Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” Dhurata për fëmijët e “Distrofisë Muskulare Duchenne”

0

fondacioniFondacioni “Fëmijët Shqiptarë” ka organizuar një festë më rastin e festave të fundvitit për fëmijët që vuajnë nga “Distrofia Muskulare Duchenne”. Rreth 15 fëmijë i janë bashkangjitur atmosferës festive të krijuar enkas për ta nga Fondacioni, por bashkëbisedimi me 10-vjeçarin Mario Çekrezi, i emocionoi të gjithë. Me shumë krenari, Mario i tregoi dr. Liri Berishës dëftesën me dhjeta të përfundimit të klasës së tretë dhe i kërkoi asaj adresën e e-mail-it për ta vënë në dijeni për ecurinë e tij në shkollë dhe sa i zoti do të bëhet në të ardhmen. Mario tha i vendosur se dëshironte të bëhej astronaut, ashtu si një astronaut i famshëm italian, i cili ishte invalid si ai. Znj. Berisha shprehu kënaqësinë për lajmet e mira që dëgjoi nga fëmijët në lidhje me ecurinë pozitive në shkollë dhe i uroi atyre suksese të mëtejshme dhe nota sa më të mira në mësime. Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, u shpreh ajo, e ka bërë tashmë traditë t’i ndajë këto festa bashkë me fëmijët që vuajnë nga Distrofia Muskulare dhe nuk kishte si këtë vit të ndodhte ndryshe. Takimi u përshëndet edhe nga dr. Aida Bushati e cila përkujdeset për terapitë e tyre mjekësore në QSUT dhe është familjarizuar me të gjithë këta fëmijë. Ajo falënderoi fondacionin për vëmendjen e vazhdueshme ndaj këtyre fëmijëve. Festa e fëmijëve vijoi nën shoqërinë e muzikës dhe atmosferës plot humor të krijuar nga artistët si dhe u shpërndanë dhurata të përzgjedhura me kujdes e dashuri posaçërisht për këtë grup fëmijësh të cilët vuajnë shqetësime të pamundësisë muskulore por që intelekti i tyre është i njëjtë me të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” i kishte përgatitur të vegjëlve nga një pako me veshje, lodra dhe ëmbëlsira si dhe ju dhurua nga një telefon celular për të komunikuar me njëri-tjetrin.

Loading...

 

Loading...