Standard.al

Një kalorës i kohëve moderne

Albert Janku

 

kaloresPërurohet kolana prej gjashtë vëllimesh e prof. dr. Ramazan Bogdanit

 

Përurimi i një libri ose siç thuhet rëndom promovimi i tij është një festë e vogël në përmasa, por për komunitetin e fushës që i përket lënda e librit është e madhe. Është shumë e veçantë sot që në këtë festë përurohen gjashtë vëllime njëherësh. Kjo kolanë librash mbyll korpusin e madh prej 18 botimeve, dy prej të cilave me bashkautorë, të realizuara nga profesor doktor Ramazan Bogdani.

Cilido nga ne të pranishëm në sallë, do të ishte krenar, ashtu siç thotë vetë autori, në qoftë se do të kishte mundur të botonte gjithë këtë volum të madh librash që Ramazan Bogdani një jetë të tërë e vjeli në ekspeditat rraskapitëse dhe mbresëlënëse brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Diku në faqet e fundit të vëllimit të gjashtë të kësaj kolane, lexojmë një togzë të shkurtër fjalësh që të trishton disi, kur edhe e njeh mirë autorin, aty thuhet: Mjaft më! Këto janë fjalët e fundit që R. Bogdani i nënvizon në vëllimin e gjashtë, mbas një odiseje të gjatë të gjatë të udhëtimit gjysmë shekullor në detin e gjerë të etnisë sonë, ku folklori koreografik në pendën e tij formësohet si një margaritar që shndrit dhe zbukuron më shumë gjerdanin e kulturës dhe identitetit tonë.

Këtë margaritar R. Bogdani përgjatë kësaj kohe, e zbuloi dhe grumbulloi me shumë kujdes, durim, këmbëngulje, dashuri dhe mirënjohje. E kërkoi aty ku ky margaritar kishte gjetur strehë dhe ruhesh me fanatizëm dhe dashuri nga mbartësit e shumtë popullor, në fusha deri në male të lartë ku nuk kishte shkelur asnjë studiues. Me shumë pasion dhe kujdes copëzat dhe grimcat e saj Ramazani si një nikoqir dhe dashnor i madh, i mblodhi, i disiplinoi, i bashkoi duke i vendosur vlerat e tyre në piedestal të etno-koreografisë, na i dhuroi si trashëgimi e kulturës tonë kombëtare.

Këto botime të shumta të prof. Ramazan Bogdanit i ngjajnë një godine të madhe që në pamje të përgjithshme të impresionon jo vetëm nga volumi i tyre por edhe hapësirën që zë ajo në bibliotekën tonë modeste të artit koreografik dhe baletit. Qëllimi i tij siç e pohon vetë autori, ka qenë që të mundesh të fjalëzonte, të memorizonte, të argumentonte dhe të botonte atë çka ai e analizoi dhe sistemoi posi ai bujku që e fut plugun thellë në tokë për të marrë më të mirën e prodhimit, atë çka ai e preku dhe u mahnit prej saj. Ai nuk u step kur qëlloi të ishte i vetëm dhe ndër të parët eksplorues në kërkim të kësaj pasurie.

Të kesh një ëndërr dhe ta kthesh atë në qëllim për të arritur aty që ajo të bëhet realitet është veti e njerëzve tepër të veçantë. Të kërkosh rrënjët e dukurisë ose fenomenit, me qëllim që të respektosh ato dhe ti përjetësosh në faqe librash, është shprehje e dashurisë që ke për vendin, për njerëzit që mbartin këto dukuri dhe fenomene. Por Ramazani diti të orientohej mirë në paditurinë dhe errësirën e shekujve dhe varfërinë e botimeve në këtë fushë. Konsumoi shumë energji që Zoti ia ka dhuruar me bujari të madhe. Shpeshherë edhe i vetëm në mes kolegëve të gjinive të tjera, ai ia doli mbanë të përballonte me sukses sfidat dhe vështirësitë deri sa të realizohej një studiues me vlera shkencore dhe artistike të shquara.

Në fillimet e realizimit të kësaj ëndrre, Ramazanit iu desh një kohë jo e vogël të përshtatej kur vendosi të ndërronte drejtim dhe të largohej nga skena nga interpretimi dhe krijimtaria në balet, që ishte dashuria e parë e aktiviteteve të tijë. Të shkëputej nga magjia e skenës ishte e rëndë për atë. Të biesh në dashuri me skenën dhe të pushtohesh nga kthetrat e magjisë së saj, është bukur, por është e vështirë të shkëputesh, të divorcohesh dhe të harrosh drithërimat që të ka pushtuar që në adoleshencë dhe rininë e hershme ajo hapësirë e madhe në skenë dhe mbrapa saj. Ramazani pati forcën të shkëputej dhe gjeti tek folklori nektarin e valles, që e mbajti atë të lidhur me vallëzimin popullor pa u ndarë krejtësisht nga skena ku vallja e popullit shfaq shpesh bukurinë e saj. Pra, Ramazani si një kalorës në kohë moderne udhëtoi në vende ku makina dhe mjete të tjera udhëtimi nuk mund të qëndrojnë dhe jetoi për një kohë të gjatë në mes dy dashurive, vallëzimit popullor dhe krijimit kult skenik. Ai u ngjiz dhe u formua si një mjeshtër i realizuar kur njohu dhe u orientua në hapësirën etnokoreografike me vullnetin dhe pasionin e një të riu që për çdo ditë zgjeronte dijet në këtë fushë kudo ku ato ndodheshin. Kolana studimore për etnokoreografinë prej gjashtë vëllimesh, zë shumë vend në numrin e madh të korpusit që ai botoi për shumë vite. Korpusi vetë është dëshmi kokëfortë e personalitetit dhe arritjeve të suksesshme të një studiuesi eminent dhe ekselent i etnokoreografisë, folklorit kombëtar, por edhe një përfaqësues në rang ndërkombëtar i zgjedhur si anëtar aktiv për Shqipërinë, në seksionin studimor të etnokoreografisë pranë UNESCO-s.

Ai nuk u shkëput për asnjë çast nga tavolina e punës që pa e tepruar mund të them ka marrë tiparet e organizmit të tij, në mos po është bërë shtrati ku ai gjeti dhe gjen prehje, qetësi për të medituar, për të vlerësuar thesarin e grumbulluar gjatë eksplorimeve të pandërprera deri më sot. Ai akoma udhëton për të gjetur grimca të pa mbledhura të margaritarit. Kohët e fundit jo më shumë se një muaj më parë ai u takua, bisedoi dhe vallëzoi me një pakicë të vogël shqiptare që banojnë prej kohësh në Bullgari.

Lënda e artikujve e gjashtë vëllimeve të kolanës etnokoreografike të prof. dr. Ramazan Bogdani janë botime monografike apo divulgative thotë autori në epilogun e vëllimit të gjashtë. Në këto vëllime shtrihet veprimtaria e tij që nga viti 2005 deri në vitin 2012. Janë lënda ku Ramazani ka objekt të vëllimeve atë që vjen kryesisht nga fusha e koreografisë popullore, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke mbetur besnik në fizionominë e tyre që dimensionohen sipas një rendi kronologjik. Këto përbëjnë materiale të botuara më parë dhe artikuj që shohin dritën për herë të parë. Artikujt e botuar më parë, kanë marrë një pamje dhe dimension të ndryshuar disi me lëndë dhe detaje të pa trajtuara që kanë frymëmarrje bashkëkohore duke e freskuar mendimin.  Në artikujt që botohen për herë të parë në këto vëllime, përveç arsyeve që përmend autori, kuptohet që angazhimet dhe përkushtimi i autorit në veprimtarinë krijuese dhe botuese kryesore, e pengonin atë të kushtohej në ato materiale të cilat për zbehtësi burimesh kërkohej një punë më e studiuar mirë.

Ramazan Bogdani në veprën e tij, ka trajtuar me shumë vëmendje raportin e lëndës midis pasurisë tradicionale dhe asaj bashkëkohore. Ai ka qëndruar më shumë kohë tek e para dhe i ka dhënë përparësi asaj që ruhet nga bartësit me nostalgji të admirueshme, si thesar që vlen shumë. Me të drejtë e shkuara është rrënja që bën të rritet mirë e sotmja dhe e nesërmja. Në të gjashtë vëllimet që përurohen sot dallohet përkushtimi shpirtëror dhe shkencor. Për Ramazanin marramendja që të shkakton vallëzimi, prej kohësh ka rrezatuar tek ai të jetë shëmbëlltyrë e valles, por edhe e njeriut dhe studiuesit që është kapur ndaj saj për të fiksuar atë që tek bartësit shfaqet si vegim i kohës së bartësve paraardhës dhe si rrjedhojë ajo vallja pasurohet nga ëndrrat e tyre nga fantazia e tyre, pra ndodh fenomeni i kalimit nga një trup në një tjetër, nga një brez tek një tjetër vetëm nëpërmjet shpirtit, çlirimit dhe veprimit të vallëzuesit.

Ndryshimi është fenomen i pranueshëm për sa dëshiron që të lëvizësh nga një vend në një tjetër, nga një arritje në një tjetër. Fillimet e këtij fenomeni i ngjajnë një shtrati lumi që pret të futen në të përrenj të rinj të cilat e pasurojnë dendësinë e ujit posi ngjyrat e ylberit në qiellin e madh pas shirave. Ramazani i njeh mirë këto fenomene dhe unë do të thosha: i dashur Ramazan kurrë mos thuaj kurrë . Mendoj, që ai ka akoma të thotë për atë që nuk rresht së menduari, atë që na zhvendos nga një vend tek tjetri; lëvizja, hapi i valles, vallja, vetë vallëzimi, kërcimi pra që të bën të ndihesh jo vetëm që ecën, por edhe që mund të fluturosh sadopak mbi tokë me energjitë e pashtershme që sjell njeriu dhe koha e re.

 

 

 

 

Comments are closed.