Rama dhe “Rilindja” e Buxhetit ndëshkues

0
112

 Feti Zeneli

 

ramaTogfjalëshi “buxhet ndëshkues” më erdhi në mendje pasi lexova letrën publike, që aktori i mirënjohur francez, Gerard Depardieu, i ka drejtuar, këto ditë, kryeministrit të vendit Jean-Marc Ayrault, ku i shkruan, midis të tjerash, se: “…po largohet (në Belgjikë) pasi qeveria socialiste e konisderon suksesin, krijimin, talentin, diçka që duhet ndëshkuar…”, me “mungesë respekti” dhe mbi të gjitha me rritje taksash!?…

Siç dihet, rikthimi në pushtet i të majtëve në Francë, ka rikthyer edhe taksën progresive, gjë për të cilën ka patur mjaft kundërshtime nga elita intelekuale dhe ajo e biznesit vendas. Fjala vjen, vitin e ardhshëm në Francë, niveli i taksave për të ardhurat mbi 1 milion euro do të shkojë në kufijtë e 75%-shit. Dhe Depardieu është një ndër ata mijëra francezë, që tre të katërtat e të ardhurave të tyre do t’i shpenzojnë përgjatë 2013-ës e në vazhdim për taksa, duke mbajtur kështu, vetëm çerekun e këtyre të ardhurave, për konsum dhe investimet e duhura lidhur me konsolidimin e mëtejshëm të karierës apo suksesit të tyre …

Ky lajm u publikua një ditë para se sa kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Rama, të deklaronte para social-komunistëve durrsakë, si “fitues” i padiskutueshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës se: “…vitin tjetër rreth kësaj kohe apo më shpjet do të jemi duke miratuar buxhetin tonë të Rilindjes…” të “taksës progresive”, do të thoshim. Një risi tjetër edviniste e këtij buxheti do të jetë edhe menaxhimi dhe llogaritja nga Banka e Shqipërisë e borxhit publik dhe defiçitit buxhetor, të cilën Ministri i Financave, Ridvan Bode e cilëson si “…rikthim në praktikat e sistemeve të vjetra totalitare e komuniste”. Si të mos mjaftonte “Rilindja…” e “taksës progresive”, që në realitetin shqiptar të periudhës të “socializimit të parë” ka si iniciator, dajën e Ramës; për ta përskuqur apo proletarizuar edhe më tej Buxhetin e Shtetit, kreu i PS-së ka vendosur që Bakës së Shqipërisë t’i atribuojë edhe  detyrën e  “gardianit” të borxhit publik dhe defiçitit buxhetor, ndërkohë që në ekonominë e tregut ky institucion bazë i politikës monetare ka për detyrë të garantojë stabilitetin e çmimeve, normën e përcaktuar të inflacionit dhe të mbikëqyrë sistemin bankar.

Është pikërisht ideja e komunistizimit të Bankës së Shqipërisë, pas taksës së Manifestit marksist, ajo që e bën “Rilindjen…” e Buxhetit: – të kuq e të zjarrtë “…si flaka e idealeve komuniste e partizane”. Në kushtet e Shqipërisë dhe për mentalitetin enverist të kreut të PS-së në qeverisje, ky do të jetë një buxhet, dhe s’ka ç’të jetë tjetër, veçse buxheti i ngrënies me “lugë floriri” si në 45-ën, kur Spiro Koleka, daja i Ramës propozi vendosjen e “taksës progresive”. Natyrisht “taksën progresive” e aplikojnë sot edhe disa vende të zhvilluara perëndimore, kryesisht atje ku qeverisin të majtët, por ekonomia e tyre e tregut është e konsoliduar dhe nuk mund të ketë pasoja kaq regresive, siç mund të ndodhë me ekonominë shqiptare, në rast të një fataliteti të mundshëm kombëtar, të marrjes së pushtetit nga kreu i PS-së, Edvin Rama. Nga ana tjetër, jo pak probleme mund të krijojë për buxhetin dhe ekonominë e tregut edhe shtimi i “kungujve” nën “sqetullën” e Bankës së Shqipërisë, duke e detyruar atë të mos jetë dhe aq e impenjuar në mbikqyrjen e sistemit bankar, i cili përbën shtyllën kurrizore të biznesit. Pra si “taksa progresive” ashtu dhe shtimi “progresiv”  i detyrave të Bankës së Shqipërisë çojnë ujë në “mullirin” e rrënimit të biznesit, kufizimit të investimeve publike dhe rënies së mirëqënies së përgjithshme social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë.

Është fakt i padiskutueshëm se qytetari shqiptar ka qënë gjithnjë në qendër të vëmendjes për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit përgjatë viteve të qeverisjes së vendit nga Partia Demokratike qysh nga 2006-a dhe në vazhdim. Me të njëjtat kritere është hartuar edhe Buxheti i vitit 2013, i cili është ndër më të mëdhenjtë e viteve të tranzicionit, me mbi 2,8 miliard euro. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të këtij buxheti do të shkojë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, e cila ka qënë një konstante e vazhdueshme e qeverisë “Berisha” duke përfshirë, këtu edhe 4-5 vitet e fundit, në të cilat globi dhe rajoni kanë qënë nën efektet e një prej krizave më të rënda ekonomiko-financiare në historinë e njerëzimit. Në këtë periudhë, asnjë vend i kontinentit tonë nuk ka planifikuar rritje masive pagash dhe pensionesh buxhetore, përveç nesh. Përkundrazi, shumica e këtyre vendeve përfshi edhe vendet e rajonit tonë kanë patur shkurtime të këtyre shpenzimeve. Edhe për vitin 2013 ato kanë parashikuar shkurtime të ndjeshme në buxhet, duke bërë parashikime të rritjes ekonomike jo më shumë se 1 për qind, nga 4% që është parashikuar ky tregues në Buxhetin e Shtetit shqiptar për vitin e ardhshëm.

Në këto kushte s’ka pse të konsiderohet retorikë politike, deklarta e kryeministrit Berisha, se  “Buxheti i 2013-ës do jetë buxheti i themeleve të reja të mandatit të tretë …” qeverisës, deri në 2017-ën, që “ …do ta vendosë Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara”. Nga ana tjetër, kjo deklaratë s’ka pse të mos besohet nga qytetarët, ndërkohë që, qysh nga 2006-a e në vazhdim, kanë parë me  sytë e tyre se si 7 buxhete radhazi janë shndërruar në “mrekullinë e lirisë” social-ekonomike të tyre, “pa dallim feje, krahine e ideje”. Janë shndërruar jo vetëm në rroga e pensione gjithnjë e më të larta, por edhe në rrugë e austostrada europiane apo gjithfarë lloj investimesh të tjera publike deri në skajin më të largët të vendit. Por mbi të gjitha janë shndërruar në vlera e standarte integruese të qytetarëve shqiptarë në strukturat euroatlantike. Këto buxhete na kanë bërë të gjithëve jo vetëm gjithnjë e më të pasuar por edhe gjithnjë  e më dinjitozë, për t’u ndjerë krenarë me emrin shqiptar. Me pak fjalë, këto kanë qënë buxhete të shpërblimit të punës, djersës dhe vizionit demokratik të qeverisjes së vendit. Në këtë rrugë, e ardhmja, duke filluar nga 2013-a e në vazhdim, me siguri, që do të jetë edhe më e mirë për gjithësecilin prej nesh, pasi, me shumë gjasa, do të jetë një e ardhme në gjirin e familjes europiane; menjëherë sapo të shpërthejmë bllokimin fierak apo anadollak të Edvin Ramës.

Ka 6-7 vite me radhë, që kreu i PS-së po e përdor pushtetin opozitar për të bllokuar dhe jo për të ndihmuar ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. Në një farë kuptimi ky lloj bllokimi ka qënë edhe një kosto buxhetore për të gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm në kuptimin e financimeve që mund të merrnim nga Brukseli si rezultat i marrjes së statusit të vendit kandidat, një shumë që mund të shkonte diku tek 100 milionë euro në vit, por edhe të pasojave zixhir që japin në ekonominë dhe financat e vendit veprimet arbitrare të Grupit parlamentar të PS-së. Besoj nuk është e vështirë të kuptohet edhe nga qytetari më i thjeshtë se ekonomia dhe demokracia e sotme janë, veç të tjerash, edhe çështje e imazhit politik. Grevat, demonstratat, bojkotimi i Parlamentit, mosbashkëpunimi institucional,  reflektimi i reminishencave të së kaluarës në sjelljen politike dhe të tjera veprime destruktive si këto janë ndërmarrë nga Grupi parlamentar dhe krerët drejtues të opozitës për të rritur  pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë “Berisha”. Dhe, siç dihet, të majtët, aq më tepër të majtët e indoktrinuar shqiptarë e shkaktojnë pakënaqësinë  duke  politizuar ekonominë apo duke rikthyer në skenë variante të rinovuara të tezës enveriste: “më mirë hamë bar se sa të gjunjëzohemi…” tek Sali Berisha. “Do t’ia japim statusin Berishës”? jo shqiptarëve, thoshin këto javët e fundit në çdo mbledhje të Grupit parlamentar të PS-së, në pritje të marrjes së “ok” për miratimin e tre ligjeve me shumicë të cilësuar, të mbetura si kushti i fundit për integrimin. Me këtë mendje, të një “çilimiu” në politikë, jo pak dëm i ka shkaktuar shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare Edvin Rama, ndërkohë që ka patur në dorë vetëm “gurin”.  Për 2013-ën ai po përgatitet, kuptohet me metoda leniniste, që të shtjerë në dorë edhe “arrën”; pra pushtetin. Kjo është arsyeja, që gjithë këtë kundërvënie politike gjatë gati dy mandateve qeverisëse të demokratëve, e ka shndërruar në program politiko-elektoral apo në një “Rilindje…”  socialiste për shqiptarët., duke  “rrëzuar nga themelet…” , përveç të tjerash edhe  “…botën e vjetër…” të buxhetit qytetar, për “…të ngritur botën e re…” të buxhetit revolucionar, “…në vend të saj”. Zhbërja apo rrënimi majtist i ekonomisë dhe financave shqiptare, sipas deklaratave të Ramës, parashikohet të tundë nga themelet deri dhe Bankën e Shqipërisë; gjë që s’ishte parë e dëgjuar jo më nga socialistët e ’91-shit, por as nga komunistët e ’41-shit, që, të paktën, inatin me Zogun e nxorrën, jo duke duke hedhur në erë themelet e Bankës së Shtetit, por varrin e Nënës së Mbretit.

Këto fakte janë të mjatueshme për të quajtur “ndëshkues” për të gjithë shqiptarët buxhetin e “Rilindjes” së Ramës në kuadrin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Zoti na ruajt, nga këto koicidenca të pakëndshme, të cilat të kërkojnë; ose të ndërrosh “…jetën si me le” ose atdheun, ku ke lerë. Por shqiptarët nuk janë si para 100 vitesh të mjerë dhe as si Gerard Depardieu, të gjithë milionerë!…

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency