KLD, e shqetësuar, shumë gjyqtarë të patrajnuar asnjëherë

0
166

Sonja Caka

KLDAnëtarët e KLD-së diskutojnë situatën, propozohet të jetë e pranishme edhe drejtorja e Magjistraturës. Betohen 2 anëtarët e rinj të zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore

 

Shqetësuese është konsideruar situata në gjyqësor nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, fakti që një pjesë e madhe e trupës gjyqësore nuk kanë marrë pjesë qoftë edhe në një trajnim të vetëm. Por, edhe më e rëndë paraqitej situata për ata, kur mësohet se një pjesë e madhe e tyre janë gjyqtarë në gjykatat më të mëdha në vend, si ajo e Tiranës dhe e Durrësit. “Duhen aftësuar profesionalisht gjyqtarët, pasi sado ligje të mira të kemi, nëse ata nuk kanë aftësinë t’i njohin, nuk mund t’i zbatojnë ato”, – shprehu shqetësimin edhe kreu i KLD-së, njëkohësisht edhe Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani. Sipas tij, duhen adresuar shqetësimet te Shkolla e Magjistraturës dhe aktorët e tjerë të drejtësisë. Më tej në fjalën e tij, numri një i KLD-së u shpreh se duhen parë me kujdes edhe tematikat dhe lektorët që duhen afruar pranë Shkollës së Magjistraturës dhe për këtë duhet të kontribuohet nga profesionistë si gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e KLD-së. “Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë profesionistë dhe kanë mundësi profesionale për të dhënë kontribut në trajnime, pasi janë të specializuar në dhënien e mendimeve për temat. Mendime më të pjekura se të Gjykatës së Lartë dhe KLD-së nuk mund të gjejmë”, – vijoi sugjerimet e tij z. Nishani, duke përfunduar se “duhet të rekomandojmë disa kritere për përzgjedhjen e lektorëve, jo vetëm nga sistemi, por edhe nga trupa akademike”. Të njëjtin shqetësim ndanë edhe anëtarët e tjerë të KLD-së, të cilët shtuan edhe faktin se mjaft kolegë të tyre nuk kanë marrë pjesë qoftë edhe në një trajnim të vetëm.

Anëtarët e rinj

Më herët, Këshilli i Lartë i Drejtësisë verifikoi zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin, të detyrës së dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Artan Broci dhe z. Astrit Haxhialushi, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare më 14.12.2010. Komisioni i Verifikimit të Mandateve që u ngrit në këtë mbledhje, në raportin paraqitur Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konsideroi në pajtueshmëri me ligjin, për sa i përket zgjedhshmërisë, pajtueshmërisë dhe ushtrimit të rregullt të mandatit të anëtarit të KLD-së. Në diskutimet e anëtarëve, u vlerësua eksperienca e gjatë profesionale e dy anëtarëve të rinj, si dhe integriteti i lartë moral.

Reformimi i stafit të KLD-së

Një pikë tjetër e rëndësishme e rendit të ditës së mbledhjes së djeshme ishte edhe reformimi i stafit administrativ të KLD-së. Në kuadër të reformimit të punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të fushës, si dhe në referencë të progres-raportit më të fundit të Komisionit Evropian, me propozim të zëvendëskryetarit, u përcaktua struktura e re organizative e administratës dhe inspektoratit të këtij institucioni. Z. Elvis Cefa theksoi domosdoshmërinë për reduktimin e stafit administrativ dhe rritjen e numrit të inspektorëve, puna e të cilëve ka impaktin më të madh në gjithë sistemin gjyqësor, si në vlerësimin e gjyqtarëve, ashtu dhe në inspektimin e punës së tyre. Ai vlerësoi se reformimi i administratës është konceptuar për të rritur eficencën dhe mirëfunksionimin e Këshillit. Presidenti i Republikës, pasi shprehu miratimin e tij për propozimin e parashtruar, theksoi rëndësinë e arritjes së objektivit ligjor, lidhur me përfshirjen e administratës në Statusin e Nëpunësit Civil, për t’i dhënë gjithë garancitë ligjore nëpunësit. Në strukturën e re, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shton numrin e inspektorëve që do të kontrollojnë gjyqtarët, duke e çuar atë në 15 punonjës, por risia më interesante është posti i Sekretarit të Përgjithshëm. “Mendoj që struktura i jep një dimension te ri dhe një mundësi për dinamizim kryesisht të sfidës më të madhe që ka KLD që është inspektimi dhe kontrolli i veprimtarisë ligjore të gjyqtarëve tanë”, – tha kryetari i KLD-së, Bujar Nishani. “E konsideroj të domosdoshme shtimin e numrit të inspektorëve dhe uljen e numrit të tepër të administratës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, – tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Debate pati për statusin e Sekretarit të Përgjithshëm, nëse ai duhet të jetë me mandat apo jo.

Emërimet

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke vlerësuar punën e realizuar dhe integritetin e lartë moral dhe profesional të kryeinspektores Valbona Mata, në përfundim të mandatit të saj në këtë detyrë, sipas kërkesës së saj, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e saj në Gjykatën e Apelit Shkodër. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në zbatim të nenit 25 të ligjit nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, në vlerësim të cilësive të lartë profesionale të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët shërbejnë për një mandat 9-vjeçar, pas shqyrtimit të kërkesës, vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës, emërimin e znj. Evgjeni Sinojmeri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Një tjetër vendim i marrë nga KLD, ishte edhe caktimi i z. Ilir Mustafaj, përfaqësues, njëherazi Kryetar të Komisionit të Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, pas përfundimit të mandatit të kryetares së mëparshme. Më tej, diskutimet e Këshillit vijuan me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit të kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 2 gjyqtarë. Mbas realizimit të procedurës së votimit të këtij projekt akti, në përfundim u vendos vlerësimi “Shumë mirë” për gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përkatësisht znj. Brunilda Kadi dhe z. Fatri Islami.

 

“E konsideroj të domosdoshme shtimin e numrit të inspektorëve dhe uljen e numrit të tepër të administratës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, – tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency