Emigrantët shqiptarë në Greqi, 300 euro më shumë për lejet e qëndrimit, 75% të papunë

0
167

emigrantet“Çdo emigrant po shikon mundësinë se si të qëndrojë dhe disa muaj më tepër në Greqi duke kërkuar çdo mënyrë. Disa shesin makinat, të tjerë qëndrojnë gjithë ditën në sheshin “Omonia” në kërkim të një pune, e cila duket shumë larg”

 

Më shumë se 50% e emigrantëve shqiptarë në Greqi, edhe pse punojnë me rrogat e grave të tyre, përsëri do të duhen të paguajnë më shumë. Pas rritjes së çmimeve dhe heqjes së çdo shpërblimi, tani emigrantët do të duhen të paguajnë dhe 300 euro më shumë për çdo vit. Ky është projektligji që po përgatit Ministria e Financave në shtetin fqinj për emigrantët, të cilët do ta kenë shumë të vështirë të përballojnë situatën e vështirë ekonomike. Sipas mediave greke, shtimi i taksës për lejen e qëndrimit do të sjellë largime më të mëdha nga ana e emigrantëve. Sipas një raporti të organizatave ndërkombëtare, emigrantët shqiptarë po hasin probleme të shumta, për shkak të mungesës së lekëve. Po e njëjta organizatë përmend se shqiptarët kanë frikë të kthehen në Shqipëri dhe arsyeja është mosbesimi për gjetjen e një vendi pune.

Situata

Sipas shtypit grek, situata e emigrantëve është shumë herë më e vështirë se e grekëve. Mediat theksojnë se çdo familje emigrantësh mbahet nga rroga e grave, të cilat punojnë nëpër shtëpi apo marrin përsipër të bëjnë dhe punët më të vështira vetëm të mos largohen nga puna. Mbyllja e qindra fabrikave dhe falimentimi i sistemit të ndërtimit ka bërë që mijëra emigrantë shqiptarë të ngelen të papunë. Shqiptarët si fushë kryesore të punës së tyre kanë pasur ndërtimin dhe në krahasim me vitet e kaluara në Greqi nuk ndërtohet më. “Çdo emigrant po shikon mundësinë se si të qëndrojë edhe disa muaj më tepër në Greqi, duke kërkuar çdo mënyrë. Disa shesin makinat, të tjerë qëndrojnë gjithë ditën në sheshin “Omonia” në kërkim të një pune, e cila duket shumë larg”, – përmendin gazetat greke në faqet e tyre online.

S’ka më emigrime klandestine

Disa vjet më parë, malet e Kapshticës dhe malet në jugun e vendit, Konispol dhe Gjirokastër, ishin të mbushura me grupe të rinjsh të cilët emigronin për një jetë më të mirë. Sot në këto vende nuk gjendet pothuaj asnjë, madje dhe vetë Policia Kufitare është “mërzitur” që s’ka punë dhe është larguar nga zona. Gjithë kjo gjendje vjen për mosbesimin që është krijuar ndaj Greqisë, dikur vend kryesor për punë sot vend i harruar për shqiptarët

Statistikat

Numri i saktë i emigrantëve shqiptarë në Greqi ende nuk dihet. Edhe pse Greqia ka një regjistër për çdo emigrant të pajisur me leje qëndrimi, përsëri nuk ka dhënë ndonjë shifër. Por sipas organizatave të huaja, pavarësisht numrit në Greqi rreth 75% e emigrantëve janë të papunë. Në këtë shifër janë të përfshirë kryefamiljari dhe të rinjtë të cilët nuk janë integruar ende me tregun e punës. Shifrat janë tepër të larta dhe tregon edhe një herë gjendjen në të cilën po kalojnë emigrantët.

Fëmijët

Fëmijët janë një “pengesë” për emigrantët për t’u kthyer në Shqipëri. Shumica prej prindërve kanë frikë për përshtatjen që mund të ketë fëmija pasi të kthehet në Shqipëri. Duke ditur që në Greqi kanë disa vite që po bëjnë shkollën dhe mungesa e njohjes së shqipes në një nivel mesatar bën që prindërit të hezitojnë për t’u kthyer në vendin e tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency