Berisha: Do të kthejmë kokën e Ali Pashës dhe eshtrat e Sami dhe Mit’that Frashërit

0
125

Ina Jano

berishaTë kthehen në vend eshtrat e gruas së Ismail Qemalit. Komiteti zgjat afatin edhe për tre muajt në vijim, deri në fund të marsit për të përfunduar detyrimet e tij

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje se qeveria do të bëjë gjithçka për të kthyer në atdhe kokën e Ali Pashë Tepelenës dhe gjithashtu eshtrat e vëllezërve Sami dhe Mit’hat Frashëri, pasi vendi i tyre është në Shqipëri. Ky lajm u bë me dije dje në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë. “Duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është një nga figurat dhe personalitetet me karakter dhe peshë më të veçantë. Në qoftë se marrim historinë tonë pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në banesën e harresës si komb. Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij u dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe dhe asaj bote, Napolon Bonaparti do të tregonte interes shumë të madh për Pashain e Janinës, që në fakt filluan edhe ta shpallin si Bonaparti i Ballkanit. Pra, me të gjithë përpjekjet e tij luftërat, ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur. E vërteta është që gjithçka bëri përpiqej që në mënyrë apo në një tjetër që ta shkëpuste kombin shqiptar nga Porta e Lartë. Dhe kaq e vërtetë është sa që sulltani kërkoi pasi çoi në ushtri shumë të madhe dhe pas 18 muaj betejash ne kushtet më të pabarabarta, ai kërkoi që t’ia çonin kokën në tepsi, në Stamboll. Dhe kjo ndodhi nuk është një legjendë, është e vërtetë. E bëri që të sigurohej se ishte vrarë, e bëri për qëllime krejt të tjera, por ne kokën e tij do ta kthejmë në Shqipëri. A do të varroset në Tepelenë apo në Muzeun Kombëtar, kjo do të jetë çështje diskutimi”, – tha Berisha.

Sami e Mit’hat Frashëri

Duke u ndalur gjerësisht në punën dhe veprën e vëllezërve Frashëri, kreu i qeverisë e cilësoi si të domosdoshme faktin e kthimit në atdhe edhe të eshtrave të tyre, duke thënë se Samiu ishte gjeni i doktrinës së shqiptarisë si një doktrinë perëndimore. “Mendoj se duhet të bëjmë një përpjekje shumë të madhe për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri. Sami Frashëri ishte një gjeni i doktrinës së shqiptarësisë si doktrinë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i të sotmes dhe të ardhmes shqiptare. Pas shkrimit të këtij libri, politikanë shqiptarë kanë ndarë mendime të ndryshme për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të ardhmen. Por kjo ka qenë çështje e tyre. Sami Frashëri ka përcaktuar me gjenialitet rrugën më të mirë të mëvetësisë, të zhvillimit,të orientimit perëndimor të kombit shqiptar. Problemi është pak i komplikuar se ka familjarë dhe prej tyre mjaft të suksesshëm në fushat ku ata punojnë dhe së dyti është personalitet shumë i rëndësishëm edhe për vendin mik, për Turqinë, pasi ka dy vepra themelore të një rëndësie shumë të veçantë për gjuhën e tyre dhe sidoqoftë duhet të bëjmë përpjekjet më serioze për rikthimin e tij në Shqipëri. Duhet të bëjmë gjithçka të bindim familjarët, se ai vërtet aty është krenaria më e madhe për familjarët, por ai është gjithashtu krenari për një komb”, – vlerësoi Kryeministri. Sa i përket Mit’hat Frashërit, zoti Berisha tha se edhe eshtrat e tij duhet që të rikthehen në vend. “Në atë testament, çfarë pati ia dhuroi bibliotekës dhe ia dhuroi Shqipërisë. E la me dëshirë që të varrosej në oborrin e Institutit albanologjik dhe dhuroi bibliotekën më të pasur të kohës. Unë gjykoj se ne duhet ta sjellim. Lidhur me varrimin ndofta pranë të atit do të ndihej më i lumtur. Pra një gjë është që ne duhet ti riatdhesojmë eshtrat e tij, pra duhet ti sjellin në Shqipëri eshtrat e tij”, – tha kreu i ekzekutivit. Ky i fundit vlerësoi gjithashtu se edhe bashkëshortja e Ismail Qemalit duhet të prehet pranë njeriut që ngriti flamurin dhe eshtrat e saj të jenë në Shqipëri.

Me vendim të komitetit u vendos që afati i punimeve të tij të shtyhet edhe tri javë të tjera, deri në muajin mars, pasi siç pohoi kreu i qeverisë kanë mbetur edhe disa detyrime pa i përfunduar, të cilat janë premtime dhe zotime që në fillim të punës, komiteti i ka marrë përsipër. Kryeministri tha se duhet të ndërtohet Muzeu i Spaçit, në homazh të shtypjes çnjerëzore për të gjithë njerëzit. Së dyti duhet të ndërtohet obelisku i martirëve të fjalës së lirë, së besimit tek Zoti dhe së treti, Lëvizja Studentore e Dhjetorit‘90 duhet të ketë hapësirën e vet. “Kjo lëvizje ka për mendimin tim, dy kontribute madhore për kombin, së pari betejën mbi një diktaturë dhe përmbysjen e saj dhe së dyti do të thosha po kaq të rëndësishme, është lëvizje në tërësi rinore, pra me një energji të fuqishme të brendshme, por lëvizje që bëri gjithçka për të shmangur konfliktualitetin”, – përfundoi lideri i mazhorancës.

 

 

PD: Akuzat e PS-së, shpifje, Rama të deklarojë pasurinë e tij

Partia Demokratike ka reaguar dje përsëri në lidhje me deklaratat e deputetit socialist Taulant Balla, sa i përket pasurisë së fëmijëve të Kryeministrit Berisha. Në daljen e saj përpara mediave, zëdhënësja e selisë blu tha se të gjitha akuzat e opozitës janë shpifje që synojnë të heqin vëmendjen nga problemet reale, siç është bllokimi i statusit dhe mosvotimi i ligjeve nga ana e deputetëve të selisë rozë. Zëdhënësja Bardhi tha se edhe në natën e Krishtlindjeve, zoti Rama vazhdon përmes çakejve të tij fushatën e ulët të shpifjeve, të denja për amoralitetin e tij kundër familjarëve të Kryeministrit. Duke i bërë thirrje që të deklarojë pasurinë e tij, zëdhënësja e PD-së tha se vetëm ai nuk mund të jetë njeri i pastrehë që ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate. “Njeriu që nga frika dhe tmerri fsheh pasuritë e që prej 5 muajsh fle tek Dash Peza dhe 7 muaj tek halla apo te tezja, se deklarohet i pastrehë pasi ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, të deklaruara në çdo qindarkë të tyre në institucionet e vendit”, – tha Bardhi. Ajo nënvizoi se demokratët do të zbardhin të gjitha aferat e tij, mbi shumat marramendëse për të cilat është akuzuar haptazi nga ndërtues dhe biznesmenë të kryeqytetit. “Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. PD do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit të tij”, – përfundoi zonja Bardhi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency