200 vjet e panjohur Zbulohet si u shkrua poema e vrasjes së Ali Pashës

0
310

Violeta Murati

 

ali pasheKulturë/ Studiuesi Irakli Koçollari, zbulon autorin e poemës së panjohur, kushtuar Ali Pashës

 

 

Për herë të parë gazeta “Standard” boton ekskluzivisht poemën e panjohur për Ali Pashën të zbuluar pas 200 vjetësh nga studiuesi Irakli Koçollari, shkruar shqip me alfabetin grek. Nga anonim studiuesi hedh dritë mbi autorin, i cili ka qenë dëshmitar okular i çasteve të fundit të jetës së pashait, vrasjen. Krahasimi historiko-letrar e ka çuar në pohimin e parë mbi anonimatin e poemës, duke njohur për autor të famshmin e vargjeve të “Alipashaidës”,- Haxhi Shehretin

 

Pak kohë më parë, dr. Irakli Koçollari studiuesi që merret prej 25 vjetësh me Ali Pashën, ka tërhequr vëmendjen duke sjellë nga arkivat greke një poemë të panjohur për pashain e Janinës. Portreti i Ali Pashës i sintetizuar herë plot adhurim e herë me urrejtje për bëmat e tij, është shndërruar sa në një legjendë aq dhe të vërteta historike, ku nuk shterin informacionet, sa për jetën personale ashtu dhe qeverisjen e tij.

Në këtë vështrim e shohim me interes dhe publikimin e poemës së panjohur, për Ali Pashanë, që lidhet si duket me gjenealogjinë e familjes së tij, momentet e fundit të jetës së Pashait. Kjo poemë sipas studiuesit është mbajtur shënim nga francezi Emile Legrand, në vitin 1873 i cili gjendej me punë në Athinë.

Në parantezë Legrand, konsiderohet një nga neohelenistët francez duke u marrë me studimin e gjuhës së re greke, po njëkohësisht edhe me letërsinë e shqiptarëve në Greqi. Nga ky autor është një botim i Universitetit të Parisit, “Bibliografia e botimeve shqiptare nga shek.V- XIX”, viti 1912.

Po nga Legrand në arkivat greke është ndeshur nga studiuesi edhe një libër i vitit 1871. Bëhet fjalë për “Përmbledhje e Monumenteve për të shërbyer mbi studimin e gjuhës së re grek, nr.18 – Gjenealogjia e Ali Pashait” ( në frengjisht titulli “Collection de monuments pour sehvir l’etude de la langue neo-helllenique nr.18- Genealogie D’Ali Pacha”). Pikërisht në këtë libër thuhet se në parathënie Legrand, flet mbi poemën që i kushtohet gjenealogjisë së Ali Pashës, ardhjen e tij në fronin e vezirit të Janinës, lidhjet e tij.

“Mbledhja dhe publikimi i vargjeve të një poeme franceze rreth viteve1880 nga francezi Emile Legrand, duket se nuk tërhoqi vëmendjen e kohës e për rrjedhim, në indiferencën e heshtjes dalëngadalë ajo u harrua”, shkruan Koçollari në librin e sapo dalë në treg “Vaje për Ali Tepelenën”,- duke na plotësuar të panjohurën e poemës me informacione të reja mbi autori e vargjeve.

Për studiuesin rigjetja e kësaj poeme, titulluar “Vaje për Ali Tepelenën, Pashai i Janinës”, përkthimi dhe publikimi i saj, vlerësohet një eveniment, pasi ky krijim në vargje mbart vlera të veçanta sa letrare, aq dhe historike.

Për vlerat historike, studiuesi Koçollari vënë përballë dokumentacioneve thotë se autori anonim i vargjeve sjell një informacion shumë të gjerë, të bollshëm dhe tepër të saktë historik, të një harku kohor tepër interesant, që kulmon me vrajsen e Pashait të Janinës, figurës me karizmatike të Ballkanit të fillimit të shekullit të XIX.

“Kjo periudhë gati njëvjeçare (deri në shkurt 1822) brenda hullisë së të cilës lëvizin akrepat kohorë të kësaj poeme, është tepër e ngarkuar me ngjarje politike, ushtarake, aleanca, tradhti, ndeshje, disfata, tragjedi, meditime, refleksione mbi kohë që shkojnë dhe të tjera që do të vijnë.”

Studiuesi na zbulon se vargjet sjellin fakte të reja historike, të panjohura, evidentojnë ngjarje të pagjetura më parë, përmendin personazhe të rinj e të vjetër dhe rrëfejnë rolin e tyre në rrjedha të caktuara të ngjarjeve.

Të gjitha këto thotë Koçollari, përbëjnë një fond të rëndësishëm, brenda fondit të dokumenteve historike, që ruhen në këto kohë dhe veçmas për figurën e Ali Pashës dhe çastet e fundit të jetës së tij.

Me këtë poemë shkon në tre numri i krijimeve poetike mbi Ali Pashën, të shndërruar ndër më kulmoret mbi jetën e tij. Është e mirënjohur “Alipashaida” e Haxhi Shehretit,  për të cilin studiuesi na thotë se nuk ka qenë krijim i vetëm dhe as fenomen i shkëputur shqiptar i epokës së Ali Pashës. Përveç kësaj, pra, është dhe poema e panjohur, që po flasim, “Vaje për Ali Tepelenën, Pasha i Janinës”, vlerësuar si unike e ngritur mbi një cikël rapsodish epiko-elegjiake, që i kushtohet kryesisht ngjarjeve të ditëve të fundit të jetës së tepelenasit të famshëm, të cilat nuk trajtohen kështu, me kaq detaje dhe hollësi, nga ndonjë dokument tjetër i veçantë.

Një të tretë, fragment të shkëputur studiuesi Koçollari na tregon për poezinë e gjetur kohëve të fundit, në arkivin personal të Ali Pashës. Ky e ka autorin, është Zaho Kasneci nga Vuanoi. “Për të nuk dimë se sa vargje ka pasur, pasi ajo është vetëm fragment i një krijimi ndoshta të gjatë. Vargjet i dedikohen aktit tragjik të ndëshkimit të Kardhiqit, dhe kardhiqiotëve, prej Ali Pashës, në vitin 1818”.

Krijuesit e tyre, thotë Koçollari, duket qartë se qenë njerëz të kulturuar dhe nuk u gjendën rastësisht në rrugën e krijimit.

Këtu studiuesi i Ali Pashës hedh dyshimet e para se poema e panjohuar “Vajet për Ali Tepelenën, Pashain e Janinës”, mund të jetë shkruar nga i njëjti poeti, pra nga vetë delvinjoti i njohur Shehreti. Ky pohim vjen për të parë për gazetën “standard”, bashkë me ekskluzivitetin fakteve të zbuluara në librin mbi poemën, ku vë në krahasim të detajuar si rimë, ritmikë, gjuhë letrare, meditim, mendim poezitë “Alipashadia” me “Vajet e Ali Tepelenës”, mbetur 200 vjet pa autor.

“Gjer në momentin kur para disa vitesh kishim gjetur dhe njihnim vetëm “Alipashaidën” e Haxhi Shehretit, krijohej përshtypja se kishim të bënim me një fenomen të shkëputur, gati, gati me një zë të vetmuar në një botë të shurdhër. Madje ka pasur ndonjë zë, që e ka vlerësuar atë si rast spontan të një poeti Oborri”.

Por, gjetja e krijimeve të fundit e ka ndalur studiuesin e Pashait duke parë me kujdes produktet letrare, duke ndryshuar mendimin për atë kohë dhe klimën kulturore të krijuar. Kjo e çon në konkluzionin se tanimë nuk kemi të bëjmë me një rast sporadik, por me një numër krijimesh, me një numër intelektualësh, nëpunësish që kanë pasur kulturë, mjekësh, arkitektësh diplomatësh e intelektualë që kishin studiuar jashtë dhe hapën shkollat e para në Janinë- ja kjo atmosferë kulturore si duket shihet si favorizuese për të formuar një klimë e terren për të folur sot mbi atë kohë, se ka ekzistuar një traditë e tërë e begatë kulturore, poetiko-letrare.

Sipas Emil Legrande këto vargje njiheshin përmendësh nga shumë njerëz dhe përsëriteshin vazhdimisht dhe pas shumë vitesh të vrasjes së Pashait.

Libri fillon me një parathënie të Emile Legrand mbi poemën që i kushtohet Gjenealogjisë së Ali Pashë Tepelenës, ngjitjen e tij në frontin e Vezirit të Janinës, lidhjet e ngushta me nënën e tij Hankon, këshillat e saja etj.Siç shkruan Legrand, këtë poemë e ka njohur nga profesor z. Brunet de Presle, që i kishte mësuar gjuhën e re greke. Poema është sjellë në Francë nga z. Grasset, agjent konsullor i Francës në Epir. Për fat të keq autori ka mbetur anonim, por Emile Legrand bënë vlerësimet më të larta nga ana e krijimtarisë letrare.Në këtë libër janë botuar edhe disa vargje në gjuhën shqipe që i kushtohen vdekjes tragjike të Ali Pash Tepelenës.

Vargjet e shkruar në gjuhën shqipe me alfabetin grek tregojnë çastet kur mbërrin ushtria e sulltanit dhe i bëjnë thirrje Aliut plak të dorëzohet.Sipas Emil Legrand vargjet në gjuhën shqipe janë gjetur në dorëshkrimet e konsullit M.Grasset. Sipas Legrandit këto vargje duhet të jenë pjesë të ndonjë kënge e cila në libër është përshtatur edhe në gjuhën greke nga ndonjë shqiptar.

Nëse u deshën 200 vjet për të nxjerrë nga arkivat greke këtë “poemë të panjohur”, Irakli Koçollari, tregon se u bë rreth një vit e gjysmë që merret me përkthimin e saj. Me botimin e poemës për herë të parë në një libër studiuesi ka sjellë dhe konkluzionin letrar, se poema mund të jetë shkruar nga kronisti i famshëm, ai që shkroi “Alipashiadën”,- Haxhi Shehreti, që mendohet të ketë qenë brenda rrethimit, ku qëndronte i vetëm Ali Pasha, deri në çastin e fundit të jetës së tij, vrasjes.

 

 

Kush të jetë poeti?

Hipotezat se kush mund të ishte poeti i vargjeve të fundit të jetës së Pashait të Janinës asnjëherë nuk kishin çuar tek emri. Në këtë përpjekje për herë të parë studiusi Koçollari, i ka dhënë përgjigje, duke identifikuar emrin e Haxhi Shehretit. Megjithatë ai së pari ndjek gjithë afritë që çuan tek emri i këtij poeti.

Pa asnjë mëdyshje autori i poemës është shqiptar nga Arbëria e jugut- i referohet studiuesi, së pari Legrand, njeriut i cili e dëgjoi poemën të rrëfehej përmendësh nga shqiptari plak, Jani Paguni, dhe mandej ta shkruajë mbi kartë, nga dëgjimi direkt prej gojës së plakur emigranti.

Me konkretisht citohet neohelenisti i shquar francez, i cili thotë: “Autori i poemës, me siguri ka qenë shqiptar mysliman”. Legrand jep dhe argumente rreth pohimit që shpall, për autorësinë dhe autorin.

“Poeti,- thotë ai,- ndjen keqardhje, dhe këtë ai e shpreh me disa fjalë qortuese ndaj turqve, besimtarëve të së njëjtës fe, dhe nga ana tjetër ai është plot butësi ndaj tradhtisë së Gegëve dhe Toskëve , bashkëpatriotëve të tij”.

Duke qenë monarku më i dëgjuar i Ballkanit, ku lëvizjet e tij politike, kurajoja, novacioni, kundërshtitë, egërsia, bashkë me to lavdia tronditëse – tërhoqën për herë të parë mbas shumë shekujsh vëmendjen e Evropës- ja për këtë fenomen merr përgjigje pyetja e studiuesit pse krijimet e asaj kohe patën në qendër Pashain tepelenas.

Pas vitit 1822 Ali Pashai nuk ekziston më. Por, me gjithë tendencën politike për ta harruar simpatinë për pashain tashmë të vrarë, si duket autori i “Vajeve…” donte ta rrëfente, ta thoshte historinë. “Pas vdekjes së Pashait, duhej ta thoshte, jo vetëm ta thoshte, por të krijonte një poemë të tërë. Për poetin ishte kohë, kur krijimtaria kërcënohej prej censurës dhe ndëshkimit të pamëshirshëm të Perandorisë Osmane”, shkruan në parathënie të poemës në shqip, Koçollari duke vazhduar se “këto vargje për të “rebeluarin e Portës” ishin më shumë se njëherazi, një aventurë e rrezikshme me pasoja fatale. Nga ana tjetër, për studiuesin krijimi shkruhej kur një monark, apo despot nuk jetonte më, dhe ata, që do ta lexonin apo dëgjonin vargjet e poemës do ta vlerësonin si një vepër të zhveshur nga ndjenjat e servilizmit dhe aq më pak nga frika.

“Tani askush nuk do të mund ta akuzonte poetin si “gaztor i oborrit””.

 

 

A ishte poeti dëshmitar okular i ngjarjeve?

 

Studiuesi Irakli Koçollari, e thotë me bindje se çdokush që do bënte një lexim të kujdesshëm të vargjeve të poemthit, dhe pasi të kesh njohur më parë historinë e Pashallëkut, e njohur mirë dokumentet mbi të qoftë në arkiva e libra, konstaton se ka lëndë konkrete dhe korrekte të atij terreni. E njëjta gjë vë re edhe tek rapsoditë “Alipashaiadës”,- të Haxhi Shehretit. Vargjet e poemës përshkruajnë tepër saktë tërë ngjarjet, skenat e luftës, emrat e pashallarëve, bisedat e komandat e dhëna, llojin e armatimit të përdorur, kafshët, vendet fushimet, çadrat, djegiet, vrasjet, ankthet dhe emocionet e të rrethuarave. “Si një kronikë precize, bile shumë më e plotë se kjo, poema na ofron meditimet e brendshme dhe dilemat shpirtërore të personazheve historikë, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë lloj kronike apo shkrim tjetër të kohës”, thotë Koçollari.

Për të gjitha këto studiuesit shprehet se krijohet bindja e padiskutueshme se autori anonim i poemës duhet të ketë qenë dëshmitar okular i afër i ngjarjeve apo personazheve konkretë për të cilët ai thur vargje, për të mos thënë se ai ka qenë aktor aktiv dhe i drejtpërdrejtë në to.

Koçollari ka bërë analizën në detaje, duke qenë dhe përkthyes i poemës në shqip, për këtë arsye jep sigurinë se radhët e personazheve që renditen në “listën” e poemës, nuk gjejmë të tillë të stisur, të krijuar nga imagjinata e autorit.
“Ai u qëndron besnikërisht atyre jo vetëm në identitetin nominativ, por edhe në funksionet që kanë pasur, në misionet dhe detyrat që ata kanë kryer, në shërbim të Vezirit apo veçmas etj..”

 

 

 

 

Parathënia që shoqëron poemën “Vaje për Ali Tepelenën, Pashai i Janinës”, shkruar nga Emile Legrand, publikuar në frëngjisht si libër më 1886, të shënuar në kopertinë “Poemë historike në dialektin epirot”

 

 

Për poemën kushtuar Ali Pashës

Mbledhur nga Emile Legrand

 

“Vajtimi për Ali Tepelenën, Pashai i Janinës”, shkruar në dialektin epirot nga një autor i panjohur, është dëshmi e betejës së fundit, e luftës që pashai me shumë famë i Janinës bëri ndaj ushtrisë së sulltan Mahmudit. Fryma poetike që i ka dhënë jetë këtij krijimi interesant nuk ka shtrembëruar aspak të vërtetën historik, detajet e sumta dhe të sakta si dhe data ( të marra sipas kalendarit grek) kanë një saktësi rigoroze.

Me një vështrim të shpejtë, është e lexueshme që kemi të bëjmë me një dëshmitar okular, ndoshta- ndoshta me një nga aktorët e dramës mallëngjyese që u mbyll me vdekjen e pashait të frikshëm. Autori me siguri ka qenë shqiptar mysliman: ka keqardhje, që shprehet me disa fjalë qortuese ndaj turqve, besimtarëve, të së njëjtës fe, dhe nga ana tjetër ai është plot butësi ndaj tradhtisë së Gegëve dhe Toskëve, bashkëpatriotëve të tij. Ai (autori) ka qenë pa dyshim një admirues i flaktë i

Ali Pashës, atij i këputët shpirti për vdekjen e këtij njeriu mizor dhe, mes hidhërimit dhe vajit të tij, ai arrin të shkruajë: “Dashtë zoti na jep një tjetër!” Kjo rrëfenjë e shkurtër është mjaft e rregullt. Nuk ka zgjatime të panevojshme. Poeti i sheh me saktësinë më të madhe gjërat dhe i ekspozon ato me shumë qartësi. Ai i kap detajet piktoreske dhe i përçon ato me një shprehje të rrallë kënaqësie. Kur personazhet e tij flasin, ai kujdeset që ata të përdorin një gjuhë në harmoni perfekt me situatën dhe karakterin e tyre. Ai sjell me shumë kujdes e merak ngjyrimet lokale. Stili i poemës ka një pamje të sigurt e krenare, ritëm dhe harmoni, dhe rima, përveç disa dobësive, është mjaft e pasur. Autori, me një fjalë, ka qenë në mënyrë të padiskutueshme i talentuar dhe kjo marrëdhënie kaq e saktë e kaq e vërtetë, në këndvështrimin tonë, është mëse e denjë për t’u konsideruar simbol i veprave më të shënuara të letërsisë neohelenistike. Ajo duhet konsultuar si një dokument, si një burim i radhës së parë për këdo, që do të shkruante një monografi serioze për Ali Pashën.

Është rasti për të kujtuar këtu që më 1871 ne kemi publikuar gjenealogjinë e AliPashë, në të cilën gjenden të dhëna të sakta për të cilat s’ka pse të kërkohet kund tjetër. Na mbetet tani të flasim për dorëshkrimet e ndryshme të “Vajtimit” që kemi në dispozicion. Ato janë katër:

I pari që mban germën A,

është një kopje e shkruar nga unë vetë (autori i publikimit) në Athinë në shtator 1875, diktuar nga një shqiptar i vjetër në moshë, i quajtur Jani Paguni. Ky burrë i vjetër ishte në atë kohë 77 vjeç, ishte totalisht analfabet dhe kishte punuar në Janinë si bukëpjekës (furrxhi). Ai e dinte përmendësh “Vajtimin e Ali Pashë’s” që nga rinia e tij dhe e tha atë pa më të voglin hezitim. Unë e shkrova me laps poemën në dy seanca dhe, disa ditë më vonë, iu luta Jani Pagunit, të ma recitonte edhe njëherë, ndërkohë që unë ndiqja kopjen time. Doja të gjeja kështu një mënyrë sistemimi, kisha mbajtur shënim disa variante jo fort të rëndësishme, të cilat, megjithatë besoja se duheshin riprodhuar. Kur u ktheva në Athinë më 1879, e ritakova Jani Pagunin në lulishten pranë sheshit të Kushtetutës (Sindagma); ai më njohu dhe, i shtyrë padyshim nga dhurata në formën e një shpërblimi modest që i kisha dhënë para katër vitesh, ai insistoi fort të ma recitonte sërish “vajtimin”. Më erdhi keq sinqerisht që koha që kisha në dispozicion nuk më lejoi të tentoja një sistemim të dytë.

 

Dorëshkrimi i dytë që mban germën B,

është një kopje vërtet e rrallë dhe e veçantë, jodialektore, që mu dha më 1875, në Stamboll nga një grek vendas në Hotelin “Luksemburg”, ku unë qëndroja. Kjo kopje e shkruar në fletë prej pambuku të kaltër, që mbante markën LAPPA stampuar me vulë të thatë, s’mund të jetë shkruar para 1830-s, pikërisht se ajo përmban, përveç “Vajtimit të Ali Tepelenës”, edhe një vajtim tjetër të titulluar (në greqisht) “Vajtimi i Veli beut dhe Asllan Bej Puçes të Mukrutarit”, i cili lidh me 206 vargje një ngjarje të ndodhur në datën e lartpërmendur. Bëhet fjalë për vdekjen e dy bejlerëve shqiptarë, Veli Jaçe, Asllan Puçe dhe shokëve të tyre të urdhëruar në Manastir nga Reshid Pasha.

Dorëshkrimi i dytë (B) përnban 18 fletë, nga të cilat 13 të parat, plus tre lidhje (paragrafë) të të katërmbëdhjetës, zihen nga “Vajtim për Ali Tepelenën…” dhe pjesa tjetër nga  “Vajtimi i Veli beut dhe Asllan Beut”. Në fakt ka mangësi mjaft të rëndësishme pas vargut 240. Në krye të faqes së përparme të dorëshkrimit gjendet i shkruar shënimi i mëposhtëm ” Më 22 gusht 1820 Ali Pasha u mbyll në kalanë e Janinës, më 24 Janar 1822 i prenë dhe i morën kokën nga ishulli i Janinës”

 

Dorëshkrimi i tretë që mban germën C,

më është dorëzuar me shumë dashamirësi para disa vitesh nga zoti Jules Girard (Zhyl Zhirar), anëtar i Institutit. Ky dorëshkrim formon një fletore me 12 fletë me një shkrim mjaft të bukur e të qartë. Kjo kopje është marrë nga një grek i cili ka qenë portier i Shkollës Franceze të Athinës, në kohën kur Z. Zhirar, ka dhënë mësim aty. Ky tekst është identik, përveç disa gabimeve gramatikore (nuk e kemi parë të nevojshme të zmadhojmë vërejtjet) me tekstin e dorëshkrimit të dytë. Ai përmban pikë për pikë të njëjtat boshllëqe dhe, të mos ishte për gabimet drejtshkrimore, mund të besohet që dorëshkrimi i tretë është një kopje mbi të dytin, i cili sigurisht është më i vjetër.

 

Dorëshkrimi i katërt që mban germën D,

është një kopje prej 18 faqesh në formatin 16-sh, shkruar në 26 tetor 1871 në Dhrovjan, nga ana e P. Petridis, i cili ka propozuar për ta publikuar në bashkëpunim me B. D. Zotos. Kjo kopje e lënë si dorëshkrim, nuk ka as fillim, as fund, ajo nis në vargun e 27-të d he mbaron në vargun e 362-të. Pasi janë konsultuar me kujdes shënimet e mbajtura, mund të vërehet që ky version ka më tepër vargje, se ato që më ka diktuar para 11 vjetësh Jani Paguni. Ky dorëshkrim nuk i ka boshllëqet e dy të tjerëve, të B-së dhe C-së, por, nga ana tjetër, ai i është nënshtruar disa retushimeve nga pikëpamja gjuhësore. Këto konsiderata na kanë bërë t’i përmbahemi tekstit të Jani Pagunit, përveç dy tre pasazheve, që dorëshkrimi B, mund të na ofronte më mirë.

 

 

Fragmente nga poema

 

Vaje për Ali Pashën.

Kushdo që do të njohë bëmat e tij,

le të lexojë dhe mësojë tërë ç’pati

bërë dhe të përcjellë lutje për të.

 

 

Kush në botë mos gënjehet, mos mendoj se është i lumtur

Mbi ktë dhe përsa jeton, i zhgënjyer rron, i humbur

 

Se kjo botësi rrethi i rrotës shkon ngado tutje-tëhu

Kurrë në vend nuk rri ndaluar, i përmbys dhe shemb tabu

 

0 lavdia Ali Pashë, bir, heroi i gjithë Epirit

I llahtarshëm dhe i tmerrshëm, si të ish i Pirros, biri

 

Ç’qe për ty vallë kjo mandatë, ç’ishte vallë kjo lemeri

Pleqërise hidhëruar, shëmbur bashkë me Mbretëri

 

Jo, askush nuk e pandehu, rënë, përmbysur… derexhe

Kokën prerë e mor’Stambolli, trupi plasur tej, përdhe

 

Hakërryer dhe xhindosur tek shikon kush vjen kaluar

Ky Dovleti nis ushtritë turrë a vrap për të ndëshkuar

 

Vrap gatitet nis habere, nis ushtarë urdhër ngado

Nëpër tërë Arbërinë të zënë grykat domosdo!

 

Dhe hajdutëve të njohur, gjith të çartur, kapedanë

Grekët bashkë me Shqiptarë, tok të mblidhen nga çdo anë

 

 

Ali Pasha qëndron në Uçkale.

 Vendos të digjet me të gjithë të tijët.

 

O fatkeqi Ali Pashë, mbetur i braktisur vetë

Ah, tashmë tërë pasuria nuk të vlen ta ndrrosh me jetë

 

I hutuar shkon dhe ulet, mbyllur Uçkalesë menduar

Shtatëdhjetë trima besnike pas i rrinë pikëlluar

 

Ka vendosur shkrumb të bëhet gjithë ç’pati në kët’jetë

Shenjë mos mbetet, rrafsh e hi, pluhur, hiç, asgjë mos mbetë

 

Krusp, mbështjellë, rri vetmitar, tetëqind fuçi baroti

Nëpër sy i turbulluar, llahtar ndihet dhe vetë Zoti…

 

Brenda, të stivosur rrinë, pasuri një jetë të tërë

Qese me flori, stolira, aty mbledhur sërë, sërë

 

Zjarr dhe pasurisë të gjithë, zjarrgjithçkaje që ka mbetur

Natë e ditë vdekja ajron, shtegun, qiejt për të gjetur

 

I rreshton të gjith dyfeqet, gati çarkun për të shtënë

Plot pisqolla bukuroshe, shpata xhveshur ndrijnë në hënë

 

Kurrë, askush s’do ta besonte, kurrë, braktisur, katandi

Nga luan dhe zot i lirë, kafshë e mbyllur në kuvli

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency