Godet me thikën e djathit komshiun e akuzoi se spiunoi tek e dashura

0
222

Elton Qyno

 

gjykataNgjarja tek pallati “Santara”, gjykata dënon shitësin e dyqanit me 4.8 vite heqje lirie

Ka tentuar ta vrasë komshiun e tij, pasi ky i fundit i ka kërkuar shpjegime se pse i kishte treguar të dashurës së tij që ai luante kazino. Ky ka qenë motivi i një ngjarjeje të rëndë, që për pak nuk i ka marrë jetën shtetasit Gentian Domi, i cili është qëlluar dy herë me thikën me të cilën shitësi i dyqanit priste djathin. Ngjarja është regjistruar në muajin qershor, por Gjykata e Tiranës pak kohë më parë ka dënuar me 4.8 vite burg autorin e këtij krimi, shtetasin Esmir Sakaj. Shkak i këtij konflikti është bërë një bisedë mes autorit të krimit Esmir Sakaj dhe shtetases Jona, e cila është e dashura e dëmtuarit, shtetasit Gentian Domi. Sipas këtij të fundit, autori i krimit i kishte treguar të dashurës së tij, Jona, se Gentiani luante kazino. Pas kësaj, mes çiftit Gentian dhe Jona ka hyrë konflikti dhe gjatë debateve i dëmtuari Gentian Domi, ka mësuar nga e dashura e tij se fjalët e këqija kundër tij, ia kishte thënë një banor i pallatit që quhet Esmir Sakaj. Menjëherë pas kësaj, disa ditë më pas i pandehuri është ndaluar nga Domi para pallatit, duke i kërkuar llogari për fjalët e këqija që i kishte thënë të dashurës së tij. Mirëpo i dëmtuari ka menduar se bëhej fjalë për një borxh 200 mijë lekë të vjetra, pasi kishte blerë një cigare tek dyqani. Mirëpo pas kësaj të dyja palët janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke bërë që Sakaj ta qëllojë me një thikë plot katër herë, të cilën e kishte marrë tek dyqani. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia ka bërë arrestimin e Sakaj, ndërkohë që pak ditë më parë gjykata ka vendosur ta dënojë të pandehurin me 4.8 vite burg për akuzën “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë.

 

Ngjarja para pallatit

Nga hetimet e kryera rezulton se i pandehuri Esmir Sakaj është banor i pallatit “Santara” në rrugën “Teodor Keko” ku ai banon me qera së bashku me familjen e tij në katin e parë ka një aktivitet privat ku tregton artikuj të ndryshëm ushqimor. Po në të njëjtën godinë banon dhe i dëmtuari shtetasi Gentian Domi, me të cilin i pandehuri nuk ka ndonjë shoqëri por një njohje tepër të përciptë dhe kjo vetëm nga ato raste kur i dëmtuari ka ardhur në lokal,ka blerë diçka dhe që sipas të pandehurit, ai në disa raste dhe i ka vonuar paratë siç ndodh rëndom në të tilla dyqane poshtë pallateve. Me datë 8 qershor 2012, rreth orës 23:00, ndërsa i pandehuri Esmir Sakaj ka qenë akoma në punë ai është ndeshur përballë me të dëmtuarin Gentian Domi, i cili i ka kërkuar të ndalojë dhe e ka pyetur se përse ai i kishte folur keq për të,pra për Gentian Domin, një banore të pallatit të quajtur Jona. I pandehuri Esmir Sakaj, i cili fillimisht ka menduar se biseda po bëhej për një shume prej rreth 200 lekësh që shtetasi (i dëmtuari) Gentian Domi i kishte mbetur disa ditë më parë kur kishte blerë një paketë cigare është ndaluar dhe kur ka dëgjuar bisedën me indiferentizëm, i ka thënë se nuk kishte lidhje me këtë moment e pas kësaj të rinjtë janë nxehur me njëri-tjetrin dhe janë goditur reciprokisht.

Plagosja me thikë

Pasi grindja e tyre është bërë fare pranë derës së dyqanit ku ka qenë dhe xhaxhai i të pandehurit, ai ka ndërhyrë së bashku me një klient dhe pas kësaj të rinjtë janë ndarë njëri nga tjetri. Ndërkohë që biseda tashme dukej e tejkaluar, i pandehuri Esmir Sakaj në mënyrë të papritur ka marrë një thikë në dorë dhe i është vërsulur përsëri personit me të cilin po zihej dhe pasi e ka kapur diku pranë rrugës është përleshur me të dhe më pas ka goditur dy herë në pjesën e pasme të shpinës dhe dy herë në parakrah. Sipas akteve të ekspertimit mjekoligjor të realizuara sipas kartelës dhe vlerësimit objektiv të dëmtuarit ka rezultuar se poshtë shpatullës vërehet një cikatrice me gjatësi 2 cm me dy shenja qepjesh. Rreth 3 cm larg vertebrës së parë të belit cikatrice në trajtë Y (përmbys) me gjatësi të brinjëve 4 cm dhe 2 cm e shenja qepjesh në to.

Dëshmia
I pandehuri Esmir Sakaj në shpjegimet e tij ka sqaruar se “ky person me të cilin po bëja fjalë ka filluar të më fyejë e më ka goditur me grusht më pas më ka rrëzuar në tokë. Unë kam mundur të çohem dhe pasi jam larguar me vrap kam marrë një thikë në fuçinë e djathit dhe jam sulur djalit të Shqipes e duke e ndjekur me vrap. Kam mundur ta kap pas 35 metrash dhe në momentin që kam arritur ai është rrëzuar e kam goditur nga pas në shpinë dy herë”.

 

Aksidenti, vdes 24-vjeçarja, i ndaluari s’pranon krimin

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugës e Kavajës kur një e re që ishte duke kaluar rrugën u përplas nga një makinë, e cila u largua menjëherë nga vendngjarja. Policia e njoftuar nga dëshmitarë mbërriti menjëherë në vendngjarje, por nuk ka mundur të zbulojë ende identitetin e drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin e rëndë. Viktima quhet Valbona Gjypi, 24 vjeç, nga Librazhdi dhe se ishte duke shkuar në punë në momentin kur është goditur me forcë nga makina. Gjatë ditës së djeshme uniformat blu, bënë arrestimin e një personi me dyshimin se ai ishte personi që kishte aksidentuar të renë për vdekje, por i ndaluari ka këmbëngulur duke mos pranuar autorësinë e krimit. Sipas policisë, në vendngjarje ka shumë pak prova pasi mungojnë dhe dëshmitarët, për shkak se në orën 07:00 të mëngjesit nuk ka pasur shumë njerëz në rrugë. Policia thekson se e vetmja indicie që ka shërbyer për arrestimin e një drejtuesi mjeti është fakti se automjeti i tij është parë të lëvizë gjatë Rrugës së Kavajës i dëmtuar. Sipas burimeve, në krahun e djathtë automjeti ka dëmtime, ndërkohë që pritet të bëhen verifikimet e mundshme për të hedhur më tepër dritë rreth autorësisë së aksidentit fatal që i morri jetën 24-vjeçares, shtetases Valbona Gjypi nga qyteti i Librazhdit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency