Takimi Meta: Koalicioni me PD-në, i qëndrueshëm

0
133

Ina Jano

METAKreu i LSI-së u takua dje në Rrëshen me strukturat lokale, ku kësaj force politike iu shtuan edhe 150 anëtarë të rinj. Meta konfirmoi qëndrueshmërinë e mazhorancës qeverisëse dhe bëri thirrje për votimin e ligjeve

 

Lideri i LSI-së deklaroi dje se koalicioni me Partinë Demokratike është i qëndrueshëm dhe po ashtu edhe mazhoranca qeverisëse. Meta tha se vota sa i përket komisionit hetimor të mbështetur nga opozita, nënvizoi se nuk ka lidhje me koalicionin qeverisës, por vetëm me një qëndrim parimor të partisë së tij. “Nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin tonë ndaj qeverisjes dhe ndaj marrëveshjes sonë të koalicionit. Ne kemi pasur dhe raste të tjera për çështje të caktuara ku kemi shprehur qëndrimin tonë dhe e kemi bërë këtë në mënyrë shumë të qartë dhe konstruktive”, – deklaroi Meta. Ky i fundit ripërsëriti edhe thirrjen e tij për të votuar të gjitha ligjet që ka rekomanduar Komisioni Evropian. Ai tha se të gjitha partitë në vend duhet të kuptojnë që Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që përpara tre vjetësh dhe qytetarët shqiptarë e kanë treguar veten se janë të gatshëm që të plotësojnë të gjitha kushtet. “Nuk duhet ta kumbisnim statusin e vendit kandidat për herë të tretë, përkundrazi duhet ta kishim fituar tre vite më parë dhe sot hendeku i vërtetë është midis kulturës demokratike që kanë qytetarët tanë këtu në Rrëshen dhe në çdo qytet dhe komunë të Shqipërisë dhe nivelit të papërmbajtur të konfliktit që vihet re në Parlament dhe që sjell bllokimin e reformave që janë të domosdoshme për progresin e vendit dhe për të përmirësuar jetën e gjithë qytetarëve tanë. Qytetarët tanë i kanë treguar vlerat e tyre evropiane. Kanë treguar që janë të aftë të marrin përgjegjësi dhe detyrime. Nuk ishin të paktë edhe në Shqipëri politikanët por edhe në Evropë, përpara se të ndodhte liberalizimi i vizave, që shpreheshin skeptikë nëse qytetarët shqiptarë do të respektonin detyrimet që buronin nga marrëveshja e liberalizimit të vizave. Nuk ishin të paktë ata që thoshin, edhe politikanë, se po të hiqeshin vizat, 1 milion shqiptarë për shkak të varfërisë do të qëndrojnë në vendet e BE. Dhe ja ku jemi pas kësaj kohe, 1 milion e gjysmë shqiptarë kanë udhëtuar pa viza në më pak se dy vjet dhe në të gjitha raportet e KE-së, qytetarët shqiptarë rezultojnë që i kanë respektuar detyrimet e tyre më mirë se gjithë qytetarë e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, – u shpreh zoti Meta.

Udhëheqësi i LSI-së shpërndau edhe 150 karta të reja anëtarësimi për të gjithë të rinjtë që iu bashkuan kësaj partie. Ai vlerësoi punën e mirë të të gjithë anëtarëve të LSI-së në vend dhe veçoi edhe rolin e gruas, e cila ka bërë një emancipim të madh të vendit. Duke u shprehur për besimin e qytetarëve, kreu i kësaj partie deklaroi se qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë rolin konstruktiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim, rolin e saj të rëndësishëm për stabilitetin politik të vendit, për detoksikimin e klimës politike. Sipas tij, është e rëndësishme që politika të reflektojë dhe është e rëndësishme njëkohësisht që LSI të arrijë një rezultat shumë më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. “Unë jam i bindur që do ta kemi këtë rezultat, sepse qytetarët tanë kërkojnë stabilitet, kërkojnë ndryshime, por kërkojnë ndryshime, të cilat vijnë përmes garancive se do të jenë ndryshime të ditura dhe jo të paditura. Ndryshim që çojnë në rrugën e zhvillimit dhe të progresit, në rrugën e bashkëpunimit, në rrugën e forcimit të institucioneve të pavarura, në rrugën e respektimit të meritokracisë, në rrugën e hapjes së mundësive për sa më shumë qytetarë dhe jo të kufizimit të tyre”, – shtoi Meta.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency