Statusi PS “sfidon” Brukselin për kriteret: Zgjedhjet janë kusht

0
132

Gëzim Saliu

majkoEdhe pse vetëm pak ditë më parë Brukseli zyrtar shprehu qartë qëndrimin e tij për këtë çështje, duke nënvizuar se tri ligjet përbëjnë kushtet e vetme për marrjen e statusit e ndërsa zgjedhjet sipas KE-së, janë një kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, opozita këmbëngul në qëndrimin e saj

 

Partia Socialiste pohon se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë një kusht i rëndësishëm për t’u përmbushur në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Edhe pse vetëm pak ditë më parë Brukseli zyrtar shprehu qartë qëndrimin e tij për këtë çështje, duke nënvizuar se tri ligjet përbëjnë kushtet e vetme për marrjen e statusit e ndërsa zgjedhjet sipas KE-së, janë një kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, opozita këmbëngul në qëndrimin e saj. Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, deklaroi dje se do jenë zgjedhjet e vitit 2013 që do të vendosin fatet e shqiptarëve. Po ashtu, deputeti socialist komentoi edhe deklaratat nacionaliste që janë bërë pjesë së fundmi e debatit politik në vend, duke kërkuar që të tregohet kujdes për të mos tejkaluar patriotizmin. “Mund të ketë deklarata të papritura që kalojnë rregullat. Jemi në prag fushate, një pjesë e deklaratave bëhen për vota. Duhet të dallohen deklaratat që tejkalojnë patriotizmin”, – tha Majko.

 

Zgjedhjet dhe statusi

Pas mosvotimit të tri ligjeve, të përcaktuara nga Komisioni Evropian në progres-raportin e tetorit si kushte për marrjen e statusit, klasa politike shqiptare u përfshi në një debat, ku palët fajësonin njëri-tjetrin. Nisur nga kjo politikë konfliktuale, Brukseli zyrtar “ndërhyri” sërish disa ditë më parë, duke bërë të ditur qëndrimin e tij zyrtar lidhur me çështjen e statusit dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. “Zgjedhjet nuk janë pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk janë pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por, pa dyshim, zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht kjo nuk është një kusht”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Qipros Erato Kozakou Marcoullis. Në këtë kontekst, edhe komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian kërkoi nga palët politik që të përqendrohen tek tri kushtet e mbetura, sepse, sipas tij, procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet. “Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, te cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”, – u shpreh komisioneri Fyle. Po ashtu, ky qëndrim i Brukselit u mbështet edhe nga Parlamenti Evropian, i cili në miratimin e rezolutës për Shqipërinë, i bëri thirrje klasës politike shqiptare për t’u angazhuar në plotësimin e tri ligjeve. “Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të vazhdojë progresin në rrugën e integrimit evropian. Kushtet janë ende aty, prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian”, – theksohej në rezolutë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency