Politika PD-PS

0
136

RAMARama: Në 23 qershor, Shqipëria do të marrë drejtimin e duhur

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaron se 23 qershori do të sjellë do ta shndërrojë Shqipërinë në një vend evropian. Gjatë një takimi me të rinjtë në Vlorë, në përmbylljen e turit Manifest për vitin 2012, kryesocialisti pohoi se pas zgjedhjeve të ardhshme, Shqipëria do të marrë vendin që meriton në familjen evropiane. “Në 23 qershor ne do ta përmbysim këtë botë që na është imponuar përmes votave të vjedhura, përmes padrejtësish të përditshme, përmes mungesës së plotë të vizionit,të projektit, të ideve dhe të aftësive për ta çuar Shqipërinë aty ku meriton, në familjen evropiane si anëtare me të drejta të barabarta të asaj familjeje dhe për t’i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve të këtij vendi që nesër të mos jenë qytetarë të dorës së dytë të Bashkimit Evropian, por të jenë evropianë mes evropianëve të shkolluar, të stërvitur, të gatshëm që të përballojnë rrugët e gjera të konkurrencës jo vetëm brenda Shqipërisë po kudo nëpër gjithë Evropën. Në 23 qershor bota jonë, bota shqiptare, këtu në Shqipëri do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për të marrë Shqipëria drejtimin e duhur”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu socialist, bëri të ditur alternativën e opozitës, duke nënvizuar se parësore do të jenë ekonomia dhe punësimi. “Një Shqipëri që të ketë taksim të ndershëm dhe jo taksë të sheshtë që bën që mësuesit të paguajnë më shumë taksa se ministri i Arsimit apo polici të paguajë më shumë taksa se ministri i Brendshëm. Një Shqipëri ku shërbimet merren sipas nevojave jo sipas xhepit, ku gjithkush që ka nevojë për kujdes shëndetësor ta marri atë kujdes dhe pse mund të jetë i papunë dhe për pasojë i pasiguruar. Apo dikush që dëshiron të shkojë më tutje, të arsimohet më shumë të mund ta bëjë këtë edhe sikur familja e tij të jetë e varfër sepse arsimimi nuk është një e drejtë që blihet po është një e drejtë që garantohet për të gjithë. E pra një Shqipëri ku ne të gjithë së bashku të mund të themi, po ishim ne të gjithë së bashku që kthyem një faqe dhe hapëm një faqe të re në historinë tonë”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

Patozi: Radikalizmi politik i Ramës merr fund në 2013-ën

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaroi dje se bllokimi që i bëri Partia Socialiste statusit të vendit kandidat, do të jetë i fundit, pasi, sipas tij, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm, kryesocialisti Rama do të pësojë humbjen e radhës. “Mosmarrja e statusit është lajm i hidhur, por jo i papritur. Nuk ka njeri të çuditur. Për statusin kanë qenë të përgatitur njerëzit. Edi Rama nuk pati mundësi të bënte më shumë, aq kishte mundësi, aq bëri. Lajmi i mirë është që e ka për herë të fundit. Mundësia e vetme që ne kishim, ishte që PS t’i imponohej Edi Ramës që ne të miratonim tri ligjet dhe statusi ishte i zgjidhur. Kjo nuk ndodhi dhe nuk fajësoj kolegët socialistë sepse shumë prej tyre nuk kanë dashur bllokimin, por sigurisht 6 muaj para zgjedhjeve nuk mund t’u kërkosh atyre braktisjen e kryetarit dhe futjen në zgjedhje të hallakatur”, – tha Patozi në një reagim në rrjetin social Facebook. Më tej, kryetari i grupit kuvendor të selisë blu theksoi se mes shumë skenarëve për rezultatin e zgjedhjeve, ajo që do të jetë e sigurt në 2013-ën, është humbja e PS-së. “Është radikalizëm politik i Edi Ramës, por them që është për herë të fundit. Ka disa skenarë vitin e ardhshëm, shqiptarët të votojnë shumicën integruese. Nuk është e pamundur, por pak e largët dhe skenarë të tjerë. Por jam i bindur se sado thellë apo ngushtë të humbë Rama, ai nuk do të mund të bllokojë më”, – u shpreh Patozi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency