Kuvend, Topalli ndez pemën e Vitit të Ri me fëmijët, uron shqiptarët me rastin e festave

0
148

Florenc Drizari

topalliKryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli: Mbyllëm një vit për të hapur një vit edhe më të bukur për ju

 

Në prag të festave të fundvitit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli së bashku me fëmijët e deputetëve dhe të administratës, ndezi pemën e Vitit të Ri në sallën e seancave plenare. Kryetarja Topalli, duke folur në emër të Kuvendit të Shqipërisë, e shfrytëzoi këtë rast edhe për t’i bërë një urim të shkurtër me rastin e festave fëmijëve, por edhe shqiptarëve kudo që janë. “Ishte gjë shumë e bukur të zbukuroja pemën e Krishtlindjeve së bashku me fëmijët. Festat e fundvitit janë më të bukurat. Ato sjellin vetëm gëzim për të gjithë. Ne mbyllëm një vit për të hapur një vit edhe më të bukur për ju, për prindërit tuaj dhe për të gjithë shqiptarët kudo që të jenë”, – tha Kryetarja e Kuvendit. “Qofshi gjithmonë të lumtur, të gëzuar, të qeshur, të shëndetshëm ju bashkë me familjet tuaja”, – uroi Kryetarja e Kuvendit, e cila më pas u shpërndau fëmijëve, dhurata e libra të përgatitur enkas për ta. Nën tingujt e këngëve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, tullumbaceve, lojërave, buzëqeshjeve dhe urimeve, salla e seancave, ishte më e bukur se kurrë. Fëmijët u ulën në karriget e prindërve të tyre, kërcyen e kënduan, ndërkohë që prindërit e ndoqën nga afër argëtimin e fëmijëve në sallën e Kuvendit.

Debati për tri ligjet

Ngërçi politik i krijuar mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me mosvotimin e tri ligjeve të integrimit nga PS-ja, duket se do të shoqërojë klasën politike shqiptare edhe në fillim të vitit të ardhëm. Kjo pasi ende PD dhe PS vazhdojë të kenë qëndrime të kundërta lidhur me përgjegjësin e refuzimit e statusit që iu bë Shqipërisë në javën e dytë të dhjetorit nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian. Nga njëra anë përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje vazhdimisht që opozita të votojë tri ligjet e integrimit, si kriterin themelor për marrjen e statusit, ndërkohë që e majta vuri si kusht zgjidhjen e ngërçit për këshilltarët socialist në Qarkun e Fierit. Por pas refuzimit të statusit, klasa politike vazhdoi me akuza të ndërsjella lidhur me shkaqet që çuan në refuzimin e Brukselit dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë ligjvënësit për këtë çështje. Gjatë seancës së fundit, çështja e votimit të tri ligjeve të integrimit risolli sërish debatet mes Kryeparlamentares Topalli dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Nga ana e saj, Jozefina Topalli, i bëri thirrje socialistëve në prag të mbylljes së këtij sesioni parlamentar, ata të votojnë tre ligjet që sipas saj presin prej javësh në sirtarët e Kuvendit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës thanë e quajtën një spekulim të mazhorancës kërkesën për votimin e tri ligjeve pasi sipas tyre, draftet ende nuk janë gati për votim në parlament. “Unë ju ftoj në ditët e fundit të këtij sesioni para vitit të ri, Kuvendi i Shqipërisë t’i votojë këto tri ligje. I kemi në rendin e ditës. Është dita sot për t’i votuar të tria ligjet. Do të ishte mirë t’i votonim tri ligjet për vendin”, – tha Kryeparlamentarja Topalli gjatë seancës së mbajtur të enjten e shkuar. Ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar socialit, Gramoz Ruçi mohoi ekzistencën e plotë të drafteve në Kuvend. “Mos spekuloni kur thoni tre, se në tavolinën e Parlamentit keni vetëm një. Njërin prej projektligjeve e keni dërguar në komision dhe komisioni e ka kthyer në qeveri dhe ende qeveri ende s’ia ka përcjellë komisionit, atë të shërbimit civil. E treta, për rregulloren e Parlamentit, komisioni s’e ka përfunduar misionin dhe s’ka sjellë asnjë draft në Parlament, pra përsëri keni një dhe jo tre. Mos provokoni. Kuvendi sot vuan nga moszbatimi i ligjit. Jepni një provë të vetme të zbatimit të ligjit. Ky vend vuan nga sistemi i drejtësisë”, – ka thënë kreu u grupit parlamentar të PS-së në mbledhjen e fundit të seancës plenare.

 

“Ishte gjë shumë e bukur të zbukuroja pemën e Krishtlindjeve së bashku me fëmijët. Festat e fundvitit janë më të bukurat. Ato sjellin vetëm gëzim për të gjithë. Ne mbyllëm një vit për të hapur një vit edhe më të bukur për ju, për prindërit tuaj dhe për të gjithë shqiptarët kudo që të jenë…”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency