Sot përurohet monumenti i Mbretit Zog

0
174

zoguKryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, dhe sekretari organizativ i kësaj partie, Agim Kraja, morën pjesë në konferencat zgjedhore të degëve të PLL në Malësi të Madhe dhe në Lezhë. Gjatë fjalës së tyre u bë më dije se sot në Tiranë, pikërisht në bulevardin “Zogu i Parë” do të përurohet monumenti i Mbretit Zog, datë kjo që përkon edhe me 88-vjetorin e “Triumfit të Legalitetit”. Në konferencën e Malësisë së Madhe Spahiu e vuri theksin tek festimet e 100-vjetorit të pavarësisë dhe rivlerësimin e personaliteteve që kontribuuan për çlirim e bashkim kombëtar, për themelimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, personalitete këto që diktatura komuniste asnjëherë nuk ia ka njohur meritat, por përkundrazi i ka anatemuar dhe baltosur. Ai tha: “Procesi i rivlerësimit të figurave historike kulmoi me Mbretin Zog I, për të cilin pati vlerësime maksimale. U hodh dritë e qartë për rolin e tij të spikatur në momentet kyçe të këtij 100-vjetori dhe meritën e tij të patjetërsueshme në themelimin dhe zhvillimin e shtetit modern shqiptar. Eshtrat e Mbretit Zog I u kthyen në atdhe dhe u rivarrosën me një ceremoni shtetërore dinjitoze dhe madhështore. Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve shqiptarë në këtë ceremoni është tregues i qartë i aspirimin ndaj vlerave që monarkia krijoi dhe la trashëgim”. Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 Spahia tha se PLL është në fazën e konsolidimit të strukturave të saj në të gjitha degët e vendit dhe se së shpejti do të kalohet në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave. Spahia theksoi se në fushatën për zgjedhjet e ardhme elektorale PLL do të fokusohet në programin e vet politik, ekonomik dhe social e që në vija të përgjithshme vazhdon të mbetet i pandryshuar qysh nga krijimi i kësaj force politike e që mishëron filozofinë zogiste për bashkim dhe dinjitet kombëtar, zhvillim ekonomik dhe shoqëror, rend dhe siguri, mbrojtje të vlerave të familjes dhe moralit kombëtar etj. Kryetari i degës PLL në Malësi të Madhe u zgjodh biznesmeni Haxhi Bercaj, ndërsa në Lezhë z. Vasil Muça.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency