HEC-et, Kurum “blen” katër hidrocentrale

0
212

Blendi Hasani

hecHapen ofertat në METE, kompania turke Kurum ofron 109 milionë euro në tenderin e suksesshëm

Kompania turke e çelikut KURUM, e njohur në vendin tonë për pjesëmarrje në industrinë e metalurigjisë së zezë, të hekurit e çelikut, prej shumë vitesh, por që ka edhe një licensë për energjinë elektrike, ofroi dje 109 milionë euro për blerjen e katër hidrocentraleve të madhësisë së mesme, që deri tani kanë qenë në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Me këtë super-ofertë, dëshmohet një interes i madh nga investitorët e huaj për të marrë pjesë në sektorin e energjisë elektrike shqiptare, sidomos në kuadër të zhvillimit që ka marrë ky sektor në përputhje me synimin e qeverisë për ta kthyer vendin në një superfuqi rajonale energjetike.

 

Bistrica

Në tenderin e parë, të zhvilluar dje nga METE, kompania turke “Kurum” ofroi çmimin më të lartë për blerjen e HEC-eve Bistrica 1 dhe Bistrica 2 në shumën 52 milionë euro në ministrinë e Ekonomisë, ku sot u hapën ofertat për privatizimin e  shoqërive HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a. Në këtë tender të hapur u ofruan 7 kompani, prej të cilave edhe shqiptare. Kompania amerikane “Goergian American Aloysins” US dha ofertën financiare prej 30.355.000 Euro. Oferta e dytë erdhi nga kompania boshnjake “Energolina “ me 44.847.496 euro. Oferta e tretë financiare me vlerë financiare 27,5 milionë Euro u dha nga Konsorciumi Italian “Mova Poeer Eletrica”. Oferta e katërt financiare 19,3 milionë euro u ofrua nga “Çalik Energy”. Kompania shqiptare “Erpa Investment” ofroi 35,1 milionë Euro. “Agna Consorcium” ofroi shumën 37,1 milionë euro. Ndërsa “Kurum International” dha ofertën më të lartë, 52 milionë Euro.

Ulza dhe Shkopeti

Grupi “Kurum International” dha ofertën më të lartë financiare, 57,5 milionë euro edhe për privatizimin e dy HEC-eve të tjerë mesëm, Ulëz dhe Shkopet. Në tenderin e hapur që u zhvillua në ministrinë e Ekonomisë ofruan ofertat e tyre 4 kompani të huaja për blerjen e dy hidrocentraleve të mesëm. Oferta e parë ishte nga kompania amerikane “Goergian American Aloysins” US “ me 26,5 milionë euro. Oferta e dytë erdhi nga kompania boshnjake “Energolinja” me 31.850.804 euro. Grupi “Çalik Energy” ofroi shumën për blerjen e HEC-eve Ulëz dhe Shkopet prej 15, 8 milionë euro. Ndërsa “Kurum International” dha ofertën 57.5 milionë euro.
Sipas të dhënave nga ERE, dy HEC-et Ulëz dhe Shkopet kanë kapacitet të instaluar prej 24MË dhe janë plotësisht të rehabilituar pak vite më parë nga KESH-i.
Zv.ministri i METE-s, Sokol Dervishaj pas hapjes së ofertave, tha se “komisioni do të vijojë me vlerësimin e ofertave dhe verifikimin e tyre dhe hartimin e renditjes përfundimtare sipas ofertave financiare dhe teknike pas vlerësimeve përkatëse”.

Kompania

Kompania turke “Kurum” prej vitit 1999 ushtron aktivitet në Shqipëri në fushën e metalurgjisë. Kjo kompani është ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në vend, me rreth 7% të totalit të konsumit. Që prej fillimit të vitit 2012, Kurum është licencuar si klient i kualifikuar, ku hyjnë klientët e lidhur me linjat e tensionit të lartë 110 kV dhe që kanë konsum vjetor më të madh se 50 milion kwh. Ky grupë klientësh furnizohen nga furnizues të kualifikuar, që licencohen nga ERE, duke krijuar nj treg prej rreth 40-50 milion euro në vit.
Me dy ofertat që dje “Kurum” dha për të blerë 4 HEC-et e mesëm me vlerë 109 milionë euro, tregon një strategji për tu bërë ndër operatorët më të mëdhenj të shitjes së energjisë elektrike.

 

 

 

 

Prioriteti i bujqësisë për 2013, Programi Kombëtar i Ullirit

Një ndër prioritetet kryesore të punës për vitin 2013 për Ministrinë e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të vazhdoje të mbetet realizimi i programit për zhvillimin e ullishtarisë në Shqipëri. Për të diskutuar për ecurinë e këtij programi ne 2-3 vitet që vijnë, Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit organizoi në Vlorë një takim kombëtar me prodhues të fidanëve, me fermer që merren me kultivimin e ullirit, si dhe me përpunues të vajit të ullirit në vend. “Ritmet e mbjelljeve të reja në ullishte rriten çdo vit duke arritur në 3 000 ha/vit nga të cilat 80 % financohen nga skemat e subvencioneve me mbështetje nga buxheti i shtetit. Në vitin 2013, të parët që do përfitojnë financim do të jenë të gjithë ata fermerë që kanë mbjellë ullishte gjatë vitit 2012 dhe që për mungese fondesh nuk janë financuar.Kjo kategori fermerësh do të përfitojë nga buxheti i vitit 2013 dhe do të marrë paratë brenda 3-mujorit të parë të vitit që vjen. Programi i zhvillimit të ullishtarisë ka hyrë në një faze shumë intensive të zbatimit të tij, pasi prej dy vitesh funksionon me kapacitet të plotë edhe Qendra Kombëtare e prodhimit të fidanëve autoktone të ullirit, pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë. Kjo qendër ka të gatshme sot për mbjellje rreth 100 mijë fidanë autoktone ulliri, ndërsa gjatë vitit 2013 numri i fidanëve të prodhuar në këtë qendër pritet të arrijë në rreth 200 mijë. Çmimi i tregtimit të këtyre fidanëve në Qendrën e Vlorës  do të jetë 50 % më i ulët se sa çmimi aktual i tregut dhe gjithashtu cilësia e këtyre fidanëve është plotësisht e garantuar. Skema e subvencionit për ullirin për vitin 2013 do të përqendrohet kryesisht në mbjelljen vetëm të llojeve autoktone sipas parashikimeve të bëra në studimin kombëtar për ullishtarinë në Shqipëri”, – tha Ndoc Faslia, zëvendës ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency