Unë më parë se ti…

0
1264

leximiNjë libër që të ndal zemrën, shkruan Indipendent on Sunday për romanin e JoJo Moyes, “Unë më parë se ti” ardhur edhe në shqip së fundi, nga botimet “Uegen”. Shtytja për t’u ndrequr së brendshmi në një atmosferë prekëse “deri në një mrekulli dhe romantikë” sa shkon në qiell i japin arsye vëmendjes që romani merr prej grave.

Jojo Moyes është romanciere dhe gazetare. Ka punuar për gazetën Independent për dhjetë vjet, para se të largohej për t’iu kushtuar shkrimit me kohë të plotë. Romanet e saj të mëparshme janë pritur mirë nga kritika dhe përfshijnë titujt: Anija e urave, Fryti i huaj dhe libri i fundit që ka fituar edhe çmime, Letra e fundit nga i dashuri. Jeton në Eseks me bashkëshortin dhe tre fëmijët. Në kopertinën e botimit në shqip hidhet një fragment:

Lu Klarku di plot gjëra. Di sa hapa janë nga stacioni i autobusit deri në shtëpi. Di që i pëlqen të punojë në barin “Simitja me gjalpë”, di që ndoshta nuk e dashuron të dashurin e saj, Patrikun. Ajo që Luja nuk e di është se do të humbasë punën dhe se ato që do t’i ndodhin më pas, do ta bëjnë normale. Uill Trejnëri e di që aksidenti me motor i ka hequr dëshirën për të jetuar. E di që gjithçka i duket pa vlerë e pa gëzim dhe e di mënyrën se si mund t’i japë fund gjithë kësaj.

Ajo që Uilli nuk e di është se Luja do të hyjë në botën e tij me një larmi ngjyrash. Dhe asnjëri prej tyre nuk e di se ka për ta ndryshuar tjetrin një herë e përgjithmonë…”

“I destinuar të jetë romani që shokët do të shtyjnë njëri-tjetrin për ta lexuar. Më shumë se kushdo tjetër, Luja dhe Uilli janë një çift që do t’u hyjë në zemër po aq shumë sa Ema dhe Deksi te libri “Një ditë”. Një roman që ka nevojë për një pasdite në divan dhe një dorë pecetash pranë vetes”, shkruan mes të tjerash Independent on Sunday.

Më poshtë botojmë një intervistë të Jojo Moyes për romanin e saj “Unë më parë se ti”, botuar nga Indipendent.

 

 

Na thoni pak nga ju kanë ardhur idetë për historinë dhe personazhet?

 

Më kanë ardhur nga vende të ndryshme. Ka pjesë bisedash apo ndonjë lajm që të ngulitet në kokë dhe nuk harrohet më. Ndonjëherë prej tyre më vijnë dhe idetë për personazhet dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, nis t’i lidh të gjitha bashkë. Unë më parë se ti është libri i konceptuar “më lart” që kam shkruar deri tani, dhe këtë mund t’jua shpjegoj edhe me dy fjali. Sigurisht që është shumë më tepër organik, përmban plot ide dhe gjëra që i kam bërë së bashku. Me këtë libër, besoj se kam mbajtur parasysh çështjen e cilësisë së jetës, sepse edhe vetë kam pasur dy njerëz të afërm që e kaluan jetën në shtëpi të kujdesit shëndetësor dhe e di mirë se do të kishin zgjedhur çdo lloj alternative tjetër përballë asaj ekzistence.

 

Me cilin nga personazhet e librit Unë më parë se ti e identifikoni më tepër veten?

 

Sigurisht që te Luja kam futur një pjesë të vetes sime. Kam pasur një palë geta me vija që më pëlqenin shumë kur isha fëmijë! Mendoj se shkrimtari mund ta identifikojë veten nga pak me të gjitha personazhet. Prandaj identifikohem deri në një farë mase edhe me Kamilën. Si nënë që jam, nuk e përfytyroj dot zgjedhjen që bëri ajo dhe merret me mend se, në kushte të ngjashme, cilido prej nesh do të kishte rënë shumë nga ana shpirtërore.

 

Ç’ju shtyu t’i vendosnit ngjarjet e librit Unë më parë se ti në një qytezë të vogël historike me kështjellë?

 

Provova çdo lloj mjedisi për këtë libër. Udhëtova vetë nëpër gjithë Skocinë për të gjetur një qytezë të vogël dhe një kështjellë që do të “përshtateshin”. Ishte thelbësore që Luja të vinte nga një qytezë apo fshat, jo nga qyteti i madh, sepse vetë jam rritur në qytet dhe e di se ai të jep çdo lloj rehatie – por është edhe mbytës. Kështjellën e doja sepse ishte shembulli më i mirë i përballjes së pasurive të vjetra me njerëzit e zakonshëm të së sotmes. Britania çuditërisht është ende e ndarë qartë në klasa, por këtë e dallojmë vetëm kur shkojmë në ndonjë vend ku kjo ndarje nuk ekziston në këtë mënyrë, si në Amerikë apo Australi. Dallimi mes klasave më duhej për të bërë më të qartë dallimet mes Uillit dhe Lusë.

 

Unë më parë se ti trajton një temë shumë të ndjeshme – të drejtën e personit për të vdekur. A ju duket temë e vështirë për t’u trajtuar? Pse vendosët të shkruani rreth kësaj teme?

 

Para pak vitesh, dëgjova për rastin e Daniel Xhejmsit, një lojtar i ri regbie që u paralizua dhe u mbushi mendjen prindërve ta lejonin të shkonte te Dinjitas. Fillimisht, u tmerrova nga kjo ngjarje – si mund të veproja ndryshe? – po sa më tepër që lexoja, aq më shumë kuptoja se këto çështje nuk janë aq bardhë e zi sa duken. Kush ka të drejtë të të thotë se cila është cilësia e jetës që duhet të kesh? Si mund të jetosh një jetë që është shumë larg asaj që ke zgjedhur? Çfarë mund të bësh si prind kur fëmija të ketë vendosur vërtet për të vdekur? Jeta si tetraplegjik nuk është thjesht jetë i ulur në karrige me rrota – është një betejë e pafundme kundër dhimbjes dhe infeksioneve, si dhe një sfidë e fortë mendore. Këto çështje nuk mund të lihen pa u marrë parasysh. Prandaj, besoj se ai libër që të djeg përbrenda, duhet shkruar, pavarësisht se nuk është libri më i mirë në treg.

Në fakt, librin Unë më parë se ti e shkrova pa pasur kontratë paraprake botimi – madje nuk isha e bindur në mund të gjeja botues, duke pasur parasysh tematikën e debatueshme. Ishte thjesht diçka që doja ta shkruaja. Mirëpo, pikërisht ngaqë po e bëja vetëm për veten time, ndjehesha e çliruar. Dhe, për fat, disa botues ma kërkuan pasi e mbarova. Ndjehem e gëzuar që arrita ta botoj me shtëpinë botuese “Penguin”.

 

Librat tuaj gjithnjë kanë në thelb të tyre histori të pabesueshme dashurie. Çfarë ka të veçantë tema emocionale e dashurisë që ju bën të shkruani për të?

 

Nuk ia kam idenë! Në jetën reale nuk jam romantike. Mendoj se dashuria është gjëja që na shtyn të bëjmë më të jashtëzakonshmen – emocioni që na çon në pikën më të lartë e më të ulët, që na shndërron thellë – dhe emocionet e skajshme janë gjithmonë interesante për t’u trajtuar. Veç kësaj, më duket vetja e dobët për të shkruar tema horrori…

 

Keni qarë ndonjëherë ndërsa shkruanit ndonjë skenë nëpër librat tuaj?

 

Gjithmonë. Po nuk qava kur shkruaj shtjellimet emocionale, atëherë parandjenja më thotë që nuk e kam bërë siç duhet. Dua që lexuesi të ndjejë diçka teksa lexon – të qarët më shërben si një letër lakmuesi për të provuar se funksionon. Mënyrë e çuditshme për të nxjerrë jetesën kjo e imja.

Përgatiti: Re. Ku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency