Sigurimet, janar-nëntor, rriten 5 për qind primet, 29 më shumë pagesa dëmesh

0
131

Blendi Hasani

               

makinaTë ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit, në periudhën janar-nëntor 2012, arritën rreth 8,033 milionë lekë, ose 4.65% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

 

Gjatë periudhës janar-nëntor 2012, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,097,726 me një ulje prej 7.56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.05% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 9.65% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.30%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 49.48% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 50.52% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2012, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,455 milionë lekë ose 28.76% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2011.

 

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

 

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën rreth 4,058 milionë lekë, ose rreth 17.25% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-nëntor 2012, pati rritje prej 45.82% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 1.09% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2011.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-nëntor 2012, pati rritje prej 25.59% për primet e shkruara bruto dhe po kështu u rrit edhe numri i kontratave me rreth 183.87% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar.

Produkti Karton Jeshil, gjatë periudhës janar-nëntor 2012, pati ulje me 41.29% për primet e shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-nëntor të 2011, ndërsa numri i kontratave pati rritje prej 19.56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ulje e primit shkruar bruto Karton Jeshil lidhet me liberalizimin tregut të sigurimit të detyrueshëm në gusht të vitit 2011.

 

Sigurimi Vullnetar

 

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-nëntor 2012, arritën rreth 3,975 milionë lekë, ose 5.69% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu ulje pësoi edhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar me 32.61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-nëntor 2012, patën ulje me rreth 2.52% kundrejt periudhës janar-nëntor të vitit 2011.

Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës raportuese siguruan rreth 2,036 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 76.31% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 15.57% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2012, ndihet një rritje prej 16.76% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 2.40% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2011.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2012, arritën në rreth 571 milionë lekë, duke shënuar ulje prej 29.85% në krahasim me periudhën janar-nëntor të vitit 2011. Peshën më të madhe të të ardhurave të këtij grupi e mbajtën Sigurimet e aksidenteve me rreth 62.16% të totalit.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2012, arritën rreth 775 milionë lekë, ose rreth 17.52% më pak se janar-nëntor i vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

 

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2012 u rritën me rreth 28.76% krahasuar me janar-nëntor të vitit 2011. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,834 milionë lekë, apo 74.71% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

 

TAPi përshëndet dhënien e statusit Me rëndësi kombëtare” nga qeveria shqiptare

Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) i jepet statusi “Me rëndësi kombëtare” nga Këshilli Kombëtar i Territorit i drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Kjo i hap rrugë hartimit të Planit Sektorial Kombëtar për Projektin TAP. Hartimi i këtij dokumenti do të drejtohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Me marrjen e këtij statusi, korridori me gjerësi prej 500 metrash i TAP-it deklarohet “zonë kombëtare”.

Kjetil Tungland, drejtori i TAP-it, tha: “Jam i lumtur që TAP-i u njoh si një projekt me rëndësi kombëtare për Shqipërinë. Ky është një nder i madh dhe dua të falënderoj Këshillin Kombëtar dhe vetë Kryeministrin që i dhanë TAP-it këtë status kaq të rëndësishëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë nga afër së bashku me qeverinë shqiptare për realizmin e TAP-it, projekt i cili do të lehtësojë lidhjen e Shqipërisë me rrjetin energjetik të Evropës”.

TAP-i do të jetë një nga investimet më të mëdha të huaja të realizuara deri më sot në Shqipëri, me një vlerë prej afërsisht 1 miliardë euro. Gjatë ndërtimit të gazsjellësit, TAP-i do të sjellë punësim në vend; në ndërtim, transport dhe komunikim, prodhim dhe shërbime komunale, tregtie, financiare dhe të shërbimeve të biznesit, dhe po ashtu do të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturës kyçe në vend siç janë rrugët. TAP do t’i sigurojë gjithashtu Shqipërisë mundësi për të zhvilluar një treg gazi të brendshëm dhe lidhje me rrjetet e gazit në rajon.

 

 

Ulet ndjeshëm deficiti tregtar, 15.6 për qind më pak se në 2011-ën

INSTAT ka bërë të njohura dje shifrat e lëvizjes së mallrave në tregtinë e jashtme për muajin nëntor 2012. Sipas statistikave zyrtare, rezulton se defiçiti tregtar i këtij muaji është 25,6 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 3.9 përqindësh krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 15.6 përqindësh krahasuar me Nëntor 2011.

Në nëntor 2012 u eksportuan 19.4 miliardë lekë mallra, me ulje 2.7 për qind në krahasim me tetorin 2012, por rritje të ndjeshme me 15.5 për qind në krahasim me nëntorin 2011. U importuan 45 miliardë lekë mallra, 3.4 për qind më pak se në tetor 2012 dhe ulje 4.5 për qind në krahasim me nëntorin 2011.

Tregtia me vendet e BE-së ze 65.9 për qind të totalit. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Tregtia me Italinë ze 38.4 për qind, ndërsa me Greqinë është 6.7 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë, për eksportin, Austri, Kinë, Rusi, Turqi, Zvicër, etj, dhe për importin, Austri, Belgjikë, Kosovë, SHBA, Spanjë, etj.

Eksporti i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 12.9 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 7 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 6.8 për qind. Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 14 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 12.7 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 6.7 për qind, etj. Importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 19.5 për qind.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency