Akuzat për fëmijët e Berishës, PD: Shpifje për të mbuluar bllokimin e statusit, do të zbardhim 20%-shin e Ramës

0
117

Ina Jano

berishaRama beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve shëmtirën e vendimit të tij për të bllokuar votimin e 3 ligjeve në Parlament të kërkuara në unison nga Komisioni Evropian

 

Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me akuzat në vijimësi të deputetit socialist Taulant Balla, në lidhje me pasurinë e fëmijëve të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Edhe pse dy ditë me parë vetë zonja Argita Malltezi së bashku me vëllain Shkëlzen Berisha shpërndanë një komunikatë me mediat, duket se sulmet ndaj tyre nga ana e opozitës shqiptare nuk u ndalën, pasi zoti Balla ditën e djeshme reagoi sërish në lidhje me këtë problematikë. Sipas Partisë Demokratike, deklarata të tilla vetëm sa duan që të heqin vëmendje nga çështje problematike siç ishte ajo e mosvotimit të tri ligjeve nga ana e opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë forcë politike kjo është arsyeja e vërtetë e këtyre deklaratave, të cilat ndër të tjera nga selia blu klasifikohen si shpifje. Duke u quajtur si një akt antishqiptar bllokimin e tri ligjeve nga ana e socialistëve, PD shprehet se kjo është një fushatë shpifjesh dhe trillimesh të denja vetëm kundër familjeve të Kryeministrit. “Me këtë fushatë mashtrimesh të përditshme zoti Rama beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve shëmtirën e vendimit të tij për të bllokuar votimin e tri ligjeve në parlament të kërkuara në unison nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Uashington. Partia Demokratike zotohet se do të zbardhë të gjitha ato që quhen 20-përqindsha të Edi Ramës, në kohën kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, pasi ato janë akuza të cilat janë bërë publike edhe nga ndërtues të ndryshëm. Duke iu drejtuar Ramës, selia blu bëri me dije: “Partia Demokratike e siguron atë se do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit te të cilat zoti Rama mendon se mund t’i zhurmojë duke shpifur dhe trilluar për të tjerët”.

Zëdhënësit e Partisë Socialiste, të cilët janë shprehur për këtë çështje, për selinë blu janë vetëm persona të akuzuar për trafiqe droge dhe larje parash të pista, të cilët për më tepër i fshihen drejtësisë. Paratë e fituara nga ana e familjarëve të kreut të qeverisë, Berisha, janë të pastra dhe lehtësisht të verifikueshme. “Njeriu që sot është politikani i vetëm i akuzuar direkt dhe publikisht për gjobat me miliona euro të vendosura prej tij kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, deklaron për vite me radhë pasurinë e tij prej 3 mijë euro dhe fsheh kështu nga frika dhe tmerri pasuritë e tij, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, që të gjitha të tatuara me burime të qarta dhe të deklaruara në institucionet e vendit”, – deklaroi zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi. Ndërkohë, vetëm disa ditë më parë Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë ka rrëzuar pretendimet e selisë rozë, duke sqaruar se deklaratat janë të plota dhe nuk ka asnjë mangësi në dosjet përkatëse. Ndërkaq, vetëm ditën e djeshme në mediat e vendit u shfaq deklarata e Argita Malltezit dhe Shkëlzen Berishës sa i përket qëndrimit të tyre në lidhje me akuzat e deputetit socialist Taulant Balla.

