Ambasadorja gjermane: Statusi, pasi të votohen kriteret e BE-së

0
130

Gëzim Saliu

holtkemperHoltkemper: Lufta kundër korrupsionit dhe tri ligjet bëjnë të mundur marrjen e statusit

 

Shqipëria duhet të miratojë kriteret e përcaktuara nga Brukseli në raport-progresin e tetorit për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi dje ambasadorja gjermane në vend Carola Holtkemper, duke nënvizuar se pavarësisht humbjes së shansit të dhjetorit, palët politike në vend duhet të angazhohen për të përmbushur sa më parë kërkesat e KE-së. “Shqipëria humbi një mundësi për të marrë statusin e BE-së, por nuk është çdo gjë e humbur, pasi kërkohet realizimi i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe miratimi në Kuvend i tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian”, – tha ambasadorja gjermane.

 

Zgjedhjet

Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, bëri të ditur dje se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm nuk janë vendosur si kushte nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit. “Zgjedhjet e vitit 2013 nuk janë kusht për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkohë vendimi për statusin mund të merret edhe përpara qershorit, në rast se plotësohen tri kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian”, – theksoi ministri i Jashtëm. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 nuk janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këtë qëndrim të Panaritit e konfirmoi vetëm disa ditë më parë edhe Brukseli zyrtar, i cili bëri të ditur se tri ligjet janë të vetmet kushte për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë e ndërsa zgjedhjet mbeten sipas Komisionit Evropian, një faktor shumë i rëndësishëm për të treguar vullnetin e politikës shqiptare në kuadër të përmbushjes së reformave. “Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por pa dyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht kjo nuk është një kusht”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Qipros Erato Kozakou Marcoullis gjatë një konference për shtyp nga Brukseli. Në të njëjtin kontekst, komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule, u bëri thirrje palëve politike që të përqendrohen tek tri kushtet e mbetura, sepse, sipas tij, procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet. “Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, te cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”- u shpreh komisioneri. 8 ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u vendos që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, pasi sipas Brukselit zyrtar, ky hap mund të hidhet vetëm pasi të jenë përmbushur tre kriteret kyçe të vendosura në progres-raportin e muajit tetor, përkatësisht ligji i Gjykatës së Lartë, reforma parlamentare dhe statusi i nëpunësit civil. Ky vendim ka qenë edhe thelbi i rezolutës së miratuar vetëm një ditë më pas nga përgjigja e ministrave të Jashtëm nga ana e Parlamenti Evropian, ku eurodeputetët i bënë thirrje klasës politike shqiptare për tu angazhuar në plotësimin e tri ligjeve, si kushtet e vetme për marrjen e statusit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency