Koalicionet, Meta: LSI u qëndron marrëveshjeve, KQZ të arrijë standardet

0
165

Florenc Drizari

metaMeta: KQZ duhet të punojë me efektivitet maksimal, sepse nuk ka kohë për të humbur

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje nga qyteti i Shkodrës se forca politike që ai përfaqëson, i qëndron marrëveshjes së bë lidhur me koalicionin qeverisës. Sipas tij, edhe pse është herët për të folur për koalicionet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit 2013, LSI-ja do të bëhet pjesë me ato forca politike që garantojnë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.“Është herët për të folur për strategjitë elektorale. Lëvizja Socialiste për Integrim i qëndron marrëveshjeve. Ne do jemi pranë forcave që afrojnë Shqipërinë me integrimin ndërsa për koalicione do vendosin bordet drejtuese të LSI-së. Ne do bëjmë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, – tha Ilir Meta. Deklarata e kreut të LSI-së gjatë një takimi që zhvilloi me strukturat e kësaj partie në qytetin e Shkodrës.

Meta për KQZ-në
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri thirrje që pak muaj para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, se institucioni më i lartë zgjedhor të punojë duke respektuar standardet. Sipas tij, një vëmendje i duhet kushtuar edhe gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin e krijuar në KQZ lidhur me ndarjen e mandateve apo miratimin e vendimeve me shumicë të cilësuar votash. “KQZ duhet të punojë me efektivitet maksimal sepse nuk ka kohë për të humbur, për të plotësuar të gjithë standardet e duhura për realizimin e zgjedhjeve, në mënyrë më korrekte dhe shembullore më 23 qershor. Ndaj dhe ne kemi apeluar për t’u zhbllokuar situata e fundit në KQZ dhe të gjithë duhet të punojmë me një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi për këtë qëllim”, – tha kryetar i LSI-së, Ilir Meta. Nga qyteti i Shkodrës, kreu i LSI-së foli edhe për disa privatizime të rëndësishme që janë bërë në fushën energjetike në vend. Meta theksoi se për sa kohë ato do të jenë transparente dhe në respektim të pasurisë kombëtare të taksapaguesve, do të kenë mbështetjen e LSI-së.

Ngërçi në KQZ

Ngërçi politik i krijuar në Kuvendin e Shqipërisë mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me miratimin e tri ligjeve të integrimit, duket se është pasqyruar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku palët kanë dështuar marrjen e disa vendimeve të rëndësishme që kërkojnë konsensus të gjerë, siç është, ndarja e mandateve apo e zonave të administrimit zgjedhor. Gjatë mbledhjes së KQZ-së të premten e shkuar, komisioni nuk arriti të miratonte ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor (ZAZ-ve), dukë bërë që zgjidhja e këtij ngërçi të shikohet si mundësi për t’u shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor. Pas një mbledhjeje, që zgjati disa orë, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk arritën të gjenin konsensusin për një nga tri propozimet e paraqitura lidhur me ndarjen e ZAZ-ve, ndërkohë që marrja e një vendimi të tillë kërkonte shumicë të cilësuar me 5 vota. Fillimisht administrata e KQZ-së propozoi ndarjen e hartës së administrimit elektoral të vendit në 89 ZAZ nga 76, numër i cili që ishte edhe në projektvendimin e dorëzuar më parë në komision, në datat 5 dhe 7 dhjetor. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Niazi Kosovrasti, propozoi që përtej këtij numri të shtohen edhe 11 ZAZ të tjera. Ndërkohë, përpos këtij propozimi përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në komision, Genc Gjonçaj, i qëndroi propozimit të parë të KQZ-së për 76 ZAZ, por me një ndryshim që, të shkurtohet numri në 75 dhe një ndryshim në hartën elektorale për komunën e Vaqarit.

Ndërkaq, një tjetër ngërç i krijuar në KQZ është edhe ndarja e mandateve. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision nuk e votuan projektvendimin e propozuar nga administrata zgjedhore me argumentimin se të dhënat e paraqitura për lëvizjen e popullsisë në qarkun e Kukësit janë të dyshimta dhe për këtë ata kërkuan informacione shtesë nga Ministria e Brendshme. Diskutimet mes palëve shkuan edhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku PS-ja kërkoi ngritjen e një komisionin hetimor parlamentar vetëm për këtë çështje. Pro kërkesa e opozitës u rrëzua në Kuvend me votat e PD-së, e cila nga ana e saj e quajti të jashtëligjshëm ngritjen e komisionit për faktin se, kërkesa e PS-së bie ndesh me funksionin e disa prej organeve të pavarura kushtetuese.

“Lëvizja Socialiste për Integrim u qëndron marrëveshjeve. Ne do jemi pranë forcave që afrojnë Shqipërinë me integrimin ndërsa për koalicione do vendosin bordet drejtuese të LSI-së. Ne do bëjmë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian…”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency