Vendimi Deputeti Tahiri shpallet fajtor, shpifi ndaj fëmijëve të Kryeministrit

0
148

Sonja Caka

apeliApeli lë në fuqi pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë, i ulet gjoba deri në 2 milionë lekë. Reagimi: Deklaratat e bëra nga Tahiri në emisionin “Zona e lirë” në drejtimin tonë janë të pavërteta dhe kanë pasur si qëllim cenimin e nderit dhe të dinjitetit tonë

 

Shpifja ndaj dy fëmijëve të Kryeministrit, z. Sali Berisha, do t’i kushtojnë plot 2 milionë lekë gjobë deputetit të PS-së, Saimir Tahiri. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi pjesërisht vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e dënonte si fajtor për veprën penale “Shpifje” deputetin Tahiri, ndërsa uli në 2 milionë masën e dëmshpërblimit që deputeti socialist duhet t’u jepte dy fëmijëve të Kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha. Më herët në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Parë e gjeti fajtor deputetin e PS-së për shpifje ndaj Malltezit dhe Berishës, ndërsa e dënoi 5 milionë lekë gjobë nga 8 milionë që kishin kërkuar dy paditësit në padinë e depozituar në gjykatë. Sipas vendimit të gjykatës, dy paditësit, Argita Malltezi është pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe e njohur në fushën e jurisprudencës dhe drejtësisë, në aspektin akademik dhe atë të avokatisë; ndërsa paditësi Shkëlzen Berisha ushtron profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë, gjithashtu ata janë dhe fëmijët e Kryeministrit të vendit.

Shpifja e deputetit Tahiri

Në datën 16.9.2011, i padituri Saimir Tahiri, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i ftuar në emisionin “Zonë e lirë” në televizionin “Klan”, i intervistuar nga drejtuesi i këtij emisioni bën një deklarim. Në këtë deklarim i padituri ndër të tjera ka pohuar: “Kursi nuk dallon dhe nuk më pengon mua që Sali Berisha është i korruptuar, i biri dhe e bija janë të përfshirë në korrupsion, familja e tij është përfshirë,…… etj.”.

Mbrojtja e dy fëmijëve të Kryeministrit

Pala paditëse gjatë gjykimit ka pretenduar: “I padituri nëpërmjet këtij deklarimi në media, në datë 16.9.2011 i ka shkaktuar një dëm jopasuror paditësve, duke njollosur publikisht emrin dhe personalitetin e këtyre subjekteve. Dëmi jopasuror që i është shkaktuar paditësve Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, është kryer me dashje dhe me qëllim për të njollosur emrin dhe personalitetin e këtyre personave, si fëmijë të Kryeministrit të Shqipërisë. Deklarata e bërë në një emision televiziv prej të paditurit ka përmbajtje të rreme, pasi ai ka shpifur kur ka deklaruar se fëmijët e Kryeministrit janë të përfshirë në korrupsion. Deklaratat e bëra nga i padituri në emisionin “Zona e lirë” në televizionin Klan, në drejtim të paditësve janë të pavërteta dhe kanë pasur si qëllim cenimin e nderit dhe të dinjitetit të paditësve. Deklarata të tilla përbëjnë akuza të forta në drejtim të tyre dhe që nuk janë shoqëruar me fakte, të cilat ashtu si deklaratat, duhet të tregohen nëpërmjet të njëjtave mjeteve që u përhapën akuzat publikut të gjerë. Për rrjedhojë, sipas Malltezit dhe Berishës, ato përbëjnë shpifje publike dhe fyerje për paditësit duke i cenuar ata në nderin, personalitetin e mirë që gëzojnë. Në lidhje me dëmin jopasuror që u është shkaktuar paditësve, i padituri duhet të detyrohet të paguajë dëmshpërblimin e kërkuar për secilin paditës, pra nga 4 milionë lekë secili.

Vendimi, arsyet pse shpallet fajtor Tahiri

Gjykata e shpall fajtor Tahirin për veprën penale të “Shpifjes”, duke e dënuar me gjobë. Madje, sqaron edhe arsyet pse pretendimit i tij se janë bërë për shkak të funksionit të deputetit nuk pranohet nga gjykata. Së pari, sipas gjykatës, deklaratat e të paditurit nuk janë bërë në sallën e Kuvendit dhe as në ambiente të tjera që mund të barazohen me të si p.sh., në mbledhjet e komisioneve parlamentare ose në mbledhjet e grupeve parlamentare, të cilat duke qenë organizime të brendshme të Kuvendit dhe veprimtari të lidhura ngushtë me veprimtarinë e tij, i sjellin të njëjtën mbrojtje deputetit. Gjithashtu nuk u provua që deklaratat të ishin riprodhim i atyre çfarë mund të ishte thënë në Kuvend. Së dyti, nuk është në misionin e deputetit të bëjë akuza publike për fakte konkrete. Siç u theksua në paragrafët e mësipërm, deputetit i lejohet të shqyrtojë, të analizojë dhe të denoncojë problematika apo fenomene negative që lidhen me qeverisjen e vendit ose me publikun e gjerë, por në asnjë rast të trajtojë çështje konkrete dhe aq më pak kur konstaton fakte kriminale sipas tij. Është institucioni i prokurorisë ai që merret me hetimin e fakteve kriminale dhe që ngre akuza në funksion të tyre. Kuvendi si institucion kushtetues dhe anëtarët e tij, mund të kërkojnë dhe të hetojnë mbi një çështje të caktuar, për aq sa i lejon Kushtetuta në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore, e duke pasur si pikë referimi kriteret e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim. Deputeti, në radhë të parë si çdo qytetar dhe më tej si një funksionar publik, mbart detyrimin që në bazë të neneve 281 e 283 të K.Pr.Penale për të bërë kallëzim për çdo të dhënë që ai e konsideron se ka elementë kriminale. I padituri jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë, por në një emision televiziv bën një akuzë për emra konkretë, duke cenuar në këtë mënyrë parimin e prezumimit të pafajësisë të mishëruar në nenin 30 të Kushtetutës së Shqipërisë sipas të cilit: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”, si dhe nenin 4 të K.Pr.Penale. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në një sërë vendimesh të saj ka përcaktuar qartë dallimin midis atyre që ajo i quan fakte (informacionit) dhe gjykimeve vlerësuese (opinioneve, mendimeve). Ndërsa opinionet janë pikëpamje ose vlerësime personale, të një ngjarje ose situate dhe nuk janë të perceptueshme si prova për të qenë të vërteta ose të pavërteta, faktet mbi të cilat bazohen opinionet, janë të mundshme për t’u provuar si të vërteta apo të pavërteta. Për çdo rast, ato duhet të veçohen me kujdes. Ekzistenca e fakteve mund të dëshmohet, ndërkaq që vlerësimet nuk mund të dëshmohen (shih vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Lingens kundër Austrisë, Dalban kundër Rumanisë, Cumpana dhe Mazare kundër Rumanisë dhe Harlanova kundër Letonisë). Prandaj lind si detyrë e të gjithë organeve shtetërore dhe funksionarëve publikë, që në zbatim të një prej parimeve më të shenjta të Kushtetutës, parimit të shtetit të së drejtës, të respektojnë me rigorozitet kufijtë që iu janë vendosur nga e drejta që është në zbatim në Republikën e Shqipërisë. Për këto shkaqe, deklarimi i bërë nga i padituri nuk mund të përfshihet në kuptimin që Kushtetuta i jep misionit të deputetit, duke qenë në tejkalim të të drejtave dhe detyrave për të cilat i është dhënë besimi i zgjedhësve. Së treti, pohimet e të paditurit në deklarimin e tij gjatë emisionit televiziv, por edhe gjatë këtij gjykimi, nuk u provuan të ishin të vërteta, përkundrazi i padituri edhe në konkluzionet përfundimtare ju qëndroi akuzave të bëra duke aluduar për përfshirjen e paditësave në veprimtari të kundërligjshme. Është e vërtetë që, mbështetur në nenin 12 të Kodit të Procedurës Civile, pala që ngre një pretendim, ka detyrimin për ta provuar atë dhe në këtë rast pala paditëse ndër të tjera pretendon pavërtetësinë e deklaratave të të paditurit, ndërkohë që ishte plotësisht e pamundur për palën e paditur për të provuar mosekzistencën e këtij fakti. Në këto kushte, barra e provës binte mbi të paditurin për të provuar pohimet e tij. Nuk mund të detyrohej pala paditëse të provonte faktin që nuk janë përfshirë në korrupsion apo të korruptuar, pasi diçka e tillë do të ishte alogjke dhe e pamundur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency