Viti politik i Berlinit 2013

0
127

berlini“Më pak stres!” Partia ‘E Majta’ ka filluar kohët e fundit nën këtë moto një fushatë kundër ngarkesës psikike gjatë punës së përditshme – dhe ka shumë gjasa që të paktën njëherë për këtë të kenë edhe miratimin e lagjes qeveritare në Berlin. Kjo, për faktin se një gjë është e sigurt: edhe në vitin 2013 kriza e Euros do të vërë në provë nervat çelik, buxhetin e udhëtimeve dhe afatin kohor të qarqeve politike në Berlin. Pesë nga 17 vendet e Eurozonës ndërkohë janë bërë të varura nga ndihmat, Gjermania është garanti dhe arkëtari më i madh. “Ne jemi të lidhur të gjithë me zonën e Euros dhe kjo karakterizon punën time. Punët e Evropës janë gjithmonë edhe punë të brendshme”, – tha Kancelarja Angela Merkel në videomesazhin e saj mujor në dhjetor.

Kjo do të vlejë edhe më shumë për vitin 2013 si vit i zgjedhjeve të përgjithshme, nëse kriza do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin kombëtar gjerman dhe do të dëgjohen thirrje të reja për ndihmë. Për Merkelin shkalla më e lartë e alarmit është: Nëse gjermanët humbasin besimin në aftësinë e tyre si “Euro-Shpëtimtar” atëherë një mandat i tretë për të si Kancelare do të jetë me të vërtetë në rrezik.

Por, nëntë muaj para datës së zgjedhjeve, gjendja duket goxha e mirë për Kancelaren, edhe pse koalicioni i saj, sipas sondazheve të fundit, nuk e ka shumicën. Nga njëra anë rënia e partnerit liberal në koalicion mund të mos vazhdojë më dhe nga ana tjetër Merkel ka edhe opsione të tjera. Kjo për faktin se Unioni i saj kristian është qartë forca më e madhe politike në vend. Pasi që socialdemokratët (SPD) dhe të Gjelbrit nuk mund të kenë votat e mjaftueshme dhe ata nuk duan të formojnë një koalicion me të majtën, atëherë nga këndvështrimi i sotëm nuk mund të bëhet asgjë pa Unionin e Merkelit.

 

Koalicion i madh – me Merkel-in, pa Steinbrück-un?

Prandaj, më nuk përjashtohet një i ashtuquajtur koalicion i madh mes CDU-së dhe SPD-së nën drejtimin e Merkel-it. Paralajmërimi i kandidatit socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück se nuk është në dispozicion për një kabinet të tillë qeveritar do të thotë që ai nuk do të jetë pastaj zëvendëskancelar dhe në vend të tij mund të kalojë Frank-Walter Steinmeier. Në Berlin po spekulohet gjithashtu edhe për një koalicion qeveritar mes Unionit dhe të Gjelbërve. Eksperimenti i parë qeverisës zi e gjelbër (Union – Të Gjelbrit) ka dështuar para dy vitesh në landin e Hamburgut.

Si një provë paraprake për zgjedhjet e përgjithshme po shihen edhe zgjedhjet në landin e Saksonisë së Poshtme. Atje Partia Liberal,e e cila qeveris së bashku me CDU-në është në rrezik që të largohet nga Parlamenti. Kjo do të ishte një shenjë e keqe për koalicionin e Berlinit dhe ndoshta edhe fundi i Philip Rösler si udhëheqës i FDP-së.

Fushata elektorale gjermane nuk do të kursejë as betejën kundër krizës së Euros. Qeveria federale dëshiron të zhvendosë rreziqet për buxhetin gjerman deri në kohën pas zgjedhjeve, si për shembull financimin e drejtpërdrejtë nga bankat përmes Bankës Qendrore Evropiane ose një tjetër ristrukturim të borxhit për Greqinë.

 

Pranvera Arabe, Siria dhe Afganistani

Sa i përket politikës së jashtme, qysh tani pritet të zhvillohet një vizitë e vështirë në kryeqytetin gjerman: Presidenti egjiptian Mohamed Mursi pritet në Berlin pikërisht në kohën kur në Egjipt po zhvillohet një konflikt i ashpër midis forcave islamiste dhe laike. Pasojat e “Pranverës Arabe”, e cila u shoqërua me shumë simpati në Evropë me siguri që ishin paramenduar ndryshe. Megjithatë, qeveria gjermane dëshiron të qëndrojë ende në kontakt dhe të bisedojë me këtë vend të rëndësishëm arab.

E njëjta gjë vlen edhe për vendin e origjinës të “Pranverës Arabe”, Tunizinë. Edhe atje islamistët dhe liberalët po zhvillojnë një luftë për pushtet dhe zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen në qershor 2013. Një sfidë tjetër për politikën e jashtme gjermane mbetet Siria në kufirin e të cilës në vitin e ardhshëm do të stacionohen 400 ushtarë të Bundeswehrit me dy sisteme të mbrojtjes raketore të Tipit “Patriot”. Qëllimi i tyre kryesor do të jetë mbrojta e Turqisë si vend partner i Aleancës Veriatlantike. Bundeswehri do të ketë kështu rreth 7.000 trupa jashtë vendit edhe pse numri mund të bjerë pasi që të fillojë tërheqja e trupave nga Afganistani në vitin 2013.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency