Statusi, Malaj sfidon PS-në: Prioritetet e vendit janë parësore

0
113

Gëzim Saliu

malajIslami: Shoqëria civile të krijojë raport të drejtë midis rolit konstruktiv, patriotizmit dhe nacionalizmit

 

Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, deklaron se interesat kombëtare duhet të vijnë para atyre partiake. I ftuar në konferencën “Nxitja e rolit të shoqërisë civile në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, Malaj konfirmoi edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me debatin politik për kushtëzimin e tri ligjeve të Brukselit nga ana e Partisë Socialiste me çështjen e “Fierit”, duke theksuar se sfidat kombëtare duhet të jenë sfida parësore të partive politike në vend. “Pa një kulturë dhe ambient të ri politik, ku prioritetet e vendit dhe sfidat kombëtare janë të vetmet prioritete dhe sfida për politikën dhe shoqërinë civile është e pamundur që të dalim nga ky cikël i dështimeve të përsëritura. Duhet të forcohet dhe jo të zbehet sado pak në lidershipin politik dhe opinionin publik, inspirimi evropian. Dështimet e përsëritura në procesin e integrimit dhe krizat e tejzgjatura politike në vend kane krijuar efekte negative mbi zhvillimet tona sociale dhe politike”, – tha deputeti socialist.

 

Sfida e integrimit

Për deputetin e PS-së, palët politike në vend e kanë të domosdoshme gjetjen e një vullneti të përbashkët për të kapërcyer sa më parë dështimin e përsëritur të mos përfitimit në mënyrë të merituar të statusit të vendit kandidat të BE-së. “Duhet eliminuar çdo risk që cenon zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pa të cilat nuk do të ketë hapje të negociatave, do të ketë bllokim të hapave integruese dhe mos përfitim nga politikat dhe fondet e BE-së të destinuara për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe infrastrukturën rajonale, të cilat janë prioritete të rëndësishme të ekonomisë sonë. Duhet të synohet dhe të realizohet një përgjegjësi e përbashkët për prioritetet kombëtare në fushën e ekonomisë dhe të integrimit, për reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në rast të kundërt vendi do të jetë i përfshirë në ciklin e krizave të përsëritshme, të cilat do të përkeqësojnë zhvillimet e ardhshme ekonomike e sociale, dhe do ta bëjnë më të vështirë dhe të largët perspektivën evropiane”, – u shpreh Malaj. Në këtë kontekst, anëtari i kryesisë socialiste pohoi se lidershipi politik shqiptar nuk duhet të nxisë dhe as të ngrohë duart në zjarrin e emocioneve nacionaliste. “Shqipëria si vendi amë, duhet të përshpejtojë integrimin, duhet ta ushqejë dhe të ndihmojë të konsolidohet avantazhi historik i shqiptarëve si kombi më mbështetës i integrimeve euroatlantike, si kombi që i ka shërbyer përherë paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, – nënvizoi ai. Po ashtu pjesëmarrës në konferencën “Nxitja e rolit të shoqërisë civile në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, ishin të pranishëm edhe deputetët Mesila Dode dhe Kastriot Islami dhe përfaqësues të rajonit për integrimin në BE, të cilët shqyrtuan mendimet për rëndësinë dhe domosdoshmërinë për të nxitur rolin e shoqërisë civile në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Deputeti i pavarur i Kuvendit, Kastriot Islami, u shpreh se shoqëria civile duhet t’i vërë në përparësi politikës arritjen e standardeve për të merituar këtë status dhe të mos tolerojë hedhjen e fajit sa nga njëri kamp në tjetrin. “Politika është ngurtësuar, ka një problem të bashkëveprimit politik midis forcave kryesore. Unë mendoj se shoqëria civile duhet të luajë mirë këtë rol në shpjegimin dhe vendosjen e një raporti të drejtë midis rolit konstruktiv, patriotizmit dhe nacionalizmit. Shoqëria civile duhet ta shpjegojë drejt. Nuk duhet lënë në dorë të politikës, e cila kërkon edhe këtë kartë për ta përdorur për arsye elektorale apo politike”, – theksoi Islami. Ndërsa, deputetja e mazhorancës Mesila Doda nënvizoi se ka një keqkuptim të qëllimtë në këtë çështje pasi sipas saj deklaratat nacionaliste kanë pasur tjetër qëllim dhe jo ndryshim kufijsh. “Unë mendoj se nuk ka një kontradiktë midis projektit Evropian dhe projektit të bashkimit të shqiptarëve. Problematika e ndryshimit të kufijve është diçka që është e vendosur dhe askush nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinj. Por, askush nuk mund të ndalojë të drejtën për autodeterminim të popujve”, – u shpreh Doda.

 

Vlerësimet për statusin, Gjinushi: Ndërkombëtarët, të njëanshëm

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cilëson si jo korrekte qëndrimet e një pjese të ndërkombëtarëve të përfshirë në vlerësime për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Për kreun socialdemokrat, ndërkombëtarët ndahen në dy kategori: ata që shikojnë me objektivitet procesin e integrimit në Shqipëri dhe të tjerë që janë subjektiv dhe pozicionohen në mbështetje të qeverisë. “Përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në marrjen në dhjetor të statusit të vendit kandidat është PD dhe LSI”, – u shpreh ai. Ndërkohë lidhur me aleancat parazgjedhore, Gjinushi tha se PSD është e angazhuar të rrëzojë qeverinë aktuale, duke theksuar se për një pozicionim më të qartë për koalicionet do të shprehet në të ardhmen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency