Duke filluar nga data 1 dhjetor, informacioni në kohë reale mbi fluturimet, në faqen e internetit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), është i lidhur direkt me sistemin e automatizuar të aeroportit. Gjatë kësaj kohe, TIA ka testuar mbarëvajtjen e këtyre zhvillimeve, për t’u ofruar pasagjerëve të saj informacionin më të saktë të mundur. Ndryshimet në fluturime, vonesa dhe aullime, reflektohen tashmë menjëherë online për të gjithë pasagjerët dhe për personat e interesuar mbi këto informacione. Kështu pasagjerët që udhëtojnë nëpërmjet TIA-s tani mund të shikojnë në faqen e internetit nëse ka pasur ndonjë ndryshim të minutës së fundit për fluturimin e tyre, para se të nisen për në aeroport. Gjithashtu, ata të cilët presin pasagjerët në mbërritje në TIA, kanë mundësinë për të kontrolluar online para se të nisen për në aeroport, kur pritet të ulet avioni, nëse ka vonesë apo edhe në disa raste aullime.
“Marrja e informacionit të përditësuar është vendimtare për pasagjerët dhe familjen apo miqtë e tyre. Kjo është arsyeja pse ne jemi të kënaqur që kemi mundësi të lehtësojmë sadopak jetën e të gjithë personave të cilët në njëfarë mënyre kanë lidhje me aeroportin, dhe për të ndihmuar pasagjerët tanë qoftë në udhëtime biznesi apo për pushime”, – tha drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken.