Standard.al

Frustrimet e festivalit

Violeta Murati

fituesitFestivali i fundvitit në RTSH nuk është më një ngjarje e madhe në vend, si dikur, kur vëmendja e gjithë njerëzisë përqendrohej në netët e tij. Jo vetëm pse këtij festivali i ka mbetur njolla e së shkuarës, si një stonaturë me muzikën sot, porse tregu po krijon alternativa nga më të çuditshmet njëkohësisht dhe që shpesh marrin më shumë vëmendje. Megjithatë, për inerci pulti e shtyn kuriozitetin për ta ndjekur festivalin e ftohtë të RTSH-së.

Duke iu bindur një vullneti të brendshëm, gati si detyrim për shkak se është televizion publik e që mbahet me paratë e taksapaguesit, të ndalësh në stacionin e RTSH-së ishte gati e dhunshme.

Nata e tretë e edicionit të 51-një të këngës së lehtë, po e imagjinojmë si tradicionale, i kalonte caqet e primitivitetit. Vërtet mund të shërbejë kjo skenë për zbulime zërash, krah produktit të traditës, pra për të kuptuar ku jemi me kohën në muzikë të lehtë konsideruar në një standard muzikor që dëshmon origjinalitetin. Por të shërbejë si një ring për prezantues analfabetë si Floriana Garo, së cilës çdo tri fjalë i merrej goja, duket e tepërt, sidomos për një publik të zgjedhur, qoftë në sallë, por dhe për ata pas ekraneve. Po aq në kontrast dhe përpjekja e partnerit të saj, Enkel Demit, për të prodhuar humor si gjest autoironie, nuk zbulon veçse problemet frustruese të tyre.

I ndamë mënjanë mendimet e para për dy prezantuesit, pasi në natën e tretë të festivalit ishte e tepërt të dëgjojë çdo minutë se si ata ishin “sharë” nëpër Facebook apo linke forumesh për paraqitjen e tyre. I kujt ishte festivali? Kush e organizonte? Gati si një paradë personale e prezantuesve (veshur shëmtuar) pa politesën dhe klasin e një eventi mbarëkombëtar, që e do zakoni të ruhet etika morale përballë publikut – këtij festivali i shtohej edhe servilizmi politik.

Kjo është ana tjetër e një historie të hidhur mbi këtë edicion. Në natën e tretë mund të dalloheshin qartë përpjekjet serioze të pak këngëtareve të reja që u dallohet në lule të ballit mundi dhe talenti, si Anjeza Shahini, Kejsi Tola apo Flaka Krelani. Juria, në dukje si një gjest asnjanës, duke ftuar të huaj, nga vende që na kanë dhënë pikët maksimale në Eurosong, reflektonte “nënshtrimin” e ëmbël kundrejt respektit duke i nderuar në një event mbarëkombëtar në shtetin e vogël, interesant e impresionues për to, të quajtur Albania.

Çmimi i parë iu dha këngës së krijuar nga Bledar Sejko, kënduar prej tij dhe këngëtarit ulqinak Adrian Lulgjuraj, me titullin “Identitet”. Sejko prej kohësh larguar me “arrogancë” të butë nga skena e muzikës e kemi parë të prodhojë spektakël në televizion privat. Kënga e tij dje ka bërë xhiron në mediat shqiptare si e kopjuar nga një këngë serbe. Dhe për këtë duhet të ketë një shpjegim nga organizatorët dhe vetë këngëtari. Megjithatë, kënga si linjë muzike ruante gjurmë të hershme të Sejkos, që dallohen edhe sot, të prirjes metal dhe që në këngën fituese “tingëllonte” si epikë veriore e pak rebelizëm. Sejko u mundua të bënte show me kitarën duke vënë në lëvizje “gojën”, si një rast ekstrem të pasionit të tij, lidhur ngushtë me kitarën.

Nga ana tjetër, ishte krejt e panevojshme që prezantuesi Enkel Demi ta mbushte skenën në këtë rast me një tjetër “frustrim” pa kuptim duke thënë se “Sejko është çam”! Jemi tashmë të ngopur si qytetari të tregosh më “gisht” kush është kosovar, kush është çam, kush është çifut, kush është shqiptar i Maqedonisë, kush është tropojan apo kush është tirons! Nëse ka ndonjë kauzë që duhet përdorur në vendin e duhur apo kohën e duhur nuk besojmë se i përket skena artistike. Madje, nëse kohët e fundit ka zgjim të politikës për kërkesa të tilla si vënia në vend e nderit të çamëve, mund të thuhet është shumë vonë, madje ironike dhe aspak e besueshme si kauzë, përveçse elektorale! Dhe ky konfondim me skenën artistike nuk bën gjë tjetër veçse krijon një lloj qasjeje vetëdiskriminuese më tepër iluzive. Në këtë natyrë mungesa e etikës është e pafalshme, nëse konvertohet një qëllim artistik në një qëllim kaq personal. Nga ana tjetër duke shmangur këtë “vogëlsi” të rëndësishme, krijohet ideja se kënga fituese është një vullnet politik, frustruese për të dëgjuar pjesën tjetër të arritjes muzikore. Fakt i thjeshtë: në fund të festivalit nuk u respektuan dy vendet e tjera, këngëtaret Anjeza Shahini dhe Hersi Matmuja! Së paku për t’u dhënë një tufë lule për kontributin.

 

A është origjinale kënga e Sejkos?! Sot duhet një përgjigje.

 

Drejtuesit e RTSH-së sot duhet të përgjigjen për origjinalitetin e këngës së krijuar nga Bledar Sejko, përderisa dje ka qarkulluar nëpër mediat e Shqipërisë e Kosovës se është këngë serbe e kopjuar, vështruar në ngjashmëri melodike. Po ashtu nëse kjo faktohet si e vërtetë, do të jetë një vendim nga Eurosongu, në të kundërtën Shqipëria një natë më parë ka automatikisht pjesëmarrjen në Suedi, të garantuar një vit më parë nga Rona Nishliu, e cila ka zënë vendin e pestë me këngën “Suus”.

Po dje, përmes mediave bëhet e ditur se 39 transmetues publikë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Festivalin Evropian të Këngës 2013, i cili këtë vit do të zhvillohet në Malmö të Suedisë, në datën 14 maj. Kjo pjesëmarrje është e kënaqshme, thonë drejtuesit e Eurovizionit, duke pasur parasysh krizën ekonomike në Evropë.

Kështu, një pjesë e madhe e televizioneve publike të shteteve përkatëse kanë garantuar angazhimin e tyre në traditën e pjesëmarrjes në Eurovizion, deklaroi Xhon Ola Sand, mbikëqyrësi ekzekutiv i këtij festivali në rrjetin EBU. Që nga viti 2004, diku nga 36 deri në 43 transmetues publikë kanë marrë pjesë në këtë eveniment. Kështu që pjesëmarrja e 39 konkurrentëve për këtë vit, nuk është aq dramatike, madje një numër i tillë u paraqit edhe në vitin 2010, kur Eurovizioni u zhvillua në Norvegji. Ndër vendet që nuk do të marrin pjesë janë Bosnje-Hercegovina, Portugalia dhe Sllovakia, për arsye ekonomike. Një humbje për Eurovizionin këtë vit është mungesa e Turqisë, për shkak të mendimit të disa rregullave vitet e fundit. Ndërkaq, garës së sivjetme i bashkëngjitet Armenia, e cila në Eurovizionin e një viti më parë mungoi.

Ndërkaq, pjesëmarrjen e ka garantuar edhe Maqedonia. Po ashtu, në Eurovizionin e ardhshëm nuk dihet se si do të vendoset për praninë e Shqipërisë, derisa të verifikohet origjinaliteti i këngës së Bledar Sejkos, megjithatë mund të konsiderohet konfirmim, përderisa RTSH është versioni zyrtar prej nga këngëtarët fitues bëhen pjesëmarrës.

 

Dibra: Letërsia është atdheu im

“Kombi im është letërsia. Atdheu im është letërsia. Dhe në këtë kontekst dashuria ime ndaj kombit dhe ndaj atdheut shprehet me dashurinë që pafundësisht e kam ndaj gjuhës”, ka thënë Dibra, në një intervistë për “Kohën ditore” vetëm pak minuta pasi ka pranuar shpërblimin vjetor për letërsi “Rexhai Surroi”. Ky çmim thotë se mund të kthehet në “Nobel” për shqiptarët.

Për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës, Dibra thotë se me veprën “Legjenda e vetmisë” ka bërë përpjekje që të hartojë një statujë të vogël ose siç dëshiron ta quajë njëfarë blatimi për gjuhën shqipe. Teksa ka dalë për të pranuar shpërblimin, të shtunën në kryeqytetin e Kosovës, ai ka thënë: “Më të lehtë është shkruaj një roman sesa të mbaj një fjalim”. Ndonëse tingëllon si batutë me origjinë nga Shkodra, Dibra thotë se as aty nuk i vë vetes kufij.

“Kërkoj që vepra ime të lexohet kudo ku ka shqiptarë dhe në fakt kjo ka ndodhur. Unë edhe sot e kësaj dite nuk e di, e nuk e kam të qartë në kam më shumë lexues në Shkodër, në Tiranë, në Tetovë apo në Prishtinë. Pra vepra ime nuk kërkon kufij”, thotë Dibra.

Comments are closed.