Kujtime Jan Rash, djaloshi i Anfildit që “çante” rrjetat

0
172

Marrë nga “corrieredellosport.it”

RashShumë prej futbollistëve, pasi kanë varur këpucët në gozhdë, kanë braktisur futbollin dhe u janë përkushtuar pasioneve të veta. Disa prej tyre nuk dalin më në publik, pasi preferojnë që të shijojnë jetën “e dytë” me familjet e veta. Ndërkohë, një pjesë tjetër janë bërë trajnerë nga dashuria e madhe që kanë për këtë sport, por ka edhe nga ata që kërkojnë të ndihmojë të rinjtë të mësojnë këtë lojë në heshtje. Njëri prej tyre është edhe Jan Rash. Bomberi i Liverpulit tregon se si po kalon ditët pa topin ndër këmbë…

 

 

“Kur isha fëmijë, mësova shumë gjëra. Unë isha i 9-ti nga dhjetë fëmijët e familjes sime që gati të gjithë ishin të mëdhenj dhe të fortë. Jua siguroj unë që në zonat kundërshtare kishte më shumë hapësira sesa në sallonin tim”. Kjo përgjigje është për ata që “mundojnë” veten duke menduar se si Jan Rash ka shënuar mbi 400 gola gjatë karrierës së tij. Të shënuar në kontinente të ndryshëm (ka luajtur në Evropë dhe në Australi), të shënuar gjatë një karriere të gjatë (la futbollin vetëm pasi mbushi 39 vjeç) janë “karakteristikat” e një sulmuesi të madh që para 30 vitesh ekzaltonte një arenë si “Anfield Road”. Ndryshe nga atëherë Rash është pak i thinjur dhe nuk mban më mustaqe. Ndërkohë, karakteri mbetet po ai: në moshën 44-vjeçare Liverpuli i propozoi që të luante një ndeshje eliminatore të Ligës së Kampioneve, pasi kështu do të thyente një rekord, por ai u përgjigj negativisht, duke thënë se kishte dhënë ata çka kishte për të dhënë për këtë skuadër.

 

Çfarë do të bënte, nëse…

Tani Jan Rash është ambasadori i shkollave të futbollit të Liverpulit nëpër botë. Uellsiani udhëton shumë për të gjetur talente të reja për t’i afruar tek ish-skuadra e tij. Gjithashtu ai ndihmon edhe Welsh FA, Federatën Uellsiane të Futbollit, me eksperiencën që jep qendrat e ngritura prej saj. Në këtë vend ai është futur edhe në “Hall of Fame”-in e futbollistëve, “parajsën” e më të mirëve të këtij sporti, ndërkohë që pyetjes së fëmijëve që ishin kureshtarë për atë që do të bënte nëse nuk do të luante futboll, ai u përgjigj: “Nuk e di. Jam i sigurt për diçka, nuk do të pranoja kurrë punë zyrash. Të qëndroj në ambiente të mbyllura kurrë nuk më ka pëlqyer”. Në fund, Rash tregon edhe disa nga peripecitë që ka hequr i ati për të rritur dhjetë fëmijët (6 djem dhe 4 vajza). “I është djegur lëkura dhe mushkëritë për të na mbajtur të gjithëve. Ai shkrinte hekur për të na siguruar një të ardhme të mirë”, – tha Rash.

 

Jeta

Rash është martuar me Tresin dhe ka dy fëmijë (Xhonatanin dhe Danielin). I pari në 2009 ka debutuar në Premier Ligën uellsiane me Cefn Druids dhe ka bërë bujë vetëm prej mbiemrit që ka mbajtur në fanellë. Jani ka punuar edhe si opinionist në televizion. Ndërsa më pas ka qenë edhe menaxher i Çester Sitit (ka qenë skuadra e parë e tij).

 

Fillimi i legjendës

Nga Çester Siti ai u largua për herë të parë si lojtar kur Bob Paislei, pasardhësi i Bill Shanklit, e mori tek Liverpuli. Jan tregon se si tifoz i Evertonit që ishte “këshilloi” teknikun: “Duhet ta dish që vitin e parë do të më urresh”. Dhe ashtu ndodhi, pas 12 muajsh ai ishte duke u rikthyer tek Çester Siti. Atë vit Liverpuli ishte i Keni Dalglishit dhe Rashit as që shihte formacion me sy… aq më pak portën. Por Paislei e mori personale këtë sfidë: “Duhet të jesh egoist. Nuk duhet që të mendosh për asgjë tjetër veç topit. Duhet ta shtysh sferën në portë”. Pas kësaj këshille Rashi zuri mend dhe në vitin e dytë tek Liverpuli shënoi 30 gola në 49 takime. Aty nisi edhe legjenda e Rashit.

 

Biografia

Jan Rash ka shkruar dy biografi. Të parën e titulloi “Ditari im italian” dhe ia kushtoi aventurës së keqe që pati tek Juventusi kur qëndroi vetëm për një edicion, 1987-1988. Edhe pse mori “bekimin” e Xhon Çarlsit (uellsiani tha për të: “Është më i mirë se unë”) ai nuk mundi që të bënte përpara në Serinë A. Të gjithë thonë se faji nuk ishte i Rashit për atë dështim. Uellsiani kaloi në kohën e gabuar tek Juventusi i paplotësuar i Markezit që sapo i kishte dhënë lamtumirën një kampioni si Paltini. Rashi në atë ekip mbeti si një i huaj. Ai mbeti jashtë skemave dhe filozofisë së këtij ekipi pas vetëm 7 takimesh. Ndërkohë, edicionin e dytë nuk e filloi fare, pasi mori një infeksion dhe shkoi të kurohej në qytezën e vet në Flint. Prej aty ai detyroi emisarët e Juves që të vinin dhe të prishin kontratën për t’i dhënë kështu lamtumirën “Zonjës së Vjetër”.

 

Koret

Edhe sot fëmijët që shkojnë në “Anfield” këndojnë në nder të tij: “Rushie is back” (“Rashi është kthyer”). Ndërkaq, ai vetë kur mëson të vegjlit për t’u futur në fushë, thotë: “Djemtë duhet të mësohen që të fryjnë rrjetën duke i rënë me top. Për ata kjo duhet të jetë diçka normale. Për këtë fakt i lë që të godasin portën pa portier. Ata duhet që të shënojnë dhe vetëm të shënojnë”.

 

Fjalët me vend

Në fund Rash tregoi se çfarë përsëriste gjithmonë Bob Paislei, kur rrjeta nuk “fryhej”: “Nëse në zonë mendon se çfarë do të bësh, atëherë je shumë vonë”. Ndërsa po tekniku e pyeste se cili ishte dhe Jani i përgjigjej: “Jam një punëtor i madh. Shumë i respektueshëm. Dhe një bomber”. Rashi që u rikthye, nuk ka ikur më kurrë…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency