Standard.al

Visar Zhiti nderohet me Çmimin e Madh të Letërsisë 2011

visari

Violeta Murati

Juria për herë të parë votim të fshehtë: Çmim kombëtar për Zija Çelën, Rudian Zekthin, Mira Meksin, Shaban Sinani, Aleksandër Zoto, Moikom Zeqo etj.

 

Në një atmosferë të ftohtë të mjediseve të Teatrit, por shndërruar në një spektakël modest janë ndarë mbrëmë çmimet e letërsisë për vitin 2011. Janë çmime të përvitshme kombëtare që mendohet të orientojnë dhe ta vënë letërsinë në sistem vlerash, pavarësisht se tregu është krejt indiferent karshi kësaj strukture.

Megjithatë Ministria e Kulturës, e bën të vetën në çdo vit (vetëm ky vit mbahet mend për zvarritjen më të gjatë) në dhënien e vlerësimeve për letërsinë kombëtare.

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011, që konsiderohet si çmim karriere iu dorëzua shkrimtarit Visar Zhiti me motivacionin për prurjet nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në Letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij. Nga Shqipëria për poetin e Kosovës Ali Podrimja ndarë nga jeta pak muaj më parë, iu akordua një nderim i veçantë me kërkesë të ministrit të TKRS-se Z. Aldo Bumçi duke u vlerësuar nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Juria për herë të parë ka marrë merita më të larta, të paktën tingëllonte kështu prej fituesve duke u quajtur “e mrekullueshme”, pasi bëhej fjalë për personalitete të letrave: Amik Kasoruho, kryetar dhe anëtarët: Sali Bashota, Eqerem Basha, Ali Aliu, Arjan Leka, Mimoza Hysa dhe Gentian Çoçoli.

Në fjalën e tij, shkrimtari Amik Kasoruho u tregua i kursyer për punën e jurisë duke u përmbajtur në faktin se ka pasur shumë prurje gjatë vitit 2011, për të cilat është punuar me përkushtim dhe vendimet për vlerësimet janë marrë pas diskutimet mbi problemet.

Por Kasoruho për të larguar çdo dyshim mbi çmimet ka thënë se problem kryesor që zgjidh gjithë debatet mbi kontestimet e çmimeve është se vlerësimet janë bërë në bazë të votimit të fshehtë. Kështu çmimi “Petro Marko” për vitin 2011 iu dha shkrimtarit Zija Çela për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe.

Çmimi “Mitrush Kuteli” për vitin 2011, iu dha shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë si dhe një stil unik letrar.

Çmimi “Lasgush Poradeci” 2011, për poetin Rudian Zekthi për vëllimin me poezi “Panair“, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare.

Çmimi “Faik Konica” 2011 për studiuesin Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar“, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e Letërsisë Shqipe.

Çmimi “Gjergj Fishta” 2011 për Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave.

Çmimi “Fan Noli” 2011, përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në gjuhën shqipe.

Çmimi “Jusuf Vrioni” 2011 për përkthyesin e njohur Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturë franceze.

Çmimi “At Donat Kurti” 2011, shkrimtarit Ruzhdi Gole me librin “Kureshtja për tu rritur” duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj.

Çmimi “Migjeni” 2011, poetit debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe.

 

Comments are closed.