 

Fëmijët e Berishës: Të ardhurat tona, të ligjshme

Në një deklaratë shpërndarë për mediat ditën e djeshme nga Argita Malltezi dhe ndër të tjera shkruhet: “Në lidhje me spekulimet e fundit të zotit Balla, sqarojmë se të ardhurat tona janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në organet përkatëse. Të gjitha të ardhurat janë derdhur në rrugë bankare dhe për to janë shlyer, po në rrugë bankare, të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Sa më sipër vërtetohet lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit tonë të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore. I kujtojmë zotit Balla se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull janë në dritë të diellit; ndryshe nga shefi i zotit Balla, i cili pasi betonoi Tiranën me miliona metër katrorë ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se u kishte kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj tek mami meqë është i pastrehë”. Në deklaratë thuhet: “Për sa u përket trillimeve të vazhdueshme të zotit Balla, kundër të cilit janë hapur nga persona të ndryshëm disa procese ligjore për shpifje, që prej një jave kemi pritur që ai të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative. Meqë këtë ai nuk e bën, do t’i japim mundësinë të paraqesë argumentet e tij në gjykatë. E ftojmë të mos i shmanget si frikacak përballjes në gjyq”.

 

Heqja e TVSH-së për makineritë, Berisha: Ligj i rëndësishëm në revolucionin fiskal

Kryeministri vlerësoi se ligji me anë të të cilit sanksionohet heqja e TVSH-së për makineritë, është një nga ligjet më të guximshme që Parlamenti miratoi të enjten e kaluar dhe deputetët demokratë dhanë votën e tyre. Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë tha se është fat që ky ligj nuk kërkonte 3/5 e votave për t’u miratuar, pasi me siguri që opozita do ta kishte bllokuar, ashtu siç bëri me tre ligjet që kërkonte Komisioni Evropian. Kryeministri u shpreh se ky është një ligj shumë i rëndësishëm pasi do të sjellë edhe rritje të punësimi. “Gjatë ditës punova për zbërthimin me një vendim të qeverisë të ligjit të heqjes së TVSH-së për çdo makineri prodhuese të biznesit të vogël, biznesit të mesëm dhe biznesit të madh që u votua ditën e enjte në Parlament. Ky ligj është akti më i rëndësishëm dhe më i guximshëm në revolucionin tonë fiskal pas vendosjes se taksës së sheshtë. Natyrisht me zbatimin e tij mbi 100 milionë dollarë do t’i mbeten biznesit, por do të nxiten shumë investimet në prodhim si dhe krijimi i dhjetëra mijëra vende pune. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që jo vetëm nuk ka patur rritje të papunësisë por përkundrazi ka patur ulje të saj. Por më këtë ligj, nxitja e rritjes së prodhimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës do njohin zhvillime të reja të fuqishme. Punësimi i qytetarit është qëllimi më kryesor i të gjitha ligjeve, vendimeve dhe reformave tona. Fatmirësisht miratimi i tij nuk kërkonte 3/5 sepse do të ishte bllokuar nga opozita njësoj si tre ligjet e statusit”, – tha Berisha.

 

 

FRPD zgjedh strukturat drejtuese në Tropojë

Kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, mori dje pjesë në zhvillimin e kuvendit zgjedhor për strukturat drejtuese FRPD-së në Tropojë, proces nga i cili u zgjodh i ri Elton Hoxha dhe kryesia e re drejtuese. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të rinjve të FRPD-së, Bogdani theksoi rëndësinë e punës dhe mbështetjes së të rinjve të FRPD-së në përçimin e mesazhit politik dhe arritjeve tek të rinjtë shqiptarë. Duke shprehur mirënjohjen e tij për punën e të rinjve të FRPD-së, ai i ftoi të bëhen pjesë edhe më aktive e fushatës së ardhshme zgjedhore, në mbështetje të PD-së dhe programit të saj, si alternativa më e mirë dhe me e prekshme për të rinjtë shqiptarë. Deputeti Bogdani përçoi tek të rinjtë e Tropojës mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit Berisha për strukturat e FRPD-së dhe të gjithë të rinjtë shqiptarë, duke i vlerësuar ata si motori kryesor i ndryshimit të Shqipërisë dhe si forca që pas 22 vitesh nga rrëzimi i murit të diktaturës, në 23 qershor, do të rrëzojë edhe murin e bllokimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency