Llalla prezanton dy prokurorët e hekurt në luftën kundër krimit

0
147

Elton Qyno

Adnand Kosova dhe Eugen Beçi, dyshja e Krimeve të Rënda kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

 

llallaPrezantohen dy prokurorët e hekurt në Prokurorinë e Tiranës dhe atë të Krimeve të Rënda. Ka qenë kryeprokurori Adriatik Llalla ai që ka bërë prezantimin në mëngjesin e djeshëm të prokurorit Adnand Kosova dhe të prokurorit tjetër Eugen Beçi. Të dy emrat njihen si prokurorë të hekurt dhe të guximshëm në profesionin e tyre, pasi një gjë të tillë e kanë treguar gjatë ushtrimit të detyrës në prokurori të ndryshme dhe së fundi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke hetuar dosje me ndikim të madh publik por edhe kriminal. Kryeprokurori Llalla, ka zgjedhur të bëjë prezantimin e parë, të prokurorit Adnand Kosova. Në mëngjesin e djeshëm Kosova, është paraqitur para trupës së prokurorëve të Tiranës, ku është prezantuar në krye të institucionit. Këtë post, Kosova e mer fill pas dorëheqjes së ish-drejtuesit Sokol Malaj, i cili disa ditë më parë dha dorëheqjen nga institucioni i prokurorisë, duke qëndruar si prokuror i thjeshtë pranë njësisë hetimore task-forcë në Prokurorinë e Tiranës. Menjëherë pas prezantimit të Adnand Kosovës, kryeprokurori Llalla ka vizituar Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka bërë prezantimin e prokurorit Eugen Beçi, në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Beçi u emërua në vend të ish-drejtuesit Olsion Çela, ndërkohë që ky i fundit mësohet se do qëndrojë prokuror i thjeshtë pranë kësaj prokurorie.

Prezantimet inkurajuese

Për shkak se dy emrat e prokurorëve të emëruar në krye të Prokurorisë së Tiranës dhe Krimeve të Rënda, kanë një eksperiencë shumë të mirë, për sa i përket organizimit dhe profesionalizmit të tyre në hetim,kryeprokurori Llalla i ka quajtur emërimet si dy figura inkurajuese për thellimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pikërisht duke marrë shkak nga kjo, Llalla mësohet se ka deklaruar gjatë prezantimit të Adnand Kosovës, se ai do të thellojë akoma dhe më tepër luftën e krimit ekonomik, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Llalla, ju referua punës tepër të mirë që Adnand Kosova ka bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda gjatë viteve 2004 deri në vitin 2007, ku falë impenjimit të tij maksimal dhe qëndrimit të hekurt, u bë shkatërrimi i disa nga bandave më të rrezikshme që vepronin në Shqipëri. Sipas Llallës, ky vullnet i prokurorit Kosova, ende nuk është shuar dhe një gjë të tillë ai ka kërkuar ta verë në zbatim gjatë drejtimit të prokurorisë së Tiranës, ku lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave është primari, pa lënë mënjanë dhe krimet e tjera si dhe thellimin e marrëdhënieve me policinë e Tiranës. Ndërkohë që me superlativa Llalla ka folur edhe për prokurorin Eugen Beçi, duke nënvizuar se Beçi ka shërbyer në shumë prokurori dhe prej shumë vitesh ka qenë pjesë e Krimeve të Rënda, ku ka hetuar dhjetëra grupe kriminale. Për karakterin e fortë që ka treguar gjatë hetimit dhe gjykimit të dosjeve, Llalla i ka besuar prokurorinë kombëtare Beçit, duke kërkuar nga ky i fundit thellimin e luftës kundër krimit të organizuar, konfiskimin e aseteve të krimit dhe rritjen e nivelit të marrëdhënieve me policinë dhe organizmat e huaj.

Betejat e dy prokurorëve

Adnand Kosova dhe Eugen Beçi hyjnë në ata prokurorë që konsiderohen të hekurt për shkak të qëndrimit të fortë që kanë mbajtur gjatë hetimit të dosjeve dhe përfaqësimit të akuzës në gjykatë. Gjatë ushtrimit të detyrës, Kosova ka shërbyer në prokurorinë e Korçës, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa Beçi, ka ushtruar detyrën e tij në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë. Për gjatë kësaj kohe, dy emrat e sipërcituar kanë pasur fatin të bashkëpunojnë së bashku në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke hetuar dhjetëra çështje, si “Hakmarrja për drejtësi”, grupi i “Emiljano Shullazit”, Dritan Dajtin, çështjen e Behar Kastrati në Kukës,rrëmbimi dhe marrja peng e Nipit të Sulo Shehut si dhe dhjetëra dosje të tjera.

Detyrat

Pas marrjes së detyrës, pritet që në ditët në vijim dy prokurorët Kosova dhe Beçi, do të duhen ti japin zgjidhje një sërë çështjesh problematike, si gjykimi i Dritan Dajtit, hetimi i zyrtarëve të korruptuar si dhe zgjidhja e procesit gjyqësor të 21 janarit dhe çështjeve të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency