Fundi

0
225

Samuel Beckett

 

fundiAta më veshën dhe më dhanë para. E dija përse hynin në punë paratë, më duheshin që t’ia nisja. Dhe kur të mbaronin do më duhej të gjeja të tjera në qoftë se doja të vazhdoja. Po njësoj edhe me këpucët, kur ato te shqepeshin mua do më duhej t’i qepja apo të gjeja një pale të tjera, ose të ecja këmbëzbathur në qoftë se doja të vazhdoja. As e vlen ta përmendësh, por njësoj kjo punë edhe për pallton dhe pantallonat, vetëm se me këtë dallim që unë mund të vazhdoja me po ato mëngë këmishe në qoftë se doja të vazhdoja. Veshja, këpucët, çorapet, pantallonat, këmisha, palltoja, kapelja, nuk qenë të reja, por i ndjeri duhet të ketë qenë pakëz më i shkurtër dhe cazë më i dobët, sepse në fillim fare teshat nuk më vinin kaq mirë sa ç’më erdhën nga tani fundi, sidomos këmisha dhe shkuan një dorë e mirë ditësh para se të arrija të mbërtheja te gryka kopsën e sipërme apo ta vishja me kollaren që i rrinte më mirë apo të bashkoja lidhëset mes këmbëve në mënyrën që më kishte mësuar nëna. Ai duhet ta ketë vënë për herë të parë në kokë të Dielën kur ka shkuar në këshillimore, pa bënte më ballë. Qoftë kështu, kapelja qe një lë gjendje shumë të mirë.

Unë thashë, Ti mbaje kapelën tënde dhe kthemë timen. Dhe shtova, kthemë pallton. Ata m’u kthyen e thanë që i kishin djegur të gjitha bashkë me rrobet e tjera. E kuptova që fundi qe afër, po të paktën qe afër. Më vonë u përpoqa ta ndërroj këtë kapele për një kapë apo ndonjë gjë të ngjashme që të mund të ma vinte poshtazi fytyrën, por pa sukses. E megjithatë unë s’mund të shkoja kokëzbathur, me kafkën në atë gjendje. Në fillim kjo kapele më rrinte fare ngushtë,

me kohë pastaj m’u volit. Pas diskutimesh të gjata, ata më dhanë një lidhëse. Dukej si lidhësja e duhur por mua as që më pëlqeu. Kur më në fund m’u dha qeshë shumë i lodhur ta ktheja mbrapsht. Por në fund të fundit më vleu shumë. Nuk isha në terezi por ata më thënë që isha mirë. Ata as nuk morën mundim t’i binin ca më gjatë me fjalë që unë isha po aq mirë sa ç’kam qenë përherë, por tamam këtu ndërlikohet puna. U shtriva si pa frymë në shtrat dhe u

deshën tri gra të më vishnin pantallonat. Ato, u duk hapur që nuk shfaqën ndonjë interes për pjesët e mia intime të cilat me thënë të vërtetën as e vlenin vëmendjen. Por ato mund ta kishin hedhur ndonjë vërejtje. Kur patën mbaruar unë u ngrita dhe vesha pa ndihmën e tyre gjithë ç’më kish mbetur pa veshur. Ata më thanë të rrija në shtrat e të prisja. Gjithë shtrojat qenë zhdukur. Kjo m’i cingërisi nervat, por ata nuk me lanë të prisja në shtratin që njihja, duke më lënë në atë të ftohtë karfosur në këto rroba që vinin era sulfur. Unë thashë, Të më kishit lënë në shtrat sa të vinte ora. Dy burra të veshur në të bardha erdhën me çekiç në duar. Ata çmontuan shtratin dhe i morën me vete tërë pjesët. Njëra prej grave i ndoqi ata jashtë, pastaj u kthye me një karrige

në duar që e vuri përballë meje. Çfarë nuk sajova që t’iu dukesha i nevrikosur. Por që ta bëja atyre fare të qartë sa i xhindosur qeshë që ata nuk më lanë në shtratin tim deri sa të

vinte ora, ia rrasa me shkel karriges me sa më hante krimba dhe ajo fluturoi në ajër. Një burrë mu afrua dhe më dha shenjë të ndiqja. Në korridor ai më zgjati një fletë që ta firmosja. -Po kjo, ç’është, leje kalimi? Është dëftesë pagese, – më tha ai, – për rrobat dhe paratë që more. Ç’para, fola unë. Aty shkruhej se paratë i kisha marrë. Dhe të mendosh që po dilja që andej pa qindarkë në xhep. Shuma në fjalë nuk qe ndonjë kushedi krahasuar me shuma të tjera. Por m’u duk goxha. Pashë sendet e dashura, shokë në ato orë të pafundme e të zvargura. Froni, për shembull, më i dashuri për mua. Mbasditeve të stërgjata prisnim së bashku të vinte ora e gjumit. Me kohë ndjeva jetën e tij të drunjtë të më pushtonte gjer kur u bëra edhe unë vetë pjesë e drurit të tij të vjetër. Madje kishte edhe një vrimë për cistin tim. Pastaj kanati i penxheres shkoi bashkë me mballomat e akullit ku m’u e zakon të ngjeshja syrin në orët e nevojës e më rrallë akoma prej kotësisë. -Të detyrohem shumë, – i thashë, – a ka ndonjë ligj që të ndalon ty të më nxjerrësh në rrugë lakuriq e xhepshpuar? Kjo do ta dëmtonte emrin që gëzojnë në kaq vjet. -Po ata, – thashë, – s’ mund të më mbajnë edhe ca kohë, ndofta këtu mund të jem i dobishëm. I dobishëm, tha ai, t’i lëmë tani shakatë, pse ti mund të bëhesh i dobishëm? Një grimë herë më vonë shtoi, Sikur ata të besonin se ti vërtetë dëshirojë të ishe i dobishëm këtu, nuk ka pikë dyshimi që do të të kishim mbajtur. Sa herë thashë që do ta detyroj veten të jem i dobishëm, saqë do bëja çap t’ia filloja prapë nga e para. Sa i dobët u ndjeva! Thashë, po ndofta ata jepnin pëlqimin të më kthenin paratë dhe të më mbanin edhe ca. Ky është institucioni bamirës, tha ai, dhe paratë të dhurohen kur largohesh që këtej. Kur të të mbarohen duhet të gjesh të tjera, në qoftë se do të vazhdosh akoma. Çfarëdo të bësh kurrë mos u kthe më këtu, derisa s’do të të hapet kurrë. As në degët tona mos u duk, kanë për të të kthyer mbrapsht. -Exelmans! -Brita unë. -Hajde, hajde pa askush nuk kupton as një të njëqindtën e asaj që thua. Ndihem i mplakur, – fola. Nuk je aq sa e bën ti, -tha ai. Sikur të rrija, dhe ca këtu, edhe ca, sa të pushonte shiu? Mund të presësh tek manastiri, – tha ai, – shiu do vazhdojë tërë ditën e ditës. Mund të presësh te manastiri deri më gjashtë, kur të dëgjosh kambanën. Po të të pyesë ndokush, mjaft t’u thuash që ke leje të qëndrosh në manastir. Ç’emër t’i them? – thashë unë. Ueir, -më tha. Nuk ndenja shumë në manastir, kur shiu mbeti e ja dhe dielli. Ai qe i ulët dhe po të llogarisje stinën, i binte aty tek ora gjashtë. Unë mbeta atje duke vështruar përmes harkut të gurtë diellin, ndërsa zbrita poshtë mbrapa manastirit. U duk dikush dhe më pyeti ç’po bëja. Po ti ç’bën këtu? qenë fjalët që foli ai. Tepër dashamire. Ia ktheva se kisha leje nga zoti Ueir të rrija gjer në gjashtë në manastir. Ai shkoi por u kthye me një frymë. Aty brenda duhej të kish folur me zotin Ueir. Tani kisha marrë rrugën time, nëpër kopsht. Qe ajo dritë e çuditshme që vjen pas një dite qullur në shira, kur dielli u dha e qielli u kthjellua kaq vonë sa nuk e vlente. Toka nxori një si psherëtimë dhe ranë pikat e fundit prej qiellit të zbrazët e pa re. Një vogëlush me krahët e nderur e me sytë nga qielli blu, pyeti nënën e vet si qe e mundur gjithë një gjë e tillë.

-Ç’më rrokanis veshët, -tha ajo. Papritur u kujtova që nuk më kishte rënë në mend t’i kërkoja zotit Ueir, një kafshitë bukë. Ai patjetër do më kishte dhënë. Ç’është e vërteta e kisha ndër mend t’ia thoja gjatë bisedës që bëmë tek korridori, thashë me vete, Të mbarojmë bisedën njëherë, pastaj ia kërkoj. E dija fort mirë që do më jepnin duart. Do isha kthyer prapë me gjithë qejf, por kisha frikë mos njëri nga rojet do të më ndalte e më thoshte që unë nuk do ta shihja më kurrë zotin Ueir. Ajo gjë mundet të ma ketë shtuar mërzinë. Unë sido të jetë nuk u ktheva më kurrë atje.

Në rrugë humba. Këto anë të qytetit u bë kohë që nuk i kisha shkelur dhe ndaj m’u duk i ndryshuar me rrënjë. Tërë ndërtesat qenë fshirë nga faqja e dheut, pahitë kishin ndërruar vend, dhe nga të katër anët pashë të shkruar me gërma të mëdha emrat e tregtarëve që kurrë nuk m’i kishte zënë syri më parë dhe do qe kohë e humbur t’i përmendje. Kishte rrugë që as i kujtoja, disa nga ato që mbaja mend qenë zhdukur, të tjerat kishin ndërruar emër. Mbresa e përgjithshme qe njësoj si përpara. E vërtetë, nuk e njihja qytetin dhe aq sa kujtoja. As nuk ia kisha idenë ku po më shpinin këmbët. Unë kisha një fat vërtetë të madh, edhe më të madh se dikur, fatin që të mos ngutesha. Pamja ime i bënte ende njerëzit për të qeshur, me atë të qeshur gjithë zemër e kaq gazmore e që i bën kaq mirë shëndetit. Duke mbajtur me aq sa mundesha qiellin e përskuqur më të djathtën e pamjes time, mbërrita gjer te lumi. Më sy të parë këtu gjithçka dukej pak a shumë siç e kisha lënë. Por po ta shihja ca më nga afër patjetër do kisha pikasur ca si shumë ndryshime. Dhe vërtet që kështu bëra pak më vonë. Por pamja e përgjithshme e lumit që rridhte mes brigjeve dhe poshtë urave të veta, as nuk kish ndryshuar. Kështu pra, lumi më dha përshtypjen se po shkonte drejtim krejt të gabuar. Ndjej se e gjithë kjo është një deng me mashtrime. Ndenjësja ime qe atje akoma. Qe bërë e tillë që t’i përshtatej formës së trupit që ulej. Gjendej buzë me një lugare citë me ujë, dhuratë e njëfarë zonje Makuell për kuajt e qytetit, sipas mbishkrimit. Për aq pak kohë sa ndenja atje, shumë kuaj ia panë hajrin atij monumenti. Patkonjtë e hekurt u afruan, u ndje edhe tingëllima e pajimeve. Pastaj heshtje. Qe kali ai që m’i kish ngulur sytë. Dhe pastaj shkrifërima e guriçkave dhe turbullira që lë në ujë kali pasi ka pirë. Dhe prapë heshtje. Kali m’i kishte ngulur sytë prapë. Prapë guriçkat. Tjetër heshtje. Deri kur kali mbaroi së piri apo karrocieri e gjykoi se kali i tij e mbaroi racionin e vet. Kuajt sikur nuk qenë në terezi. Dikur zhurma u resht, u ktheva dhe pashë kalin që më shihte. Këtë bënte edhe karrocieri. Zonjës Maksuell do t’i ngrohej zemra po të shihte sesi lugarja e saj u shërbente aq mirë kuajve të qytetit. Kur pas muzgut tinëzar erdhi nata, unë hoqa kapelën që më falte aq dhembje. U dëshirova të isha prapë në shtroja, në një vend të zbrazët, të mbyllur, të ngrohtë, të zgjidhja një llambë vaji me një hije të trëndafiltë që të më vinte pas shijes. Kohë më kohë të mund të vinte dikush e të sigurohej që unë ndihesha mirë e që nuk më nevojitej gjë. Shkoi gjatë që kur u pata dëshiruar për gjëra dhe pasoja mbi mua qe e tmerrshme. Ditëve në vazhdë trokita në disa banesa me qera, por pa dobi. Ata zakonisht ma përplasnin derën turinjve, madje edhe kur u tregova paratë dhe desha të parapaguaja për një apo dy javë. Më kot u përpoqa me ato mënyrat e mia, buzëqeshja dhe e folura shkoqur, ata ma mbyllnin derën para hundëve pa i sosur akoma ato pak fjalë që nxirrja. Kjo qe dhe koha që përkreva metodën e heqjes së kapelës sa njerëzishëm aq edhe prerazi, as servile as edhe harbute. E zgjatja atë përpara me të shpejtë, për një sekondë të vetme, mbajtur në mënyrë të atillë që personi që i drejtohesha të mos ma shihte dot toçin e kokës, pastaj e tërhiqja me po atë vrik prapa. Nuk qe e lehtë ta bëje këtë gjë natyrshëm pa krijuar njëfarë bezdisje te tjetri. Kur e gjykova që vetëm prekja e kapelës qe mëse e mjaftë, unë natyrisht që nuk u shtyva më tutje. Por të prekësh lehtë majën e kapeles nuk është dhe gjë fort e lehtë. Ca më vonë e zgjidha këtë çështje, përherë kapitale në periudha varfërie, duke vënë beretë dhe duke përshëndetur në mënyrë ushtarake, por jo, këtu duhej të qe dhe gabimi, nuk di ç’të them, më së fundi unë pata kapelen time. Kurrë nuk bëra gafën të vija medalje. Disa pronare shtëpish qenë në të tillë hall parash sa më lanë të futesha menjëherë brenda dhe më treguan dhomën. Po ja që nuk u gjeta dot në një mendje me ndonjërën prej tyre. Më së fundi gjeta një bodrum. Kësaj radhe me këtë grua rashë menjëherë në ujdi. Huqet e mia, kështu tha shprehimisht ajo, as nuk e shqetësonin. Megjithatë ajo këmbënguli që një herë në javë të pastronte dhomën e të mataronte shtratin dhe jo një herë në muaj siç kërkova unë. Më tha që gjatë kohës që ajo pastronte, dhe kjo nuk është se zgjatte shumë, unë mund te prisja sipër. Ajo shtoi me një zë që të këpuste shpirtin, se kurrë nuk do te më nxirrte në kohë të keqe. Kjo grua është greke, mendova, ose turke. Kurrë nuk foli për veten. Më ra pastaj në mend mos qe e ve apo e ndarë nga burri. Ajo kishte një theks të çuditshëm. Por edhe unë të tillë e kisha, me atë të folurën time që i hante zanoret e stërgjaste bashkëtingëlloret. Tashmë as nuk e dija ku ndodhesha. Kisha një vizion të vagullt, jo vizion real, nuk shihja asgjë, për një shtëpi të madhe me pesë apo gjashtë kate, ndofta njëra nga shtëpitë e bllokut. Kur u gjenda atje kishte rënë muzgu dhe nuk se i kushtova të njëjtën vëmendje rrethanave të mia siç mund të kisha bërë në qoftë se kisha dyshimin se ato qenë shumë afër meje. Dhe në atë kohe duhet t’i kem humbur gjithë shpresat. Është e vërtete se dita kur e lashë këtë shtëpi qe një ditë e lavdishme, por kur ika nuk pashë qoftë edhe një herë të vetme prapa. Kur qeshe i vogël, diku duhet të kem lexuar, dhe ende lexoj që kur ikën është mirë të mos i kthesh sytë mbrapa. Por unë ndonjëherë e bëja. Por edhe pa kthyer sytë mbrapa, mua më duket se diçka duhet të kem parë teksa ikja. Por ja ku është. Gjithë ç’kujtoj janë këmbët e mia që shkonin njera prapa tjetrës e që i shpëtonin hijes sime. Këpucët më qenë përtharë dhe dielli e plasariti lëkurën tyre.

Më duhet ta them që në këtë shtëpi ndihesha mëse rehat. Hiq këtu minjtë, unë isha i vetëm në atë troll. Gruaja bëri të pamundurën për të respektuar marrëveshjen që bëmë. Rreth mesdite më solli një tabaka të madhe me ushqime dhe mori me vete tabakanë e ditës së shkuar. Po kështu më solli edhe një oturak të pastër. Oturaku kishte një dorezë të madhe të cilën ajo e shkoi te njeri krah dhe kështu i kishte duart e lira për të mbajtur tabakanë. Pjesën tjetër të ditës nuk e shihja më përveç rasteve kur ajo fuste kokën për t’u siguruar që nuk më kish ndodhur gjë. Për fat as që më duhej as një fije përkujdesje. Që nga shtrati shihja këmbët që shkonin e vinin mbi trotuar. Mbrëmjeve të qeta kur koha qe e mirë dhe unë ndihesha njësh me të, e nxirrja karrigen sipër dhe ulesha të shihja dekoltetë e grave që shkonin atje pari. Njëherë qërova për një rrënjë krizanteme dhe e mbolla në atë vend të errët ku rrija, në një kusi të ndryshkur. Mund të ngjallej e të çelte, por mbase nuk i kishte ardhur koha. E nxora kusinë jashtë, i lidhur me një fije i shkova dritares përmes. Në mbrëmje, kur koha qe xham, një si blane drite kacavirrej tek muri. Pastaj u vura ndanë dritares dhe tërhoqa fijen që ta afroja kusinë në dritë e në të ngrohtë. Dhe kjo nuk kish qenë e kollajtë, s’di si ia dola. Ndofta kjo gjë nuk i bënte mirë lules. E plehëroja sa mundja dhe kur moti thahej i pshurrja përsipër. Ndofta nuk i bënte mirë. U duk sikur do çelte, por s’dha kurrë lule, vetëm një kërcell të mekur e ca gjethëza me ngjyra. Ma donte zemra një krizantemë verdheshe, qoftë edhe zymbyl, por ja që s’qe e thënë. Gruaja donte të ma hiqte që aty, por i thashë të mos e luante nga vendi. Donte të më blinte një tjetër, por i thashë që nuk kish ç’më duhej. Ajo që m’i skërfiste më shumë nervat qe poterja e picirrukëve të gazetave. Vinin tërë potere çdo ditë te lume e në të njëjtën orë, me ato thundrat që i përplasnin në trotuar e duke thërritur emrat e gazetave madje edhe kryetitujt. Zhurmat e shtëpisë i duroja më kollaj.

Një çupë, në mos qe djalkë, më këndonte sipër kokës çdo mbrëmje dhe në të njëjtën orë, por dhe të njëjtën këngë. Për shumë kohë nuk ia kapja dot fjalët. Po zaten duke ma vrarë veshin përditë, më në fund sikur kuptova ca. Fjalë të çuditshme për një çupëlinë apo dhe djalkë qoftë. Mos më këndonte truve ajo këngë apo thjeshtë vinte që matanë? Them se qe një tip ninulle. Shpesh më vinte në gjumë, pale edhe mua. Ndonjëherë aty vinte një vajzë e vogël. Ajo kishte flokë të gjatë e të kuq që i binin e ndaheshin poshtë në dy gërsheta. As nuk e dija e kujt qe, sillej njëherë nëpër dhomë mandej dilte pa thënë një fjalë. Një herë bujti tek unë një polic. Më tha që do të më mbikëqyrte, pa denjuar të shpjegonte psenë. I dyshimtë, kjo qe, më tha që qeshë i dyshimtë. E lashë të fliste. Nuk guxoi të më hidhte prangat. Ose kishte zemër të butë. Edhe një prift, një ditë më vizitoi edhe një prift. E sqarova se i përkisja një ndjenje të reformuar të kishës. Më pyeti ç’lloj prifti do t’më pëlqente të takoja. Po, një prej atyre të kishës së reformuar, je i humbur, është e pashmangshme. Po ndofta qe zemërmirë. Më pyeti mos kisha ndonjë nevojë për një dorë ndihmë. Një dorë ndihmë? Pastaj më dha emrin dhe më sqaroi vendin ku mund ta gjeja. Duhej ta kisha mbajtur shënim. Një ditë gruaja më ofroi diçka. Më tha që i duhej urgjent një dorë parash dhe sikur unë të paguaja gjashtë muaj paradhënie do të më ulte një të katërtën e shumës, diçka të tillë. Kjo kishte të mirën se shpëtoja gjashtë javë qira, por dhe të keqen se më firaste tërë xhepin. Po a mund ta quash dot këtë disavantazh? S’mundesha dot të qëndroja deri kur të më mbarohej edhe qindarka e fundit, madje edhe më tepër, gjer kur ajo të më nxirrte nga shtëpia? Ia dhashë paratë në dorë dhe ajo më shkroi një dëftesë. Një mëngjes, nuk kish kaluar shumë nga dita e asaj marrëveshjeje, u zgjova nga një dorë burri që po më shkundte nga supet. Nuk duhej të kishte kaluar shumë nga njëmbëdhjeta. Ky më tha të ngrihesha e t’ia mbathja menjëherë që andej. Më duhet të them se qe tepër korrekt. Edhe ai vetë, siç më tha, nuk qe më pak i befasuar. Atë shtëpi e gëzonte ai. E kishte pronë të vetën. Ajo turkesha kishte ikur një ditë më para. Po dje në darkë unë e pashë me këta sy, thashë unë. Me siguri të kanë bërë, më tha ai, sepse ajo më la çelësat jo më vonë së dje mbasdite. Po unë dhe e parapagova për gjashtë muaj qerane, thashë unë. Shko merrja, me tha. Po unë nuk i di as emrin, ajo la vetëm adresën, fola unë. S’ia ditke emrin? ia bëri ai. Mund të ketë menduar se po e gënjeja. Jam i sëmurë, fola, nuk mund të iki kështu kuturu. Nuk je më i sëmurë se të tjerët, tha ai. Madje më ofroi edhe taksi apo ambulancë po të dëshiroja. Më tha se dhoma i duhej menjëherë për shkak të derrit që ndërsa po fliste po dridhej nga i ftohti majë asaj qerreje të ndalur para derës së shtëpisë dhe se tani që po flisnim bashkë nuk kish kush t’i hidhte sy atij derri përveç një picirruku arrakat që e kish lënë aty pranë e nga që derri nuk ia kish parë kurrë më parë bojën këtij zbatharaku, në këtë çast me siguri po rraskapitej prej stërmundimit. I kërkova mos më gjente ndonjë tjetër vend, ndonjë qoshe të vjetër ku të merrja veten nga tronditja e të vendosja pastaj çdo të bëja. Më tha që nuk mundej. Mos më pandeh zemërgur, shtoi. Mund të rri këtu bashkë me derrin, -thashë unë, -do përkujdesem edhe për të. Ato muajt e gjate të paqes u fshinë përtej me një të rënë të lapsit. Mjaft tani, mjaft, gjej një çikë forcë, mblidhe veten, ti je burrë. Në fund të fundit nuk qe hisja e tij. Qe treguar vërtetë i duruar. Ai mund ta shihte para e mbrapa vendin ku rrija pa më zgjuar fare.

U ndjeva i dobët. Ndofta qe e vërtetë. U çapita në dritën verbuese. Një autobus më mori deri në fshat. Mora tatëpjetën për nga një fushë nën diell. Por mua m’u duk se qe tepër vonë. Ngjesha gjethe nën kapele që të më bënin fresk. Nata qe e ftohtë. Për orë të tëra u solla fushave. Së fundi hasa një deng plehu. Ditën tjetër u ktheva në qytet. Ata më bënë të ndërroja tre autobusë.

U ula buzë rruge dhe tera rrobat e mia në diell. Kjo gjë më kënaqi sa s’bëhet. Thashë me vete, Tani nuk ke për të bërë gjë prej gjëje, as edhe një të vetme, gjersa të të jene tharë rrobat. Kur ato qene tharë, i pastrova me furçë, një lloj kruajtëse më saktë, të cilën e gjeta në një stallë. Stallat përherë kanë qenë shpëtim për mua. Pastaj u ktheva te shtëpia dhe lypa një gotë qumësht edhe një fetë me gjalpë. Ata më dhanë ç’desha hiq gjalpin. Sikur të rrija në stallë! U thashë. Jo, më thanë. Unë kutërboja akoma, porse me një lloj cilësie që më pëlqente. Këtë ia pëlqeja shumë vetes e cila për më tepër më mbronte nga të nuhaturit, pa llogaritur hera herë ndonjë si puhizë. Ditëve në vazhdim, ndërmora hapat e nevojshëm të mbuloja nevojat për para. Nuk di me saktësi se ç’ndodhi, nëse nuk e zbulova dot adresë apo as që kishte një adresë të tillë, apo dhe që atë greken as që ia kishin dëgjuar zënë në ato anë. Rrëmova nëpër xhepa për dëftesën të shihja emrin. Por nuk e gjeta. Ndofta ma kishte marrë kur më kish zënë gjumi. S’di sa kohë u solla me këto mendime duke ndenjur herë në një vend e herë në një tjetër, sa n ë qytet aq edhe në fshat. Qyteti kishte përjetuar boll më ndryshime. Por as fshati nuk kishte mbetur siç më kujtohej mua. Pasoja e përgjithshëm qe e njëjtë. Një ditë sytë më kapën evlatin tim. Po ecte rrugës me një çantë lëkure nën sqetull. Hoqi kapelen dhe u përkul aq sa ia dallova atë kokën e shogët si të një plaku. Thuajse qeshë i sigurt që qe ai. U ktheva ta ndiqja pas. Po ecte ngeshëm me ato shputa si të patës duke anuar, ngritur e hedhur atë kapele sa majtas djathtas. Ai bir kurve që nuk durohej as dhe një minutë të vetme. Një ditë takova një njeri që e kisha njohur kohë më parë. Jetonte në një shpellë buzë detit. Kishte një gomar që kulloste përherë dimër-behar, majë shkëmbinjve apo dhe përgjatë atyre dhiareve që të shpinin për në det. Kur moti tërbohej ky gomari zbriste prej shkëmbinjve e vinte drejt e në shpellë me atë akordin e vet dhe ulej e priste sa të kalonte stuhia. Kështu që duhet të kenë kaluar shumë net kutullepsur së bashku, ndërsa era oshtinte dhe deti plandosej mbi brigje. Falë këtij gomari ai mundej të mblidhte rërë, leshterikë, guaska për qytetarët që u duheshin për kopshtet e tyre. Për çdo rrugë që bënte ai nuk shpinte ndonjë gjë kushedi pasi vetë gomari qe plak, shtatvogël dhe qyteti qe larg. Por me këtë mënyrë ai bënte ca para që i dilnin për duhan e shkrepëse, herë pas here edhe për ndonjë franxhollë. Në njërën prej këtyre vajtje-ardhjeve më gjeti mua nëpër ato rrethina. Ai i shkreti u ngazëllye që më pa. Mu lut të shkonim për darkë nga shtëpia e tij. Rri sa të kesh qejf, më tha. Ç’pati ky gomari yt, i thashë. Mos ia vër re, më tha, ngaqë nuk të njeh. I kujtova atij të shkreti se më qe bërë zakon që të mos rrija më tepër nga dy tre minuta me njeri dhe që deti nuk më kishte në sy të mirë. Mu duk se ai, tek dëgjonte u mërzit shumë. Pra, nuk do të vish, -më tha. Por për çudinë time u gjenda mbi gomar dhe ikëm nëpër hijen e gështenjave kuqashe që ndereshin nga të dyja anët e rrugës. Gomarin e mbaja nga kapistra me duart bri njëra tjetrës. Picirrukët më tallën e më gjuajtën me gurë, por qëllimi i tyre vajti dëm, pasi vetëm një gur më zuri edhe ai vajti e i ra kapeles. Një polic na zuri rrugën e na akuzoi për prishje të qetësisë. Shoku im iu kthye e i tha se ne qemë motamo siç na kishte bërë natyra, edhe ata picirrukë qenë siç i kishte bërë natyra. Në kushte të tilla qe e pritshme që herë pas here të shprishej edhe qetësia. Le të vazhdojmë udhën tonë, tha ai, dhe shumë shpejt do zërë vend rregulli, kjo falë fishkëllimës tuaj. Ne morëm për në brendësi ca udhë të shkreta e zhgërryer në një pluhur të bardhë, me ato hendeqet cit me murriza e dëllinja dhe me ato anët e tyre për këmbësorë zënë nga bari i egjër a gramërat. Ra nata. Gomari më shpuri drejt e tek hyrja e shpellës, pasi në atë errësirë as e gjeje dot rrugën që gjarpëronte pjerrtas mbi det. Pastaj u kthye pas tek i zoti. S’di të them sa kohë ndenja atje. Më j duhet ta them që shpella qe mataruar goxha mirë. Morrat që kisha zënë i bëra me ujë deti e me leshterikë, por një mori thërriash duhet të kishin mbetur. Vura kokës kompresa me leshterikë gjë që me qetësoi goxha, por nuk mbaji gjatë. Unë kthehesha në shpellë e ndonjëherë hidhja sytë te horizonti. Pashë sipër meje një hapësirë të shkretë e drithëruese pa ishuj apo kepe. Natën në shpellë ndjehej me ca ndërprerje të rregullta një dritëz. Nata që gjeta edhe faqoren në xhep. Nuk qe thyer, pasi qelqi i saj nuk qe tamam qelq. Ndenja e mendova që zoti Ueir ma kishte mbajtur gjithë plaçkën. I zoti i shtëpisë më të shumtën e kohës qe jashtë. Ai më ushqente me peshk. Për një njeri, them njeri të vërtetë, është e lehtë të jetohet në shpellë, larg nga gjithçka. Ai më tha të rrija sa të më donte qejfi. Në qoftë se doja të isha vetëm, ai me gjithë qejf do të më mataronte në një shpellë tjetër aty pranë. Do të më binte ushqim çdo ditë dhe herë pas here do të kalonte nga shpella ime të çonim ndonjë fjalë e të sigurohej që e kisha gjithë ç’më duhej. Ai qe i mirë. Për fat të keq nuk kisha nevojë për mirësi. Nuk di ndonjë shtëpi buzë liqenit, e pyeta. Nuk mund ta duroja detin, uturimën e tallazitjet, rrymat dhe atë troshitjen e përgjithshme të tij. Era ndonjëherë mbetej. Duart dhe shputat m’u bënë sikur të kishin zënë miza dheu. Nga fundi kjo gjë më mbajti zgjuar për orë të tëra. Po të rri këtu do të më ngjasë ndonjë mynxyrë, thashë, po mundet të më bjerrë edhe ndonjë grusht të mirash. Mund të isha mbytur, – më tha. Po, -i thashë, -ose të bije nga shkëmbi. Dhe të mendosh që nuk ka tjetër ku të jetoj, -më tha ai, -në kabinën time në male qeshë i pafat. Në kabinën tënde në male? Fola. Ai e përsëriti historinë e kabinës në male, më qe fshirë nga mendja, dhe qe si ta dëgjoja atë histori për herë të parë. E pyeta në e kishte akoma. Ma ktheu që nuk e kishte parë me sy që kur fluturoi që andej, por që besonte se qe atje akoma, patjetër që më e rënë nga ç’qe. Po kur këmbënguli të më jepte çelësin, unë nuk pranova, duke i thënë se kisha të tjera plane. -Po të kesh nevojë, do të gjesh gjithmonë këtu, -më tha. Ah, njerëzit. Ai më dha thikën e vet…

*Fragment nga tregimi “Fundi”, përktheu nga anglishtja: Gentian Çoçoli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency