Dieter Bohlen, Fernanda Brandao dhe Patrick Nuo, ishte fituesi. Ardian Bujupi aktualisht 22 vjeç, shumë i lidhur me familjen e tij, që ashtu siç thotë ai vetë, “më japin energji”. Ai përveçse këndon luan edhe në bateri, në kohën e lirë dëgjon muzike R’n’B ose Hip Hop. Ka kënduar edhe në koncertin me rastin e 100-vjetorit, i cili u bë tek sheshi Nënë Tereza. Ardian Bujupi ishte një nga këngëtarët më të përfolur nga mediat apo rrjetet sociale për të fituar festivalin e 51 të këngës shqiptare në Radio Televizionin Shqiptar. Edhe pse kënga e tij u solli një frymë të re në festival ai nuk mundi ta fitojë dot. Madje edhe pas mbarimit të festivalit, njerëz të kanë komentuar në rrjetet sociale se ai që duhet të fitonte festivalin ishte Ardian Bujupi, pasi përveçse kishte një këngë shumë të bukur, emri i tij do ti sillte Shqipërisë pikë edhe nga shtete të ndryshme si Zvicra apo Gjermania ku Ardiani tashmë jeton. Ajo që vlen të theksohet është se ai e ka bërë vetë poezinë, kompozimin dhe orkestrimin. Ka deklaruar për mediat se kishte ardhur në festivalin shqiptar me qëllimin për të shkuar në Eurovizion, por që fatkeqësisht nuk e fitoi dot. Përpara performancës në natën finale të festivalit, arritëm t’i merrnim një intervistë, ku ai flet për muzikën, jetën e tij në Gjermani dhe sesi vendosi të merrte pjesë në festival.

 

Ardian, kënga juaj solli një frymë të re në festival?

 

Po, e kemi bërë vetë kështu, pasi ky ishte qëllimi, doja të sillja diçka të re në festival.

 

Si ju dukën këngët e festivalit?

Shumë mirë. Nuk e kisha pritur të ishin kaq të mira.

 

Juve, personalisht, cila ju pëlqeu më shumë?

Më pëlqeu shumë ajo vajza që e ka fituar një herë festivalin Kejsi Tola, “S’jemi më atje”, më pëlqeu shumë edhe Flaka Krelani.

 

Pse vendosët të merrnit pjesë në festivalin e Radio-Televizionit Shqiptar?

Unë kam marrë ftesë për këtë projekt. Kam qenë i lumtur që e kam marrë këtë ftesë dhe kam pas veç një këngë në stilin e zhanrit me orkestër, pasi bëj muzikë në gjuhë tjetër dhe për club. Kjo ishte e vetmja këngë për orkestër, kënduar live, të cilën e kam mbaruar për 2-3 ditë, dhe kam thënë “po do të marr pjesë”.

 

Nga kush ju erdhi ftesa?

Me babain tim kanë pasur kontaktet. Nuk e di tash nga kush.

 

Ju keni bërë një bashkëpunim me Noizin. A pritet ndonjë bashkëpunim tjetër me këngëtarë shqiptarë?

Ai nuk ka qenë një bashkëpunim me Noizin, ka qenë një remix. Unë veç kam bërë një këngë dhe ai e ka sjellë një remix. A pritet? Nuk e di a pritet. Nuk e di kush më përshtatet me muzikën teme. Kush është dhe shpirtërisht mirë për të bashkëpunuar se unë nuk e këqyri veç famën, por edhe nëse shkon shpirtërisht ky bashkëpunim. Domethënë nëse mundet të festohet së bashku një këngë. Tani do shoh me kureshtje nëse ndonjë këngëtar është gati për këtë, pse jo?

 

Si është jeta juaj në Gjermani?

Çdo ditë shkoj në studio ose jam në Angli apo Itali duke bërë xhirime për videoklipe. Sivjet kam qenë tek “Let’s Dance” ose “Dancing With the Stars”që bëhet në Gjermani, nuk e di si quhet këtu. Kam qenë në Gjermani, atje ka plot kështu “TV shows” që më ftonin.

 

Ju keni arritur të krijoni një famë në Gjermani, kështu?

Unë kam punuar shumë. Prej shtatë vjetësh po punoj në drejtim të muzikës. Jam shumë i lumtur që kam arrit kaq shumë, mirëpo nuk e kisha menduar se duhej të punoja kaq shumë. Domethënë ka punë për çdo ditë, dhe duhet të jap maksimumin çdo ditë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency